E enjte, 2 Dhjetor, 2021
11.5 C
Tirana

Pse ndonjëherë na duket sikur smartfonët tanë na përgjojnë?

Reklamat që shohim në internet janë gjithnjë e më të sakta, aq shumë të përshtatura sipas interesave tona mbi ato që do të dëshironim të blinim, sa që disa njerëz besojnë se ekzistojnë disa aplikacione për smartfonë që përgjojnë vazhdimisht bisedat tona pa dijeninë tonë, në mënyrë që më pas të na ofrojnë reklama gjithnjë e më të personalizuara.

Kjo është një teori konspirative që ka fituar një vëmendje të caktuar, sidomos tek ata që nuk u zënë besë disa prej kompanive më të mëdha të internetit si Facebook, që vitet e fundit ka pasur probleme të mëdha me mbrojtjen e privatësisë së përdoruesve të tij, duke u bërë objekt kritikash nga autoritetet por edhe skandalesh të ndryshme.

Por në realitet, siç është edhe treguar në disa raste, Facebook dhe të tjerët nuk kanë nevojë që të përgjojnë atë që themi, për shkak se këto kompani kanë tashmë mjaftueshëm burime të tjera në dispozicion për të gjurmuar në çdo kohë aktivitetin tonë në internet.

Besimi se disa nga aplikacionet që i kemi shkarkuar në telefonat tanë inteligjentë, spiunojnë bisedat tona, vjen nga përvoja më se të zakonshme, të cilat ndoshta i kemi përjetuar të gjithë.

Ne bisedojmë me një mikun tonë mbi një produkt të caktuar, si për shembull një palë këpucë që kemi parë në një dyqan, dhe disa minuta më vonë na paraqitet një reklamë këpucësh në Instagram, Facebook apo në ndonjë faqe tjetër me reklama.

Kësisoj arrijmë në përfundimin se një aplikacion në smartfonin tonë e ka përgjuar bisedën dhe më pas e ka përdorur atë informacion për të na treguar reklamën e këpucëve. Përdorimi i një sistemi të tillë, do të shkelte jo vetëm ligjet e privatësisë në shumë vende, por do të ishte e vështirë të zhvillohej nga ana teknike, dhe shumë i kushtueshëm për tu mirëmbajtur, nëse shumëzohet për shembull me qindra miliona smartfonë në të cilët është instaluar aplikacioni Facebook.

Në fakt, kompanitë e reklamave në internet përdorin informacione shumë më të thjeshta dhe më të arritshme për t’i përshtatur reklamat e tyre me interesat tona. Ato e bëjnë këtë gjë duke përdorur të dhëna që ua kemi dhënë ne vetë, ndoshta edhe pa qenë shumë të vetëdijshëm për këtë gjë.

Mjete të sofistikuara të gjurmimit, i japin mundësi Facebook ose Google që të identifikojnë interesat tona edhe kur nuk i kemi kërkuar kurrë në rrjetet sociale apo në motorët e kërkimit, dhe këtë e bëjnë duke përdorur të dhëna në lidhje me lëvizjet, zakonet tona, madje edhe frekuencat tona.

Sistemi më i përhapur, dhe në bazë të funksionimit të shumicës së faqeve, është ai i cookies, skedarët e vegjël që instalojnë uebsajtet brenda programit tonë për të lundruar (shfletuesit si Chrome ose Firefox). Për të kuptuar se si funksionojnë cookies, duhet të rikthehemi në fillimet e uebit, kur faqet ishin shumë më të thjeshta sesa sot.

Në atë kohë faqet nuk kishin asnjë kujtesë dhe ky ishte një problem i madh, sidomos nëse dëshironit të blini diçka në internet, pasi nuk kishte asnjë mënyrë sesi një “karrocë virtuale” t’ju kujtonte produktet e vendosura brenda saj. Serveri, që mundësonte funksionimin e sajtit, nuk kishte asnjë mënyrë për të njohur të njëjtin përdorues midis një kërkese dhe një tjetre.

Ndaj në vitin 1994, një zhvillues i Netscape, kompania më e përdorur e shfletuesve në atë kohë, gjeti një mënyrë për të zgjidhur problemin.

Ai mendoi se zgjidhja më e mirë ishte lejimi i kompjuterave individualë të bënin pjesën më të madhe të punës, dhe kësisoj nuk do të mbingarkoheshin serverat. Zhvilluesi krijoi një skedar të vogël, një cookie që instalohet vetë në shfletuesin tuaj kur ju vizitoni një faqe te caktuar.

