E mërkurë, 16 Qershor, 2021
20.5 C
Tirana

Rama me BE-në: ”nxehet me këpucën ndërkohë që ia ka fajin këmba”

Nga: Genc Burimi

Intervista e Edi Ramës në shtypin gjerman kundër Europës dhe ëndrrës së saj mashtronjëse me integrimin është sulmi surrealist i radhës së Kryeministrit shqiptar.

E njihnim Ramën artist të apasionuar pas pikturës surrealiste me Francis Bacon si burim frymëzimi. E zbuluam Ramën në intervistën e fundit për “Bild”, të influencuar edhe nga literatura surrealiste. Me një cinizëm të rrallë, Kryeministri shqiptar e ndërton intervistën e tij rreth konceptit surrealist të nobelistit irlandez të letërsisë, Samuel Beketit, i cili u bë i njohur nga kryevepra teatrale që shkroi në Francë pas Luftës së Dytë Botërore, “Duke pritur Godonë”.

Dy personazhet, Vladimiri dhe Estragoni që me sa duket në metaforën e Ramës përfaqësojnë Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, presin më kot gjatë plot dy orëve që zgjat pjesa teatrale, ardhjen e një personazhi të tretë, Godonë, që përfaqëson integrimin europian në imagjinatën e Ramës. Por ja që Godoja si integrimi , e presim, por nuk vjen kurrë. Personazhet në skenë dhe publiku në sallë nuk do ta shohin kurrë Godonë dhe biles as nuk do të mësojnë se cili është dhe çfarë përfaqëson. Publiku lë sallën nga kjo shfaqje teatrale me të njëjtën ndjenjë si dy personazhet që presin në skenë, atë të humbjes së pakuptimte të kohës.

Jam i sigurt se diplomatët apo liderët europianë që do kenë pasur kohë të lexojnë këtë imagjinatë të shfrenuar dhe aspak miqësore të Kryeministrit shqiptar kanë bërë një buzëqeshje të shoqëruar në kokë me fjalët “çfarë artisti!”.

Pasi e njëjta intervistë dhe metaforë mund të lexohen fare lehtë edhe në krahun e kundërt. Janë europianët ata që e gjejnë veten e tyre në raport me Shqipërinë, si dy personazhet e Vladimirit dhe Estragonit me Godonë. U bënë 30 vjet që nga rënia e murit të Berlinit dhe e diktaturës komuniste në Shqipëri, që popujt europianë dhe liderët e tyre presin që ish-perdja e hekurt që ndante Europën më dysh të bjerë plotësisht duke bashkuar përfundimisht edhe Ballkanin Perëndimor e brenda saj Shqipërinë me pjesën tjetër të familjes europiane.

FAJIN NA E KA EUROPA APO KLASA POLITIKE SHQIPTARE?

U bënë plot 30 vjet pritje si Godoja që Shqipëria të bëhet më në fund një vend normal si vendet e tjera në BE. Vend me ekonomi normale, me institucione normale, me zgjedhje normale, me drejtësi normale. Vendi më i afërt i BE-së me Shqipërinë, Greqia, që nuk është nga më të zhvilluarit e BE-së, ka një Prodhim të Brendshëm Bruto prej 200 miliardë eurosh, kur Shqipëria mezi çalon te 13 miliardë euro. Vetëm buxheti i mbrojtjes i Greqisë, vend i BE-së në prag të falimentimit para disa vitesh, kap shifrën e 5 miliardë eurove aq sa nuk është i gjithë buxheti i shtetit të Edi Ramës. Të tregosh me gisht Europën si Godoja e fabulës kur është e gjithë Europa durimmadhja që po na pret të avancojmë më shpejt, është të bësh në faqet e “Bild”- it dhinë e zgjebosur me bishtin përpjetë.

