Disa të dënuar shqiptarë dhe rumunë janë përleshur në një burg në Itali, ndërsa në këtë konflikt u përfshinë edhe disa të burgosur italianë.
Sipas mediave vendase, nga përleshjet mbetën të plagosur 4 të dënuar dhe një polic, ndërsa raportohet se ambulanca ka bërë katër rrugë për të transportuar të lënduarit në spital.
Nuk jepen detaje sa i përket shkaqeve që mund të kenë stimuluar sherrin, por një nga zyrtarët e burgut shprehet se përplasjet nisin për shkak të rivalitetit mes të burgosurve.
“Kjo e diel tregon qartë se në çfarë gjendje është katandisur institucioni. Situata është emergjente. Po bëhet një ferr, veçanërisht për ata që punojnë aty”, u shpreh ai, ndërsa shtoi se stafi është i lodhur dhe kjo lloj situate shkakton ankth.
“E kam përsëritur shpesh herë që administrata na ka braktisur dhe kjo është një provë. Ishte rastësi që vetëm njëri prej nesh përfundoi në dhomën e urgjencës. Përleshjet u shënuan në tre zona dhe gjithçka mund të ndodhte. Vijojmë të kemi frikë”, theksoi ai.