Me një letër të shkruar me shkrim dore, Izet Haxhia ka bërë kallëzim në Prokurorinë e Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK), për drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve, Agim Ismaili.
Ish-truproja i Sali Berishës, thotë se Ismaili po e mban në izolim në mënyrë të jashtëligjshme dhe antinjerëzore, pasi sipas tij, kërkon ta shtyjë deri në vetëvrasje.
Haxhia shkruan se izolimi është duke i shkaktuar probleme të mëdha psikologjike, dhe se gjithçka janë duke ia bërë për shkaqe personale, në kundërshtim të plotë me ligjin.
Ndër të tjera ai thekson se s’ka qenë asnjëherë person me rrezikshmëri, epitet të cilin sipas tij, ia ka vendosur politika dhe mediat në porosi të politikës.
“Në konventën ndërkombëtare të torturës, izolimi cilësohet si tortura më e rëndë. Si pasojë e këtij izolimi, gjendja ime psikologjike po rëndohet përditë e më shumë, gjendje e cila mund të agravojë deri në akte të rënda ndaj shëndetit tim fizik, duke dëmtuar vetveten.
Si duket, ky është qëllimi i këtij izolimi antinjerëzor dhe anti-ligjor. Ky izolim i jashtëligjshëm po ushtrohet në mënyrë më të egër nga autoritetet e burgut me një qarkore të lëshuar nga Drejtoria e Burgjeve dhe e përsëritur nga Agim Ismaili, drejtor i tanishëm i Burgjeve.
Kam kërkuar arsyen e këtij izolimi të paligjshëm, dhe më është thënë në mënyrë shkresore se unë qenkam një person i rrezikshëm dhe prandaj mbahem në izolim të egër.
Unë nuk kam qenë asnjëherë person me rrezikshmëri, epitet të cilin ma ka vendosur politika dhe mediat në porosi të politikës.
Mendoj që ky izolim është anti-njerëzor, kufizimi i të drejtës së komunikimit, provokimet e vazhdueshme, dhuna psikologjike, sjellja terroriste dhe harbute e Forcave Operacionale të Drejtorisë.
Kam kërkuar shumë herë nga autoritetet e burgut që të hiqet izolimi, përgjigjet kanë qenë negative, duke u justifikuar se është një urdhër i drejtorit të përgjithshëm të Burgjeve, Agim Ismaili i cili nuk denjon as t’i përgjigjet kërkesës sime të ligjshme për heqjen e këtij izolimi i cili po më shkarkon fizikisht dhe mendërisht“, shkruhet në letrën e Izet Haxhisë.