Bota

Qeveria e re greke do kushtëzojë Shqipërinë për çeljen e bisedimeve të anëtarësimit në BE

               Publikuar në : 15:52 - 13/07/19 S.N

Nga Alexandra Voudouri & Ioannis Armakolas “Euractiv”

Pas rikthimit në pushtet të Demokracisë së Re (ND) në Greqi, në Bruksel, Berlin dhe Uashington ka shqetësime lidhur me ndryshimet, që mund të pësojë politika greke ndaj fqinjëve në Ballkan. Në rrezik është fati i marrëveshjes historike mbi çështjen e emrit të Maqedonisë së Veriut, të nënshkruar nga qeveria e majtë e SYRIZA-s me qeverinë e Zoran Zaevit në qershorin e vitit 2018, një ngjarje që u vlerësua si lajmi më i mirë që ka ardhur ndër vite nga Ballkani vazhdimisht i trazuar.

Për më tepër, analistët po pyesin se deri në çfarë mase grekët do t’i rikthehen politikave të vjetra në rajon, duke minuar në këtë mënyrë momentin pozitiv që ndihmoi në arritjen e marrëveshjes historike mes Athinës dhe Shkupit. Dhe shqetësimet janë më se të justifikuara, pasi Demokracia e Re e ka kundërshtuar marrëveshjen, duke votuar kundër saj në parlament, ndërsa udhëheqësi i saj Kyriakos Mitsotakis, e ka cilësuar shumë herë si të “të turpshme” teksa zyrtarët e partisë së tij e etiketuan si një “tradhti kombëtare”.

Në një farë mase, qëndrimi i ND diktohet nga fakti se shumica e publikut (60 për qind), dhe votuesve të kësaj partie (80 për qind), e refuzojnë këtë marrëveshje. Pati ndërkohë shqetësime se partitë e të djathtës, do të merrnin shumë vota në kurriz të Demokracisë së Re, nëse kjo e fundit do ta pranonte marrëveshjen në fjalë.

Por, shumica e qartë që mori Mitsotakis në zgjedhjet e së dielës së shkuar, mund të nënkuptojë mbizotërimin e një politikë të jashtme të moderuar. Nikos Dendias, ministri i sapoemëruar i Punëve të Jashtme, konsiderohet gjithashtu një politikan i moderuar, edhe pse ai nuk ka përvojë të mëparshme në këtë fushë.

Qëndrimet e Mitsotakis, kanë shkaktuar mosbesim tek aleatët perëndimorë të Greqisë, por tani ai pritet të punojë për riparimin e raporteve me Berlinin dhe Uashingtonin, dhe zbutjen e tensioneve me Brukselin. Nuk është rastësi që pas zgjedhjeve evrpiane të majit, kur u bë e qartë se ND do të fitonte me lehtësi edhe në zgjedhjet parlamentare, zyrtarët e kësaj partie e zbutën retorikën kundër Marrëveshjes së Prespës.

Mitsotakis ka deklaruar vazhdimisht se “ne biem dakord, por do ta respektojmë marrëveshjen”.

Kryeministri i ri nuk pritet të krijojë ndonjë pengesë në këtë aspekt, madje ai ka më shumë gjasa të provojë ndërmarrjen e disa ndryshimeve kozmetike në marrëdhëniet e reja me Maqedoninë e Veriut.

Zbatimi i marrëveshjes, do të përcaktojë qëndrimin e Demokracisë së Re për perspektivat evropiane të Maqedonisë Veriore. ND, ka paralajmëruar se Athina do të jetë e gatshme të shprehë vërejtjet e veta apo vendosë veton mbi përparimin në bisedimet e anëtarësimit në BE të Maqedonisë së Veriut, por jo ndaj fillimit të tyre.

“Fatkeqësisht, nëse dikush e interpreton në mënyrë strikte Marrëveshjen e Prespës, vendi ynë nuk ka mundësi të vendosë veton ndaj çeljes së negociatave të pranimit të vendit fqinj”- tha Mitsotakis në një konferencë për mediat në muajin qershor.

Ai ka paralajmëruar, se qeveria e tij mund të bllokojë kapitujt negociues të Maqedonisë së Veriut, si një lloj mekanizmi presioni për zbatimin e marrëveshjes. Kur Këshilli Evropian të mblidhet në tetor, për të vendosur nëse do të miratojë një datë për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit për Maqedoninë e Veriut, Greqia ka të ngjarë të ndjekë linjën e vendosur nga të tjerët.

