Kryeministri Rama i ka kthyer një përgjigje presidentit Ilir Meta, pas akuzave të forta që ky i fundit bëri dje në emisionin “Zonë e Lirë”. “Qen bir qeni”, e quajti Meta-kryeministrin Rama. Nga Kukësi ku po inspekton punimet për ndërtimin e aeroportit, Rama i është kthyer me të njëjtën gjuhë Metës.
Rama tha se presidenti është kthyer në lolo. Kryeministri sqaroi edhe votën e socialistëve për ta zgjedhur në atë kohë si kreun e shtetit.
“Çfarë kërkon Ilir Meta dhe Monika nga Shqipëria? Nuk rri dot pa krijuar sherr çdo ditë. Ai fut në sherr dy, që të dalë i treti për paqe. E bën shqiptarët kryeministër, kryeparlamentar dhe president. Edhe unë edhe ne, kemi dhënë votën, por ishte me votat e tija në Parlament. Pa votat e tij nuk bëhej president. Isha i qartë për rolin e Metës edhe tek çadra e PD. Hidh gurin, fshih dorën. Në i dhamë presidentin opozitës. Ilir Meta është kthyer në lolo. Nuk do të thotë se ka qenë lolo në të shkuarën”, tha Rama.
Kundërpërgjigjja e Ramës vjen pasi Meta shpërtheu mbrëmë në fyerje ndaj kryeministrit, të cilin e quajti “qen bir qeni”.
“Nuk merrem me atë qen bir qeni unë, se e di ai fuqinë time, se po të dua unë, ai të gjejë vrimë ku të futet. Ilir Meta ka aq shumë fuqi sa ta bëjë atë që mos të ketë vrimë ku të futet. Se unë kam popullin me vete, popullin që vuan. Nuk jam me oligarkët unë. Ky është roli im, t’i dal për zot Kushtetutës.
Një njeri që izolon vendin qëllimisht, që largon të rinjtë nga vendi me qëllim, që i thotë gjeneralëve të ushtrisë, mos shko te Ilir Meta, si mos ta quash qen bir qeni. Shteti është marrë peng nga një bandë, e kontrolluar nga Sorosi, se s’dua të nxjerr emrat këtu, edhe ata analistë që marrin lekë, se nuk e kam me ata”, tha Meta.