Pas përfundimit paqësor të lokaleve 2019, një koment ka ardhur nga kreu i Shtetit, Ilir Meta. Në Shqipëri përfunduan të dielën lokalet 2019, me një pjesëmarrje të ulët, por të qeta dhe paqësore.
Presidenti Meta ka një koment, ndërsa shpreh vlerësimet më të larta ndaj çdo qytetari, i cili ka vepruar me maturi. Ndër të tjera, Meta thekson faktin se vendi ynë i shpëtoi kurthit të përplasjes civile. Ai ka uruar të gjithë qytetarët që iu larguan dhunës dhe konfrontimit, duke respektuar në mënyrë qytetare njëri-tjetrin, pavarësisht nga qëndrimi ndaj votimeve.
“Urime të gjithë qytetarëve që dje iu larguan konfrontimit dhe dhunës duke respektuar në mënyrë qytetare njëri-tjetrin, pavarësisht nga qëndrimi ndaj votimeve socialiste të thirrura nga kryeministri Rama.
Shqipëria shpëtoi nga kurthi i përplasjes civile, ndaj i falënderoj nga zemra të gjithë shqiptarët që nuk ranë viktimë e retorikës konfrontuese të liderëve të papërgjegjshëm, që përmes nxitjes së dhunës duan të fshehin skandalet dhe llogaridhënien e tyre.
Përsa i takon tejkalimeve të planit në votimet socialiste, asnjë surprizë nuk kisha.
Tani më duhet të “shpik” një dekoratë të re, që besoj me ndihmën e Kuvendit socialist do miratohet, atë të “Heroit të votave socialiste”.
Për të shijuar rikthimin e kohës së votimeve kolektive, ju ftoj të ndiqni edhe këtë video”.