Kryeministri Rama ka ashpërsuar tonet ndaj PD-së në lidhje me qendrimet e tyre ndaj rezolutës kundër raportit të Dick Martyt, si edhe ndaj rezolutës kundër gjenocidit në Srebrenicë. Rama tha se Shqipëria nuk mund të bëhet gazi i botës për shkak “të foltores dhe gojores”, duke iu referuar hedhjes poshtë fillimisht të rezolutës së propozuar nga demokratët.
“Rezoluta për Srebrenicën u miratua në ditën e Srebrenicës jo në ditën e foltores dhe gojores. Nuk keni çfarë ti beni gomarit dhe i bini samarit. Zanafilla e Dick Martyt është vota e PD në Këshillin e Europës kundrejt votës kundër të Damian Gjiknurit dhe Shpëtim Idrizit”, tha Rama.
“Thikat që i keni ngulur ju Kosovës nga dita e parë duke e masakruar UÇK-në si terrorist dhe marksiste leniniste deri në ditën e fundit, duke ia ngulur thikën në gjoks presidentit të Kosovës janë të pafundme. Hajde thoni: Hashim Thaçi është mirë aty ku është? Ju jeni thika në gjoksin e Kosovës, kështu do të mbesni sepse jeni bishti i shtrëmbër”, u shpreh më tej Rama.
Kreu i qeverisë iu drejtua me tone ironike ish-kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, gjatë seancës plenare. “A e dëgjuat? Ka qenë 8 vjet kryetar i PD-së. Dëgjuat ndonjë fjalë për Dick Martyn, për UÇK-në, për akuzën e trafikut të qenieve njerëzor? Jo. Dëgjuat vetëm për Millosheviçin dhe për mua. Por pjesën për mua duhet ta mirëkuptoni se i kam munguar shumë këtë periudhë. Këtu nuk kemi ardhur të bëjë atë që këta (opozita) të gjithë këta, se nuk dallojnë, kanë bërë sa herë i është dashur ky Parlament dhe Kosova si samar kur nuk kanë pasur çfarë t’i bëjnë gomarit. Asnjë fjalë për rezolutën që është fillimi i një beteje të vërtetë reale. Nuk duhet t’ia vini re. Dyshoj se do të ketë të tjerë që do ta përmendin dhe do të merren seriozisht me raportin e Dick Martyt. Historia e ka këtë të keqe, kur ti mendon se e ke marrë pas të vjen para”.
Basha i përgjigjet Ramës
Basha i është përgjigjur deklaratës së kryeministrit Edi Rama në Parlament, në lidhje me projekt rezolutën për të dënuar gjenocidin serb në Kosovë. Basha tha se sado që Rama të fshihet pas gjuhës që përdor në Parlament, nuk mund të bëjë aministi ndaj të shkuarës, pasi sipas tij, ajo rrezikon të përsëritet nëse nuk dënohet.
“Shqipëria nuk mund të ketë interes më të lartë dhe asgjë më të shenjtë se interesi i Kosovës. Nuk do të ketë bashkëpunim të qëndrueshëm rajonalë pa dënuar gjenocidin serb., Ndër vite ka pasur përpjekje për të manipuluar faktet, dhe për t’i ikur të vërtetave. Raporti i Dick Martyt është fake, dhe tashmë është e qartë se pas tij fshihen strukturat serbe.
Hapi i fundit ishte plani për eliminimin fizik nga struktura serbe për të fshehur gjurmët, dhe për të fajësuar sërish Kosovën. E vërteta nuk fshihet dot. Lufta e UÇK-së ishte një luftë e drejtë përballë agresionit dhe krimeve të regjimit të Millosheviçit. Askush nuk mund të barazojë viktimën me agresorin. Askush nuk mund të barazojë luftën e drejtë me masakrat dhe gjenocidin. Lufta e UÇK-së pati në krah të saj NATO-n, sepse ishte një luftë e drejtë.
Ndaj shqiptarëve po kryhej gjenocid. Ky Parlament, burrat dhe gratë nuk e fusin kokën si struci në rërë. Nuk duhet të ngurojnë për të votuar këtë dënimin e këtij gjenocidi. Ky nuk ka për qëllim për të mbetur pengje të së shkuarës së dhimbshme, por për t’i hapur rrugën të ardhmes. Çdo qëndrim tjetër ndaj Serbisë. Sado të fshihet pas gjuhës së shthurur është një amnisti ndaj të shkuarës, që rrezikon të përsëritet nëse nuk dënohet. Jemi në krah të përpjekjeve të Kosovës”, tha Basha.