Le të marrim zgjedhjet që po flitet kaq shumë këto ditë. Edhe një shtet fqinj, që nuk është në BE, dhe që u bë shtet 100 vjet pas Shqipërisë, Kosova, që ka luftë politike të brendshme të ngjashme me atë të Shqipërisë, prapëseprapë ia arrin me gjithë këto pak vite përvojë shtetërore që ka, të bëjë zgjedhje të rregullta e të pakontestueshme. Shqipëria në 30 vjet dhe Rama në 8 vjet nuk ia arrin që nuk ia arrin të realizojë të paktën këtë kërkesë minimale të një shteti jo që kërkon të hyjë në BE, por të një shteti që kërkon thjesht të quhet Shtet. Edhe për zgjedhjet si për prapambetjen ekonomike mos ia ka sërish fajin Europa Godosë ediramiste? Dhe sa duhet të presë ajo? Apo ia ka fajin opozita Ramës dhe hajde oburra ta ndërrojmë dhe opozitën me ndihmën e dajë Samit duke i çuar në gijotinë politike dy liderët realë të dy partive kryesore të opozitës? Po për të drejtën e votës së diasporës, premtim Godoje i Ramës që presim të realizohet në kalendat greke, sërish Europa ia ka fajin?

Por kur Europa i thoshte mos e ndërro Kushtetutën më pak se një vit para zgjedhjeve dhe mos e prish paktin mbi kodin elektoral kur s’ka opozitë në Parlament, kur s’ka Gjykatë Kushtetuese që të japë një mendim, por Edi Rama vazhdoi me kokën e tij dhe sot korr tensione me opozitën, mos sërish Europa ia paska fajin? Po kur në babëzinë e tij elektoraliste shkon e vë dorë mbi të dhënat personale të qindra mijëra qytetarëve sikur t’i kishte anëtarë të fisit të vet, duke llahtarisur mediat dhe ndërgjegjen europiane siç i llahtarisi një vit më parë me shembjen natën të një godine kulturore të pafajshme, sërish Europa ia paska me inat këtij inatçiu që ankohet në faqet e “Bild”it? Po në drejtësi, mos ia ka fajin Europa Kryeministrit shqiptar që në vend të fillojë të bëjë shembuj në radhët e tij kur korrupsioni është ulur këmbëkryq në Shqipëri, ka dalë me çifte për gjah te të korruptuarit e epokës së bronzit në radhët e opozitës. Me kurbane dordolecë si Sali Berisha do t’ua mbushë mendjen ai populistëve në Europë të tregohen tolerantë me Shqipërinë se qeveria e tij po luftoka korrupsionin e madh që po e shtyn popullin të gjejë shpëtimin në mërgim?

Me Sali Berishën në burg dhe Ilir Metën të papunë, shpreson ai se shqiptarët jo vetëm që s’do largohen më, por dhe ata që kanë ikur do kthehen në parajsën e re të Edi Ramës? Akuzon Rama BE-në se kjo tallet me të për integrimin, por talljen e tij me të gjithë shqiptarët nuk e sheh? Ia ka hipur pushtetit si kalit para tetë vjetësh dhe oburra shkatërroi një institucion të tërë drejtësie pa menduar se gjykatat nuk mund të ndalojnë nga puna për një ditë e jo me vite, ashtu si njerëzit nuk mund të jetojnë pa thithur oksigjen çdo sekondë. Po të kishte qenë dhe gjithë Policia e korruptuar, ç’do kishte bërë, do ta kish lënë vendin pa rend publik siç e la pa rend gjyqësor. Po ashtu edhe me spitalet, po t’i kishte hyrë vetingut të mjekëve do t’i kishte mbyllur?

