Editorial - Opinione

Prishja e lokalit në Jug, si shfaqja për turmat e gladiatorëve romak

               Publikuar në : 11:13 - 22/08/19 M. S

Nga: Ervis Iljazaj

Ndonjëherë, mjafton një moment fare rastësor për të zhbërë një propagandë qeveritare e cila është ndërtuar me kaq shumë mundim, dhe ndoshta me një kosto të madhe financiare. Kjo i ndodhi qeverisë Rama me rastin e lokalit në Jug të Shqipërisë, i cili u bë i famshëm nga pronari i tij akrobat, që për fat të keq do të mbetet pamja karakterizuese e turizmit shqiptar në verën e vitit 2019.

Mihali, i rrëzoi qeverisë Rama të gjithë kështjellën e tij prej rëre propagandistike të aksionit për formalizmin dhe shtetin ligjor, ose atë që vetë  kryeministri e quan të ‘’bërit shtet’’, i cili ka qenë slogali dhe kali i betejës së tij i politikës.

Por, më sa duket, edhe aksioni i formalizimit dhe forcës së ligjit, që më së fundmi po zhvillohet edhe nëpërmjet një portali ku denoncohen rastet e abuzimit, paskësh qenë siç do gjë tjetër një komunikim politik dhe asgjë më shumë.

Sepse, edhe propaganda apo komunikimi politik, siç quhet ndryshe në kohët e sotme, kanë limitet e tyre, dhe nuk mund të fshehin përgjithmonë realitetin. Edhe në rastin e lokalit të famshëm në Porto Palermo, pavarësisht se aksioni për formalizimin është propaganduar gjatë gjithë verës , nuk e fshehën dot realitetin e paligjshmërisë të një restoranti mu në buzë të detit dhe anës rrugës për shumë vite me radhë.

Paradoksi më i madh në të gjithë këtë histori është fakti se, me shumë mundësi, në lokalin në Porto Palermo do ketë shkuar kontrolli tatimor që ka kontrolluar Mihalin nëse priste kuponin tatimor ose jo, në një lokal tërësisht pa leje. Ky është absurdi i një propagande tashmë të dalë boje dhe që nuk pi më ujë.

Mirëpo, siç thonë, vesi del me shpirtin. Edhe vesi i kryeministrit për të shpëlarë me propagandë shoqërinë shqiptare nuk paska limit. Jo vetëm që rasti i Mihalit i rrëzoi të gjithë propagandën e formalizmit “pa asnjë dallim njësoj për të gjithë”, por, të njëjtën gjë vazhdoi ta bëjë edhe  për prishjen e këtij restoranti pa leje ndërtimi.

Prishja e lokalit në Porto Palermo në mes të ditës, në prani të të gjitha mediave dhe live, është ndoshta veprimi më jakobin, me propagandistik dhe më hipokrit që ka ndërmarrë ndonjëherë kjo qeveri. Pasi e gjithë vëmendja e shqiptarëve këto ditë ka qenë e fokusuar te ky rast, dhe me një mllef të paparë ndaj veprimit të pronarit të restorantit, Edi Rama nuk mund të linte ti shpëtonte ky rast pa kënaqur dëshirën e masës, dhe ja plotësoi duke e bërë restorantin me ‘’forcën e ligjit’’ shkrumb e hi. Këtu, kuptohet që emocionet e turmave u kënaqën dhe i dhanë të drejtë shefit të qeverisë.  Shfaqja e prishjes së lokalit live, mu duk fiks si shfaqjet që organizonin perandorët romak me betejat e gladiatorëve për të ekzaltuar turmat dhe për të mbajtur larg njerëzve logjikën, vendin e të cilës e zinte emocioni i gjakut dhe dyluftimit. Në këtë mënyrë, populli relaksohej dhe harronte hallet e tyre dhe qeverisjen, apo standartet e saj.  Uria për të parë shkatërrim ndaj të tjerëve, është një uri e studiuar shkencërisht dhe funksion gjithmonë në psikologjinë e masave për të korrur konsensus popullor.

Filozofia bazë e populizmit është e thjeshtë “ populli do, populli merr’’. Dhe populli në këtë rast donte prishjen e lokalit të Mihalit.  Kryeministri nuk mund të rrinte pa e plotësuar këtë dëshirë për të mbuluar skandalin që i plasi mu në mes të sezonit turistik. Megjithatë, Edi Rama ka pothuajse që prej mandatit të tij të dytë që e ka braktisur qeverisjes dhe i është dorëzuar totalisht populizmit. Edi Rama dhe qeveria e tij, nuk bëjnë më atë që duhet, por atë që do populli, që në pamje të parë duket një gjë e kënaqshme, por që është shkatërruese për vëndin.

Nuk dua aspak të them që restoranti në Porto Palermo nuk meritonte të prishej. Madje, veprimi  ishte i vonuar, sepse në Shqipëri ka njerëz që kanë bërë burg për ndërtime pa leje, ndoshta edhe për një terracë shtëpie. Ajo që dua, është që qeveria dhe shteti im të veprojë me një standart për të gjithë. Që prishja e një lokali  pa leje të mos bëhet me prozhektor ndezur, por si një detyrë normale e qeverisë, dhe ska përse ta marrë vesh kush. Ajo që dua, është që çdo rast që bëhet publik të mos ketë nga mbrapa një histori paligjshmërie. Sepse pastaj nuk është më rastësi, por normë, dhe i gjithë aksioni për formalizim qenkësh thjesht një fluks sapuni që shpërthen nga dielli i Gushtit, mu në mes të aksionit qeveritar për luftën ndaj paligjshmërisë . Madje, po e shtyjë arsyetimin më shumë se kaq. Nëse ai restorant është në proces legalizimi, dhe i takon të legalizohet si mijëra ndërtime pa leje në Shqipërinë, duhet të legalizohej dhe jo të prishej. Ndërsa, pronari të vazhdojë të vuajë dënimin për veprat penale për sjelljen e tij. Mirëpo, të gjitha këto i vendos ligji. Të gjitha të drejtat dhe detyrimet i jep ligji, dhe jo  vullneti arbitrar i kryeministrit, aq me tepër për një shfaqe të radhës për të kënaqur turmat./Gazeta Liberale

 

Kthehu
WhatsApp Denonco ne TT