Këtë të mërkurë studentët protestues janë ndarë në dy kampe. Një grup prej tyre ende vijojnë të protestojnë para Ministrisë së Arsimit. Ndërsa një grup tjetër studentësh janë vendosur para kryeministrisë, ku një pjesë e tyre kanë kaluar natën aty.
Ata bëjnë thirrje që të gjithë të largohen nga Ministria e Arsimit dhe të protestojnë para Kryeministrisë. Por, studentët që ndodhen përpara Ministrisë së Arsimit kanë refuzuar të shkojnë të Kryeministria.
Në një prononcim për “Tirana Today”, disa studentë janë shkrehur se do vijojnë protestën edhe pse në numër janë më pak.
“Te Kryeministria është mbledhur e gjithë politika. Ne që jemi këtu jemi studentë, edhe atje studentëT janë por janë të përlyer. Studentët që kanë shkuar mbrëmë në “Top Show”, kanë qenë në presion. Ata mund të kenë pasur një arsyes shumë të fortë që kanë shkuar atje. Unë jam shumë i sigurt se ata që kanë shkuar tek Kryeministria janë të përlyer me politikë. Të sigurt që e kanë një përkrahje diku. Ne nuk do shkojmë tek Kryeministria. Problemi kryesor është me ministren Lindita Nikolla, nuk ka të bëjë me partinë që ajo përfaqëson”, tha një student.
Por, sot ndryshe nga ditë e tjera studentë kanë hequr pankartat dhe në duar mbajnë letra të bardha. Ata refuzojnë kërkesat për dialog, por duan t’iu plotësohen 8 kërkesat që kanë paraqitur./TIRANA TODAY/