Shqiptarët dhe Europa i toleruan Edi Ramës gjithçka në këto tetë vjet me shpresë se do kishin rezultate. Por rezultatet po vonojnë si Godoja. Nuk është Europa që po vonon, është Shqipëria. Nuk është e denjë për Ramën që i ndërron rolet siç e bën në intervistën ku tregon BE-në me gisht. Kur godet televizione dhe gazeta, kur bën ligje antidemokratike për mediat në mungesë të një Gjykate Kushtetuese që t’i refuzojë ato, mos ia ka sërish fajin Europa pse i largohet vetë projektit europian? Një ligj bëri këto ditë ministri i Brendshëm francez për t’i mbrojtur më mirë policët, për t’i ruajtur ata që mos t’u nxirren emrat dhe fotot në “Facebook” nga demonstruesit, por Gjykata Kushtetuese franceze në emër të lirisë së shprehjes ia rrëzoi këtë ligj, që në fund të fundit kishte synim të mbronte ata që mbrojnë francezët.

Është ky shpirti i institucioneve europiane, me të cilin shtetbërja e Edi Ramës ndahet me vite-drite, një distancë që dhe vetë Godonë do ta kishte dekurajuar. Por kur Rama e lidh vendin këmbë e duar me koncesione, pa i dhënë llogari askujt, të paktën duke i kërkuar ok-in popullit me referendum në mungesë të opozitës në Parlament, a mos e ka sërish fajin Europa që Godoja shqiptare nuk është ende gati për një qeverisje allaeuropianshe? Por kur e la ai vendin të gjelbërohej e gllabërohej nga kanabisi, duke iu ngjitur shqiptarëve si me leukoplast një imazh të keq e të pashlyeshëm si trafikantë droge në opinionin kolektiv të popujve europianë as mos ia kishte edhe për këtë fajin Europa? Por kur valëvit flamurin e pandëshkueshmërisë ndaj Berishës dhe ish-ministrave të tij të para dhjetë vjetëve e që vetë nuk ia hiqte për qamet imunitetin ministrit të tij të Brendshëm Samir Tahirit, që drejtësia ta hetonte normalisht si në një vend normal europian, përsëri Europën do të fajësojë për standardet e dyfishta që ai vetë praktikon?

Sikur diplomatët dhe shefat e shteteve e të qeverive që kanë pasur kohë të lexonin të plotë intervistën e Edi Ramës, do të flisnin pak gjuhën shqipe, me siguri do t’i kishin thënë Kryeministrit shqiptar “a do më për Belulin”?

RAMA TË MOS PROVOKOJË BE-NË SE EDHE VIZAT MUND TË NA I RIVËNË

Përtej fabulës së Godosë, një gjë tjetër me pasoja më të rënda mund ta bëjë BE-ja . Ky Kryeministër grindavec nga Shqipëria që po u jep leksioni morali 28 shtetarëve të lartë të BE-së, jo vetëm që hapjen e negociatave rrezikon mos ta marrë, por dhe qarkullimin e lirë pa viza mund t’ua heqin herët a vonë shqiptarëve nëse situata politike, ekonomike dhe ajo e drejtësisë, në vend që të përmirësohen, degradohen edhe me shumë nën qeverisjen e tij. Në valën e këtij pesimizmi të pashoq ku i ka zhytur Rama shqiptarët, të cilët pa perspektiva, ëndrrën e vërtetë europiane e kanë të mërgojnë në Europë e jo që Europa t’u hapë negociatat, nuk do të ishte për t’u habitur, sidomos tani me fundin e pandemisë kur shqiptarët mezi presin të dalin në masë, që BE-ja të vazhdojë të kufizojë qarkullimin e lirë jo nga frika e Covidit, por e emigracionit ekonomik. A e ka menduar këtë premieri i Shqipërisë kur tregon muskujt nga Ankaraja?

Lexo edhe :   Të përmirësojmë qeverisjen apo të blejmë drona?