“Ne do të shohim sesi do të ecin gjërat lidhur me këtë çështje”- tha Mitsotakis, duke lënë të kuptohet se ai do të ndjekë qëndrimin e Francës, Holandës dhe Danimarkës, nëse këto vende do të vazhdojnë ta bllokojnë fillimin e negociatave të pranimit me Maqedoninë e Veriut.

Por në rast se ka një unanimitet për dhënien e një date konkrete për nisjen e bisedimeve, Greqia ka të ngjarë të mos bëhet pengesë. Ministri i Jashtëm në hije i Demokracisë s Re, Giorgos Koumoutsakos, sqaroi disa muaj më parë se partia e tij nuk do të pranonte fillimin e negociatave të anëtarësimit për Shqipërinë.

Duket se Demokracia e Re, është e prirur të bllokojë shpresat evropiane të Shqipërisë në tetor,  dhe ndoshta të favorizojë ndarjen e dy vendeve fqinje, në rast se ka unanimitet në Këshillin Evropian vetëm për Maqedoninë Veriore. Fokusi i Greqisë, do të vazhdojë të jetë tek kriza politike atuale në Shqipëri, dhe rekordi i saj në luftën korrupsionit dhe ndërtimit të shtetit ligjor.

Por mbi të gjitha, shqetësimet kryesore kanë të bëjnë me mbrojtjen e të drejtave të pakicës greke në Shqipëri, një çështje qartësisht shqetësuese për ND. Ajo që e ndërlikon më shumë këtë çështje, është se trajtimi i pakicës greke në Shqipëri, është një çështje tejet emocionale, që tërheq gjithmonë një vëmendje të madhe mediatike, dhe prodhon vetiu presion mbi politikën.

Kjo është një çështje që e “kanë më për zemër” votuesit e krahut të djathtë të Demokracisë së Re.

Ajo që mbetet për t’u parë, është nëse qeveria e re do të përpiqet t’i adresojë mosmarrëveshjet greko-shqiptare, teksa bisedimet dypalëshe janë futur në një ngërç, pas një dialogu premtues të ndërmarrë qeveria e SYRIZA-s në vitin 2017. Problemet dypalëshe përfshijnë ndër të tjera, përcatimin e kufirit detar, dhe dhënien fund të gjendjen së luftës mes dy vendeve, që ekziston që nga vitet 1940.

Qeveria e mëparshme e Demokracisë së Re, arriti një marrëveshje mbi kufirin detar mes 2 vendeve në vitin 2009, por ajo u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë. Zyrtarët e ND thonë se marrëveshja është e panegociueshme, dhe asaj mund t’i bëhen vetëm disa ndryshime të vogla.

Kundërshtari kryesor i marrëveshjes mbi kufirin detar, ka qenë udhëheqësi i atëhershëm i opozitës, Edi Rama, që sot është kryeministër. Mbetet për t’u parë nëse qeveria e re, do të vendosë kushte tepër të ashpra për shpresat e Shqipërisë për t’u anëtarësuar në BE, si dhe për sheshimin e mosmarrëveshjeve dypalëshe.

Ka shumë të ngjarë që ND të zbatojë taktikën e zakonshme të “shkopit dhe karotës”; në këtë rast, shkopi lidhet me çështjet e pakicës etnike greke, dhe karota me shanset e anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Pavarësisht këtij raporti kompleks, Greqia duhet të mbajë gjallë shpresat e pranimit të Shqipërisë në union, në një periudhë kur zgjerimi po kundërshtohet gjithnjë e më shumë brenda BE-së.

Një zbehje e mundësive të hyrjes në BE të Shqipërisë, nuk do të ishte aspak në dobi të Greqisë, pasi kjo do të minonte stabilitetin e Tiranës, dhe kësisoj dobësonte mekanizmin evropian mbi politikën shqiptare. Për më tepër, Greqia, do të ishte me siguri e shqetësuar nga lëvizjet drejt një bashkimi të Shqipërisë me Kosovën, të cilat sigurisht do të shtohen nëse bien ndjeshëm shpresat e Tiranës për hyrjen në BE.

Kështu, Greqia do të përpiqet të arrijë një ekuilibër mes ruajtjes së një presionit të fortë politik mbi Shqipërinë, dhe mbajtjes gjallë të perspektivës së saj evropiane. Ky është realisht një mision shumë sfidues./ TIRANA TODAY

Kthehu
WhatsApp Denonco ne TT