Shqiptarët që jetojnë prej 30 vitesh në Greqi, do të përfitojnë pension të plotë. Në parlamentin grek po diskutohet projektligji për uljen e pragut të pensioneve për emigrantët shqiptarë, dhe ata nga vendet e ish-Bashkimit Sovjetik.
Me dispozitën e re, të gjithë shqiptarët që kanë të paktën 30 vite në Greqi, do të mund të përfitojnë pension të plotë kombëtar. Vlen të theksohet fakti se më herët pragu ka qenë 40 vite. Vala e emigrantëve shqiptarë drejt shtetit tonë fqinj u bë pas rrëzimit të regjimit komunist, dhe hapjes së kufijve në vitin 1990.
Sipas projektligjit, të gjithë emigrantët shqiptarë që jetojnë atje që prej vitit ’90, ’91 apo ’92 do të përfitojnë pension kombëtar 100% si shtetasit grekë.
Shoqatat e përfaqësuesve të emigrantëve në Greqi, kërkuan që pensioni i plotë për ta të jepet edhe nëse kanë 20 vite që jetojnë në shtetin helen, në vend të 30 viteve siç ka propozuar qeveria e Mitsotakis-it.