Intervista e Ramës arrin kulmin për të vënë duart në kokë te momenti kur shprehet si babëzitës i parave të taksapaguesve europianë: “Të jemi të qartë, ne nuk po kërkojmë të bëhemi anëtarë të Bashkimit Europian nesër apo pasnesër. Shqetësimi ynë i vetëm tani është që të marrim programet e nevojshme të ndihmës nga BE”. Si pret ky naiv që me ide të tilla të vobektësh, partitë populiste në Europë të mos vazhdojnë të bëjnë fushatë kundër integrimit të Shqipërisë, meqenëse varfanjakëve shqiptarë nuk u duhen demokracia dhe vlerat europiane, por çeku i bardhë i europianëve. Të njëjtën kërkesë bënte pa teklif e plot fodullëk disa muaj më parë Edi Rama për vaksinat. A thua se europianët i kishin ndonjë borxh. Meqenëse qenka thjesht punë parash dhe jo një projekt real për të asimiluar vlerat europiane, pse nuk e ngre zërin Edi Rama t’i kërkojë dollarë dhe vaksina në masë aleatit të tij më të madh, SHBA-ve? Por ky është debat tjetër.

Lexo edhe :   “Tre tenorëve” të opozitës nuk ka kush t'i shkruaj

BE-JA ËSHTË MËSE E PRIRUR TË NA HAPË NEGOCIATAT

Shqipëria e sotme që është në këtë gjendje për faj të Ramës dhe të Berishës që i parapriu u ka “mbetur në derë” europianëve, të cilët janë të prirur të bëjnë gjithçka në dorë të tyre për t’i ndihmuar shqiptarët viktima të politikanëve të tyre. Ashtu si miqtë i zgjedh, por jo anëtarët e familjes, edhe Europa është e detyruar ta pranojë Shqipërinë dhe Ballkanin Perëndimor në një moment të caktuar sepse kjo zonë është pjesë e familjes së madhe europiane.

Fakti që Europa nuk ia ka me hile Shqipërisë dhe as partitë populiste në Europë nuk janë veresie anti-Ballkan apo anti-Shqipëri duket fare qartë në një situatë fare të thjeshtë: sikur Zvicra apo Islanda të bëjnë kandidatura për të hyrë në BE, a do të kishte një “Le Pen” në Europë që do të thoshte jo? Andaj Rama t’i lërë këto teorira se Europa nuk e do më zgjerimin dhe po na bën të presim siç pritej Godoja e Samuel Beketit. Europa heziton të zgjerohet vetëm në ato vende që nuk i përmbushin standardet e saj. Kjo po, është e vërtetë dhe logjike. Le ta bëjë Rama Shqipërinë jo një Zvicër të dytë, por të paktën një Maltë të dytë dhe puna e integrimit zgjidhej fare kollaj. Nuk ka asnjë justifikim që një ishull i vogël si Malta dhe i izoluar gjeografikisht të jetë më i mirëqeverisur se Shqipëria. Topi është në fushën e Kryeministrit të Shqipërisë dhe në atë të BE-së.

TURQIA, FAKTOR PËR HAPJEN E NEGOCIATAVE ME SHQIPËRINË?

