Kryeministri Edi Rama duket se do t’i vërë fort shpatullat qeverisë për tu përballur me përgjegjësinë tepër të lartë që i dhanë shqiptarët në zgjedhjet e 25 qershorit, me rezultatin historik në numër votash, siç tha ai.
Duke folur para 74 deputetëve të rinj, ende të pamandatuar, Rama u kërkoi atyre të fillojnë mënjerherë nga puna dhe askush të mos guxojë të marrë pushimet, të paktën deri më 1 gusht.
“Falënderimi duhet të vazhdojë, jo duke festuar por duke dëgjuar prej zgjedhësve që na dhanë besimin dhe votën historike. Edhe pse qeveria do të jetë politikisht një njëngjyrëshe, do të jemi në koalicion me popullin,” tha ai.
“Po dështuam në përgatitjen e një koalicioni kaq të madh me popullin, do të dështojmë në mandatin tonë qeverisës” u tha Rama ligjvënësve të rinj.
Në vijim të fjalës së tij ai foli për nevojën e vetëkorrigjimin duke pranuar se PS ka plot të meta dhe defekte që duhen ndrequr.
“Ata që na votuan mendojnë se ne meritojmë të provohemi duke qeverisur me timonin vetëm, pa të tjerë në prehër. Por, së pari duhet të nxjerrim në pah të metat, dobësitë dhe gabimet tona, si në parlament, qeveri e parti, e më tej të vetëkorrigjohemi me vullnet e modesti”, theksoi ai.
Rama u zotua se parlamenti i ri nuk do të jetë aspak si ai i kaluari, për mjerimin e të cilit fajësoi edhe veten dhe socialistët.
“Parlamenti i kaluar ishte i një niveli turpërues për të gjithë. I vetmi justifikim për ekzistencën e tij, ishin reformat që u votuan. Kuvendi nuk mund të jetë më kazan politik. Mjerimi i zënkave në parlament nuk ka me justifikim, sidomos në kushtet kur kemi barrën e mazhorancës absolute. Edhe ne nuk jemi pa faj për mjerimin ku u katandis parlamenti”, theksoi Rama.
Sa i përket intensifikimit të marrëdhënieve të deputetit me elektoratin në zonë, Rama njoftoi ngritjen e rrjetit kombëtar të zyrave të deputetëve.
“Duhet ngritur nga sot një grup pune, nën drejtimin e Sekretarit të Përgjithshëm të partisë dhe kryetarit aktual të grupit. Në përbërjen e tij mendoj të jene dhe Taulant Balla, Saimir Tahiri, Ermonela Felaj, Klodiana Spahiu, Ulsi Manja e çdokush tjetër që Gramozi mund të shohë të arsyeshme të përfshijë. Ky grup duhet të përgatisë një raport në formën e një dokumenti rekomandimesh për çdo aspekt të veprimtarisë parlamentare të partisë, si dhe të aktivitetit të deputetit, jo vetëm në parlament, po edhe në zonën e përfaqësimit,” informoi Kryeministri.
Një tjetër urdhër i Ramës ishte dokumentimi i kërkesave të qytetarëve gjatë turit të dëgjesave publike në 12 qarqet e vendit, raport i cili, siç tha ai do të paraqitet në asamblenë kombëtare të partisë në fund të muajit gusht.