Cookie ka një sistem unik identifikimi për secilin përdorues dhe në këtë mënyrë faqja mund të kujtojë se kush po e viziton dhe veprimet që po kryen përdoruesit në fjalë, siç është mbushja e “karrocës elektronike” me disa produkte.

Zgjidhja e re e ndryshoi uebin për më mirë, duke ndihmuar në transformimin e tij nga një sistem i përdorur kryesisht për konsultime, në një vend ku mund të bashkoheni në komunitete virtuale, të blini në internet ose të regjistroheni për lloje të ndryshme shërbimesh.

Me kalimin e kohës, përdorimi i cookies në disa faqe është rritur shumë, me sisteme gjithnjë e më të sofistikuara për të shfrytëzuar informacionin e përdoruesve individualë për qëllime tregtare, duke ndërvepruar edhe me palë të treta siç janë sot platformat e mëdha të teknologjisë.

Pra, falë cookies dhe sistemeve të tjera të gjurmimit, këto platforma janë në gjendje të formojnë një ide shumë të saktë të zakoneve tona, të gjërave që na pëlqejnë, të atyre që mund të blejmë, si dhe temat që na interesojnë. Sistemet e tyre nuk janë të pranishme vetëm në site, por edhe në aplikacione, që nga ana tjetër mbledhin më shumë të dhëna për ne, siç është vendndodhja jonë gjeografike.

Teknikisht i gjithë ky informacion është anonim, dhe platformat pretendojnë se nuk kanë asnjë mënyrë për të zbuluar identitetin e përdoruesve individualë. Gjithsesi, tani është dëshmuar gjerësisht se sasia e madhe e të dhënave të mbledhura, u jep atyre mundësi të krijojnë një ide shumë të saktë të përdoruesve.

Një studim i kryer rreth 3 vjet më parë në Universitetin Northestern (Boston, Shtetet e Bashkuara), analizoi mijëra aplikacione për smartfonët Android, shumë prej të cilëve janë të pajisur me sisteme që i dërgojnë informacione Facebook.

Studimi provoi se asnjë nga aplikacionet, përfshirë edhe ato të vetë rrjetit social, nuk kishin përdorur fshehurazi mikrofonin e telefonave inteligjentë. Në disa raste, vetë Facebook e ka mohuar akuzën se përgjon pa autorizim bisedat e përdoruesve të saj, duke kujtuar se një dëgjim i vazhdueshëm i qindra miliona telefonave inteligjentë, do të nënkuptonte një koleksion të paktën 30 herë më të madh të të dhënave se sa ai aktual. Për më tepër, nëse mikrofoni do të ishte vazhdimisht aktiv, pronarët e smartfonit do të vërenin një rënie të ndjeshme të baterisë.

Burimi i lajmit: ilpost. Përshtati: TIRANA TODAY

- Reklama -

Më shumë nga kategoria




Të fundit

Haklaj plas ‘bombën’: Noka do tentojë të pushtojë selinë e PD më 12 dhjetor

Ish-kryetari i PD-së në Tropojë, Azgan Haklaj, ka lëshuar një deklaratë të fortë teksa ka thënë se Flamur Noka po përgatit strukturat për të...

Tensionet Rusi-Ukrainë, Lavrov dhe Blinken takim ‘kokë më kokë’

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken dhe Ministri i Jashtëm rus Sergey Lavrov, u takuan të enjten në Stokholm, Suedi, mes shqetësimeve në rritje...

Nëse “Foltorja” është demokraci, atëherë PD e meriton Berisha&Bashën

Nga: Ben Andoni Nëse në fillim njerëzit e PD-së mundoheshin të gjenin atë të veçantën dhe mënyrën sesi do të mbrohej Berisha me etiketimin “Non...

Ben Blushi dorëhiqet nga drejtimi i “Top Channel”

Ben Blushi ka dhënë dorëheqjen nga "Top Channel", media e njohur të cilën e drejtonte prej katër vitesh. Nga sot ai nuk është më...

Komiteti Teknik publikon masat e reja, çfarë do ndodhë nga 4 janari

Pas rritjes së rasteve dhe shtrirjes së madhe në mbarë botën si pasojë e variantit Omicron, Komiteti Teknik i Ekspertëve ka vendosur që të...