Sado paradoksale që mund të duket Erdogan,i mund të jetë në këto momente “faktori X”, që do të mundësonte hapjen e konferencës së e parë ndërqeveritare midis BE-së dhe Shqipërisë/Maqedonisë së Veriut. Siç u tha më sipër, sado e pakënaqur të jetë BE-ja me përparimet prej breshke të Shqipërisë, ajo ka vullnetin të hapë sa më shpejt negociatat me të, me qëllim që të mos të lihet fati i Shqipërisë në duart e liderëve populiste nëse ato fitojnë në zgjedhje në vendet me të rëndësishme europiane në muajt e ardhshëm. Por Shqipëria është e lidhur në këtë moment si dy vëllezër siamezë pas Maqedonisë së Veriut, e cila nga ana e saj është viktimë e vetos së Bullgarisë që i bllokon hapjen e negociatave. Që të kuptohet konflikti aktual bullgaro-maqedonas, të imagjinojmë sikur në Shqipëri tekstet e historisë të mos jenë ndryshuar që nga koha e regjimit të Enver Hoxhës.
Dhe në këto tekste Greqia të trajtohet me fjalorin e ishregjimit komunist të Tiranës si një vend fashist, keqbërës ndaj Shqipërisë, se shqiptarët ekzistonin më para grekeve etj.,etj. Këtë i kritikon pak a shumë Bullgaria Maqedonisë së Veriut, ekzistencën e një fjalori antibullgar në jo vetëm në mediat maqedonase, por edhe në tekstet shkollore dhe në diskursin politik. Por më shumë se Maqedonia e Veriut dhe fryma antibullgare atje, Bullgaria ka një problem edhe më të madh në këtë moment. Pamundësinë për të krijuar një qeveri të re pas zgjedhjeve të prillit 2021. As partia në fuqi e konservatorit Borisov, as opozita, nuk kanë maxhorancën të vetme apo në koalicion për të krijuar një qeveri të re pas zgjedhjeve të fundit. Në këto kushte, zgjedhje të reja të parakohshme do të rimbahen shumë shpejt, këtë muaj korrik në Bullgari. Si në shumë vende të tjera, edhe peizazhi politik bullgar e ka një parti “king maker”, që mund të ndryshojë fatin e koalicioneve siç janë partitë shqiptare në Maqedoni. Në Bullgari, kjo është partia e minoritet turk, MLD, që peshon 10%, ose 30 vende aktualisht në Parlament, një peshë jo e vogël kur vetë partia më e madhe, ajo në fuqi e Kryeministrit Borisov ka fituar vetëm 75 vende në Parlamentin bullgar prej 240 vendesh. Partia e minoritetit turk ka një rol esencial në formimin apo jo të një qeverie të re me partinë në pushtet apo opozitën. Javën e kaluar, në Ankara nuk ishte vetëm Rama për t’u takuar me Erdoganin, por dhe shefi i partisë turke të Bullgarisë, Mustafa Karadayi.

Rastësi e habitshme për më tepër që dhe intervista e Ramës në “Bild” botohet në momentin kur ai ishte në Ankara. Është më se e mundshme që Erdogan po i kërkon kryetarit të partisë së minoritetit turk të Bullgarisë që ky ta kushtëzojë krijimin e një qeverie të re bullgare me heqjen e vetos nga Bullgaria për hapjen e negociatave me Maqedoninë e veriut. Nga kjo do të përfitonte edhe Shqipëria, pasi fatet e Tiranës dhe të Shkupit janë të lidhura pazgjidhshmërisht në dosjen e integrimit. Por vështirë që Erdogan t’i imponojë në këto momente një kurs pro-maqedonas Bullgarisë nëpërmjet aleatit të tij pro-turk në klasën politike bullgare, për aq kohë sa nuk janë mbajtur në Bullgari zgjedhjet e parakohshme të korrikut dhe të shihet se sa do të peshojë në to partia turke MLD.

Gjë që do të thotë se dosja e hapjes së negociatave të BEsë me Shqipërinë do të shtyhej pas zgjedhjeve të reja bullgare, domethënë nga vjeshta. Është këtë kalendar të disfavorshëm për Shqipërinë që Edi Rama kërkon të evitojë me çdo kusht. Në shtator mbahen zgjedhjet e përgjithshme në Gjermani. Në atë moment po ashtu Franca, hyn në fushatë për zgjedhjet presidenciale të prillit 2022 ku Le Pen pritet sipas sondazheve të bëjë sensacion. Në këto dy vende kyçe të BE-së, partitë populiste po avancojnë. Veçse as AFD në Gjermani dhe as partia e Le Pen-it në Francë nuk kanë në diskurset e tyre problem të veçantë me Maqedoninë e Veriut. Por me Shqipërinë po, si vend me reputacion krimi, trafiqesh e sidomos me reputacion proturk dhe pro konferencës së vendeve islamike. Që do të thotë që kur Bullgaria do t’i hapë dritën jeshile Maqedonisë nga vjeshta, janë vendet në fushata elektorale në Europë që rrezikojnë t’i thonë jo -Shqipërisë. Për më tepër që vendi ynë në vjeshtë do të jetë në një situatë të brendshme politike edhe më të tensionuar se sot, pasi opozita mund të vërë në pikëpyetje pjesëmarrjen e saj në Kuvendin e ri, gjë që do ta ndërlikojë edhe më shumë imazhin e Shqipërisë tek europianët.
Ndaj e vetmja “frëngji” për Ramën është pa dyshim tani, qershor – korrik. Është sezoni me i volitshëm për Ramën që t’i hapen negociatat, që PD-ja të rrëzojë Bashën dhe Rama po ashtu të rrëzojë Metën, i cili në shtator mund t’ia bllokojë betimin si Kryeministër duke ia komplikuar edhe më shume pozitat Ramës te partnerët europianë . Vjeshta e ardhshme është e të gjitha rreziqeve se  Shqipëria dhe politika e saj e brendshme e rrëmujshme mund t’u shfaqet Europianëve si e paintegrueshme.

