Nga: Lisen Bashkurti
Vizitat e Kryeministrit Shqiptar Edi Rama në Turqi dhe takimet e tij me Presidentin Turk Erdogan janë bërë kaq të shpeshta dhe të rëndomta saqë është zor të tërheqin vëmendjen e shumkujt në Shqipëri dhe jashtë saj. Duke e njohur këtë rëndomësi dhe me qëllim që të tërhiqnin vëmendjen e mërzitur të shqiptarëve me këtë “dyshe Ballkanike” Rama-Erdogan, të dy palët u kujdesën që takimi i fillim vitit 2021 të ishte disi ndryshe. Ai ishte organizuar me një protokoll ta lartë ceremonial, pompoz, madhështor, plot festivitet e bukuri, ku gërshetoheshin elementët e ceremonialit klasik diplomatik me ato të ritualeve tradicionale turko-osmane, ku benzi-mercedez shoqërohej me kuajt e Azisë Qëndrore, ku kostumet moderne të protagonistëve kryesor përziheshin me qallmat e pelerinat osmane të ushtarakëve gradianë të shtetit.
1. Nga Bizanti, protokoll luksoz e korruptiv, për imazh e spiunazh
Rëndësia e pompozitetit ceremonial e protokollar Osman e më pas turk është trashëgimi e Perandorisë Bizantine, ku protokolli për pritjen e të huajve ishte pjesë integrale e imazhit të mashështisë, fuqisë, pasurisë, organizimit, diturisë, kulturës tërësisht imponuese e mbresëlënëse. Në Bizant mysafirët e huaj priteshin me një protokoll të jashtëzakonshëm. Ato ndjeheshin si në ëndërr ose si në parajsë, të rrethuar me respekt, përulësi, mirënjohje, të veshur plot ngjyra e tinguj, plot valle e muzikë, në sallone plot shandane të arta e me gur të cmuar që vezullonin para syve të të huajve.
Mysafirët gostiseshin me dreka e darka marramendëse, ku nuk mungonin ushqime nga gjithë bota, e që shoqëroheshin me muzikë, danc e akrobaci të larmishme. Mysafirët akomodoheshin në zonat më luksoze të oborrit Perandorak, diku pranë rezidencës së Perandorit, në mjedise të shtrenjta, të rehatshme, clodhëse dhe argëtuese. Mysafirit në Bizant i ofrohej gjithcka. Atij nuk i mungonte asgjë.
E, në fund të vizitës, si të mos i mjaftonte e gjithë kjo pritje tejet e kushtueshme, mysafirit në Bizant i jepeshin dhurata të cmuara dhe të shumta me vete, si paketë korruptuese. Korrupsioni i lartë ishte pjesë e protokollit Bizantin, ishte mekanizëm i kapjes së mysafirëve nga Perandoria, i rekrutimit dhe përfshirjes së tyre në rrjete e veprimtari spiunazhi Bizantin.
Pra, ceremoniali prokollar Bizantin kishte dy qëllime madhore: së pari, me luksin, madhështinë, bukurinë dhe estravagancën e lartë donte të impononte imazhin e një Perandorie të fuqishme dhe të pasur mbi mysafirët e huaj. Dhe, së dyti, me paketën e dhuratave të shumta e të cmuara synonte të realizonte kapjen e mysafirëve dhe rekrutimin e tyre si pjesë e rrjetit të spiunazhit dhe të veprimtarisë së tij në mbështetje të Bizantit.
Për njëmijë vjet Perandoria Bizantine jetoi në paqe dhe në luks vetëm me përafërsisht 100 mijë ushtarë dhe e rrethuar gjithandej me barbarë.
Pa armë dhe pa ushtri por vetëm me luks, pasuri, diplomaci dhe spiunazh Perandoria Bizantine ishte dhe mbetet rasti unik në historine botërore të Perandorive, që mbijetoi dhe sundoi një mijë vjet. Në këtë mbijetesë e sundim, ceremoniali protokollar luksoz dhe korruptiv ishte instrument thelbësor i dy institucioneve: i diplomacisë dhe i spiunazhit. Diplomacia luante me imazhin e fuqisë e pasurisë ndërsa spiunazhi luante me kapjen dhe rekrutimin e mysafirëve të huaj për interesa të Perandorisë Bizantine.
Perandoria Osmane e ruajti me kujdes këtë trashëgimi Bizantine. Turqia e re e Mustafa Kemak Ataturkut e thjeshtësoi këtë trashëgimi, duke e modernizuar e përshtatur me diplomacinë Perëndimore. Mirëpo, Presidenti Erdogan, duke synuar doktrinën e Dautoglusë për rritje të influencës dhe prezencës neo-otomane mbi ish-territoret e Perandorisë Otomane nga Azia Qëndrore deri në Ballkanin Perëndimorë, po e ringjall traditën Osmane të mbështetur mbi diplomacinë dhe spiunazhin Bizantin, që ishte imazh-bërës dhe korruptiv.
