Pse Evropa është në panik rreth vaksinave

Nga: Ferdinando Giugliano “Bloomberg”

Dështimi i Komisionit Evropian me shpërndarjen e vaksinave anti-Covid, është mbi të gjitha një shqetësim i tmerrshëm për shkak të kostos së mundshme mbi jetën e njerëzve. Gjithashtu, ai po rrezikon që të dëmtojë reputacionin e Brukselit mbi kompetencën teknokratike që ka në lidhje me qytetarët e vet, duke u dhënë kësisoj një impuls të ri forcave euroskeptike.

Kjo gjë mund të zbehë peshën e “markës”së Bashkimit Evropian në botë, sidomos në ato vende që mund të përpiqen të kenë qasje tek vaksinat jetë-shpëtuese, për shkak të çdo lloj kufizimi mbi eksportin e tyre që mund të vendosë Bashkimin  Evropian.

Në një periudhë afatgjatë, kjo mund të dëmtojë akoma më shumë ekonominë e Evropës, e cila po tenton të rimëkëmbet pas një viti të vështirë plot pasiguri dhe bllokime për shkak të pandemisë.

Vendosja e bllokadave të vaksinave në fund të javës së kaluar, solli një lloj emergjence politike për presidenten e Komisionit Ursula von der Leyen dhe kolegët e saj. Mjerisht, ata bënë shumë pak për të rindërtuar pozicionin e BE-së në këtë situatë.

Vetëm një shtim i prodhimit dhe shpërndarjes së vaksinave, mund t`a nxjerrë unionin nga ajo që deri tani ka qenë një dështim i padiskutueshëm. Ekzistojnë 2 arsye se përse BE-ja kishte nevojë të merrte të drejtën e përdorimit të vaksinave (dhe pse ra pre e panikut javën e kaluar për shkak të vonesave të prodhimit).

E para është më se e qartë:Prioriteti i tij, ashtu si kudo tjetër, është të shpëtojë jetë njerëzish dhe ekonominë e bllokut. E dyta, është se politika shëndetësore duhet të jetë një forcë evropiane. Bashkimi Evropian mund të mos shquhet në teknologji apo financa, por krenohet me shtetin e tij të mirëqenies sociale.

Gjithsesi, në fushatën e vaksinimit BE është shumë prapa ekonomive të tjera të zhvilluara. Në fund të janarit, Komisioni u përpoq qëtë fajësonte furnitorët e tij, duke argumentuar se ata nuk po mbanin premtimet e tyre. Në veçanti, u denoncuan mosmarrëveshja me AstraZeneca Plc.

Brukseli la të kuptohej se prodhuesi anglo-suedezi ilaçeve, i kishte dhënë padrejtësisht prioritet vendeve të tjera, në veçanti Britanisë së Madhe. BE vendosi që të ashpërsojë rregullat e saj mbi eksportet e vaksinave. Unioni madje kërcënoi të evokonte një përjashtim mbi Traktatin, që do të minonte rrjedhën e lirë të mallrave përtej kufirit irlandez, një gur themeli ky i marrëveshjes mbi Brexit.

Von der Leyen kishte me të drejtë arsye të forta për t’u ankuar mbi AstraZeneca. Kompania tha se do të përgjysmonte numrin e dozave që do t’i japë BE-së brenda 3-mujorit të parë. Ka të ngjarë që ajo të ketë marrë angazhime kontradiktore ndaj BE-së dhe Britanisë së Madhe.

Kontrata e Britanisë me AstraZeneca mbetet sekrete, dhe nuk është e qartë nëse qeveria e Boris Johnson do të vendosë kufizime të padrejta për të penguar shpërndarjen e gjerë të vaksinës së saj. Gjithsesi, BE-ja është sërish fajtore pse nuk siguroi më shumë doza që në fillim të garës së blerjes.

Për më tepër, javën e kaluar u shoqërua me një dështim skandaloz të komunikimit me publikun. Udhëheqësit e BE-së kërkuan më shumë doza nga AstraZeneca, në një kohë që disa prej tyre -sidomos presidenti francez Emmanuel Macron – po vinin në dyshim efektivitetin e saj në mbrojtjen e të moshuarve nga Covid-19.