KONKLUZION

Në këto kushte, pse Rama nuk i emëroi atëherë siç duhet gjërat ne intervistën e tij duke iu drejtuar personalisht Bullgarisë dhe Kryeministrit të saj ende në detyrë, që si ballkanas të mos na pengojnë me telashet që i kane hapur Shkupit? Ç’interes kishte Rama t’i binte gjatë e gjatë për të provokuar veresie, në mënyrë totalisht të panevojshme të gjithë kryetarët e shteteve dhe të qeverive të BE-së duke i bërë ata fajtorë për moshapjen e negociatave me Shqipërinë.
A e kanë vërtetë ata fajin? Po të kishte qenë Shqipëria me nota më të mira se Maqedonia e Veriut, BE-ja do na kishte ndarë për të mirë, duke vazhduar procesin me ne deri sa të zgjidhej mosmarrëveshja Sofje-Shkup. Por europianët do t’i vriste ndërgjegjja t’ia hapin negociatat Shqipërisë që nuk e meriton dhe mos t’ia hapin Maqedonisë së Veriut që e meriton. Kjo po luhet në këto momente. Ndaj Edi Rama ta marrë për vete atë metaforën me Godonë dhe ta meditojë gjatë këtë thënie të Samual Beketit pikërisht nga pjesa teatrale “Duke pritur Godonë”, kur ai shkruan: “Sa i çuditshëm është njeriu, nxehet me këpucën, ndërkohë që fajin ia ka këmba…”. Jo, fajin nuk na e ka aspak Europa!

- Reklama -

Më shumë nga kategoria




Të fundit

Dhunohet drejtoresha në Bashkinë e Tiranës

Policia njofton se është dhunuar për shkak të detyrës Drejtoresha e Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit në Bashkinë e Tiranës. Agresori është një 34-vjeçar me...

‘Vatra’ deklaratë: Të na tregohet pse Berisha u shpall “non grata”

DEKLARATË PUBLIKE E FEDERATËS PAN – SHQIPTARE TË AMERIKËS VATRA, RRETH SHPALLJES ‘NON GRATA’ TË ISH- PRESIDENTIT SHQIPTAR DR. SALI BERISHA Federata Pan - Shqiptare...

BE heq kufizimet e udhëtimit për Shqipërinë, Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut

Vendet anëtare të Bashkimit Evropian kanë rënë dakord të mërkurën (16 qershor) të heqin kufizimet e udhëtimit për udhëtarët nga tetë vende dhe territore...

Arma më e fuqishme e Opozitës

Nga Oerd Bylykbashi Ligji i Dekriminalizimit funksionon si sahat! Një tjetër kryebashkiak i dënuar me burgim u zbulua falë tij, duhet të largohet nga funksioni...

Hodhi çantën nga dritarja e lokalit sapo pa RENEA-n, pranga 27-vjeçarit

Kontrollet e befasishme të RENEA-s në Fier për kapjen e personave në kërkim, janë finalizuar me arrestimin e një të riu. Në pranga është...