Izolimi nuk është thyer vetëm nga ana e qytetarëve, por edhe nga ana e uniformave blu. Shefi i Seksionit të Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë e Policisë së Vlorës është pezulluar nga detyra, pasi u kap duke luajtur futboll, pasi kishte thyer orarin e karantinës.
Policia e Shtetit ka njoftuar se Komisari me inicialet R. P., së bashku me 9 persona të tjerë, ishin duke luajtur në një fushë futbolli në pyllin e Sodës, Vlorë. Ata janë ndëshkuar me masën administrative, dhe do të karantinohen për 14 ditë.
Nga Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit, nisi hetimi disiplinor për shkelje të rëndë. Si dhe u bë pezullimi nga detyra i punonjësit të policisë G. F., për mospërmbushje apo dështim në përmbushjen e detyrave ose përgjegjësive të caktuara. Ky i fundit konstatoi personat, dhe nuk mori masë administrative ndaj tyre.
Njoftimi
Policia e Shtetit
Thyen orarin e karantinēs duke luajtur futboll në një fushë futbolli në pyllin e Sodës, Vlorë, ndëshkohen me masë administrative 10 persona.
Karantinohen për 14 ditë, të 10 personat që u kapën duke luajtur futboll, të cilët do të mbahen nën mbikëqyrje nga ana e Policisë.
Me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit pezullohet nga detyra Shefi i Seksionit të Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, Komisar R. P., njëri nga pjesëmarrësit që luante futboll.
Gjithashtu, nga Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit nisi hetimi disiplinor për shkelje të rëndë, si dhe u bë pezullimi nga detyra i punonjësit të Policisë G. F., për mospërmbushje apo dështim në përmbushjen e detyrave ose përgjegjësive të caktuara, pasi konstatoi personat dhe nuk mori masë administrative ndaj këtyre shtetasve.
Policia e Shtetit falënderon qytetarët për bashkëpunimin dhe apelon edhe njëherë për qëndrim në banesë dhe respektim të masave kufizuese, duke bërë të mundur parandalimin e përhapjes së COVID-19.