Kryeministri Edi Rama ka sfiduar nga Kongresi i Partisë Socialiste kryetarin e opozitës Lulzim Basha, duke e ftuar që të hyjë në zgjedhjet lokale. Rama tha se ai është i gatshëm që të miratojnë çdo propozim për votim elektronik, dhe se qeveria është gati të hyjë në zgjedhje të parakohshme me këtë kusht: nëse në zgjedhjet lokale, opozita fiton një Bashki më shumë se PS.
“Ne na vjen turp për ju, na vjen keq për të gjithë ata që i braktisët që votuan për ju, jo për ne. Është e drejta juaj t’i tradhtoni ata që ju votuan. Në historinë e Parlamentit shqiptar, mbajeni ju, e zgjodhët vetë. Nuk kemi mandat për t’ju dhënë në tavolinë. Një ftesë e kam ende për ju, keni mbajtur peng për disa muaj Shqipërinë për votimin elektronik, hajdeni, ulemi ta miratojmë së bashku atë reformë.
Biem dakord dhe meqë e keni me shumë qejf temën e shitblerjes së votës, jemi gati të miratojmë çdo masë në Kuvend që mund të propozojë viktima e mirënjohur e shitblerjeve të votave, doktoresha Monika Kryemadhi. Nëse fitoni një Bashki më shumë se ne, jemi gati të shkojmë në zgjedhje të parakohshme”, tha ndër të tjera Rama.