2. Tam-tame e tambure, një qese si poture
Nuk do e bënin këtë parashtresë mbi ceremonialin protokollar Osmano-turk të trashëguar nga Bizanti nëse nuk do shihnin substancën e takimit bilateral Rama-Erdogan, pra produktin që prodhoi e gjithë kjo pritje me tam-tame e tambura. Pesha, rëndësia dhe vlera reale e takimeve samit midis drejtuesve të lartë të shteteve duket e matet me produktin që krijojnë. Ky produkt lidhet me aktet politike, diplomatike, ushtarako-strategjike, ekonomike-tregëtare, arsimore-kulturore e shpirtërore që bisedohen, dialogohen, negociohen e së fundi finalizohen me firmën e dy përfaqësuesve të lartë.
Cfarë prodhoi takimi Rama-Erdogan? Pa pezhorativizëm mund të shprehemi se ngjante me shprehjen tonë popullore “u mbars mali dhe polli një mi”. Përvec lumit të fjalëve për “vëllazëri muslimane” e lidhje “tradicionale shekullore” që i paraprinë dhe shoqëruan gjithë takimin u firmos krijimi i Këshillit të Partneritetit Strategjik – fjalë të mëdha, të rënda, por në thelb pa qartësi qëllimore, objektivash, planesh veprimi etj. Ajo që u lexua kishte të bënte me një lloj paraleleje me aktin e partneritetit strategjik Serbi-Rusi dhe me një lloj karshillëku ndaj Bashkimit Evropian. Duket se Shqipëria dhe Serbia po luhaten në trajektore dy-vektorëshe midis Perëndimit dhe Lindjes, me një ndryshim: Serbia po anon më së shumti nga Rusia, ndërsa Shqipëria po anon më së shumti nga Turqia. E përbashkëta është se të dy palët, Shqipëria dhe Serbia po i rikthehen avazit të vjetër të shekujve të kaluar, përballë dështimeve të reja të shekullit tonë.
Marrëveshjet e tjera për 100 të sëmurë që do mjekohen në Turqi, për spitalin e Fierit, për restaurimin e Xhamisë së plumbit në Shkodër dhe për universitetin teknik të Stambollit dhe atij Nju Jork Tirana me 100 studentë ishin një kontorno pa pikë rëndësie për “peshën e rëndë të ceremonialit” samit midis dy krerëve të shteteve.
E si kushtëzim për këto marrëveshje cingërimash u vu, si gjithherë lufta e përbashkët kundër Feto-s që Erdogani, ndryshe nga Perëndimi dhe pjesa më e madhe e botës e quan “organizatë terroriste”. Bazuar në evidenca, të dhëna e fakte Feto ndërkombëtarisht nuk konsiderohet organizatë terroriste, bizneset e saj në Shqipëri janë legale, të fiskalizuara, korrekte, njerëzit që punojnë në këto biznese janë lokalë dhe të huaj nga shumë vënde të botës, të ndershëm, profesionistë, me integritet dhe jetojnë e punojnë në respekt të plotë të ligjit kombëtar dhe ndërkombëetar.
3. Epilogu
Vizitat e Kryeministrit Shqiptar Edi Rama në Turqi dhe takimet e tij me Presidentin Turk Erdogan janë kronika të rëndomta që po ndodhin herë pas here. Ato nuk tërheqin më vëmendjen e shumkujt në Shqipëri dhe jashtë saj. Por në takimin e fillim vitit 2021 “dyshja Ballkanike” Rama-Erdogan patën një takim disi ndryshe. Të ndërtuar me një protokoll ceremonial pompoz, madhështor, plot festivitet e bukuri, ku gërshetoheshin elementët e ceremonialit diplomatik klasik me ritualet tradicionale Osmano-Turke, ku benzi-mercedez Gjerman shoqërohej me kuajt e Azisë Qëndrore, ku kostumet moderne të protagoniztëve kryesor përziheshin me qallmat e pelerinat osmane të ushtarakëve gradianë të shtetit – gjithcka nisi me një prolog të lartë e madhështor, por përfundoi me një rezultat të vogël e të rëndomtë. Ishte thjeshtë një koncesion politik reciprok midis dy krerëve: Erdogani për konsum politik të brëndshëm dhe gjeopolitik Ballkanik, Rama për fushatë elektorale të brëndshme dhe karshillëk Evropian.