Kryeministri Edi Rama ka njoftuar se Shqipëria aktualisht po furnizohet nga Turqia me mjete mbrojtëse, për personelin shëndetësor.
Ai bën me dije me anë të një postimi në “Facebook”, se aeroplani i “Air Albania” me emrin “Lasgushi” ndodhet në Stamboll, ku po merr mjetet mbrojtëse.
Pak ditë më parë, Rama kontaktoi dhe me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ndërsa ky i fundit i kishte garantuar ndihma në raste nevoje.
“LASGUSHI NË KËTË ÇAST DUKE U NGARKUAR NË STAMBOLL ME ARMË PËR MBROJTJEN E JETËS SË PACIENTËVE DHE MJEKËVE TANË”, shkruan Rama bashkëngjitur fotove në fjalë.
Nga mbrëmja e të martës jemi zyrtarisht në gjendje të Fatkeqësisë Natyrore. Vendimi i qeverisë nënkupton mes të tjerash kufizimin e të drejtave të qytetarëve që më herët ia garantonte Kushtetuta, por që konsiderohen të domosdoshme për ruajtjen e shëndetit, nga rreziku i koronavirusit.
Tashmë organi më i lartë në menaxhimin e situatës është Komiteti Ndërministror i Emergjencave Civile, i njëjti organ që ishte ngritur pas tërmetit të 26 Nëntorit, por që funksiononte për Durrësin, Lezhën dhe Tiranën.
Komiteti do të kryejë koordinimin për përballimin e Fatkeqësisë Natyrore, për shkak të epidemisë së shkaktuar nga COVID-19, deri në 30 ditë nga shpallja e gjendjes së Fatkeqësisë Natyrore, thuhet në vendimin e Këshillit të Ministrave.