Lexo edhe :   Ulet avioni i parë në Rinas pas 24 orësh, mbërrijnë vaksinat anti-covid

Diskutimi mbi kontrollet e eksportit, nxiti kritika rreth një padrejtësie të madhe që po i bënte BE vendeve të tjera, përfshirë edhe Organizatën Botërore të Shëndetësisë. Disa probleme që u vërejtën në Irlandën e Veriut, krijuan përshtypjen se Bashkimi Evropian ishte gati të hidhte në erë Marrëveshjen e së Premtes së Mirë.

Brukseli ka siguruar tani disa marrëveshje afatshkurtra paksa më bujare me AstraZeneca dhe Pfizer Inc. Por kjo do të ndihmojë pak në situatën aktuale. Blloku nuk i ka bindur ende qytetarët e tij se mund ta menaxhojë si duhet krizën më të madhe të pas Luftës së Dytë Botërore.

Krahasimi me vendet e tjera të pasura është i hidhur:Britania e pas Brexit po e shpërndan vaksinën e saj me një shpejtësi më të madhe edhe sesa shtetet më efikase të BE-së. Ndërsa Kina dhe Rusia, po i dërgojnë vaksinat e tyre në vendet e Evropës Lindore.

Vitin e kaluar, BE ofroi një shfaqje të admirueshme të unitetit, kur miratoi fondin e përbashkët prej 750 miliardë eurosh, për t’iu kundërvënë recesionit ekonomik të shkaktuar nga pandemia e koronavirusit. Por dështimi me vaksinën, mund t’i detyrojë evropianët të vënë sërish në pikëpyetje avantazhin e qëndrimit të tyre brenda bllokut.

Një sfidë tjetër është ekonomia. Deri më tani, BE-ja është paraqitur më mirë se Britania e Madhe, falë modelit të saj të orientuar nga eksportet,dhe pasi rimëkëmbja më e shpejtë e Azisë i ndihmoi prodhuesit evropianë. Megjithatë, rimëkëmbja ekonomike afatgjatë do të ecë paralelisht me suksesin e programit të vaksinimi.

Banka Qendrore Evropiane ka paralajmëruar mbi kërcënimin që vjen nga kreditë me probleme për bilancet e huadhënësve të eurozonës. Sa më gjatë që të vazhdojë pasiguria, aq më shumë kompani do të falimentojnë ose do t`a kenë shumë të vështirë të shlyejnë borxhet e tyre.

Por në lidhje me kërcënimin e një katastrofe në marrëdhëniet ndërkombëtare? Komisioneri i BE-së për Tregtinë Valdis Dombrovskis,këmbëngul se çdo kufizim mbi eksportin e vaksinave, nuk do të prekë vendet e varfra. Gjithsesi, sjellja dhe deklaratat e javës së kaluar kanë ngritur shumë dyshime.

Ngjashëm, qetësia e dukshme e Britanisë së Madhe në lidhje me vaksinat e saj, e ka bërë edhe eurofilin më të zjarrtë në këtë vend, pak më të hapur ndaj avantazheve të të qenit më i vogël dhe më i shkathët. Ndërkohë qetësia relative e BE-së gjatë bisedimeve mbi Brexit tashmë është zhdukur.

Komisioni duhet të ndërrojë “marshin”.Marrëveshjet e reja me prodhuesit e vaksinave janë në negocim e sipër, por unioni duhet që të bëjë gjithçka që ka mundësi për të rritur prodhimin e vaksinave përmes granteve, lehtësive tatimore dhe ndihmës logjistike.

Oferta e kompanisë franceze “Sanofi” dhe asaj gjermane “Bayer AG” për të ndihmuar konkurrentët e tyre të prodhojnë më shumë doza,është rruga e duhur që duhet ndjekur. Prodhimi i më shumë vaksinave,është mënyra e vetme për rindërtimin e besimit të lëkundur te Bashkimi Evropian.

Burimi i lajmit: https://www.bloomberg.com/opinion/articles/2021-02-03/covid-19-why-the-european-union-is-panicking-about-vaccines?srnd=opinion

Përshtatur nga TIRANA TODAY