Kryeministri Edi Rama është shprehur pas mbledhjes së Kryesisë, se është i gatshëm të ulet me opozitën në tavolinë, vetëm për sfidat dhe problemet e vendit. Referuar datës së propozuar nga kreu i Shtetit, Ilir Meta, për të zhvilluar zgjedhjet, Rama nënvizoi qartësisht se njeh si datë zyrtare të zgjedhjeve vetëm 30 qershorin.
“Ne jemi të disponueshëm për t’u ulur në tryezë, për të diskutuar për sfidat e vendit dhe çka është e rëndësishme në funksion të rregullave të lojës. Përsa i përket Kushtetutës, ligjshmërisë nga njëra anë dhe mandatit tonë qeverisës sonë, nuk janë çështje që i kemi në diskutim me askënd tjetër.
Jemi një shumicë që kemi detyrim që të forcojmë kulturën e ligjit, dhe ligjshmërinë në çdo aspekt dhe që kemi detyrim që të mbajmë me nder dhe dinjitet një mandat që na është dhënë deri në 2021”, u shpreh ai.
“Zgjedhjet janë bërë në 30 qershor. Jemi shumë të angazhuar për të filluar mbarë procesin e qeverisjes vendore. Për këtë kemi ngritur edhe Këshilla drejtues, nga unë, Balla dhe Ruçi. Ky është fokusi jonë. Ne e kemi sfidën me problemet e vendit dhe të njerëzve dhe jo të opozitës jashtë parlamentare apo Presidencës. 13 tetori për mua është njëlloj si 12 tetori, 14 tetori, si 22 dhjetori, nuk njoh ndonjë 13 tetor”, vijoi më tej Rama.