Kryeministri Edi Rama vijon të mohojë faktin se në protestën e zhvilluar për shembjen e Teatrit Kombëtar, të ketë pasur dhunë nga policia.
Në një lidhje live me News24, Rama tha se në qeverinë e tij nuk ka policë që t’i bien me grushte dhe ta bëjnë të vdekur një protestues.
Kreu i qeverisë thekson se dhuna e vetme në protestë ka ardhur nga përfaqësuesit e partive opozitare.
Pavarësisht deklaratave të kryeministrit Rama, foto dhe video të shumta janë publikuar në rrjetet sociale që tregojnë se në një formë apo në një tjetër, policia ka ushtruar dhunë ndaj protestuesve.
“Kur filloi protesta për teatrin, mikrofonin e kishte Robert Ndrenika dhe kalonte nga një fytyrë e dashur tek tjetra dhe nuk pranoheshin politikanët. Ishin sa ç’ishin të gjithë këta të mbledhur të gjithë bashkë nga parti dhe organizata politike, atje kishte aktorë me të vërtetë. Kishte kontributorë të vërtetë të teatrit, ku janë ata. Ata u ulën në dialog. Zgjodhën dhe përfaqësues të tyre që kanë qenë në një komision të përbashkët me bashkinë e Tiranës.
Ju flisni për dhunë por nuk ka jo në polici, nuk ka shans që një përfaqësues i çfarëdoshëm i kësaj pale të ketë gjuajtur grushte si ato që u gjuajtën nga përfaqësues të partive.
Në qeverisjen time nuk ka policë që t’i bien me grushte dhe ta bëjnë të vdekur një protestues. Por mjafton të shikoni që këta që pretendojnë qeveri rrahin me grushte një protestues. Regjim i Edi Ramës! Regjim që lë për 2 vite gjysmë godinën e Teatrit Kombëtar të administrojë një grup protestuesish”, tha ai.