Mbrëmjen e 13 nëntorit 2015, Franca do të përjetonte masakrën më të rëndë që nga Lufta e Dytë Botërore. 130 njerëz u vranë, dhe 416 të tjerë u plagosën në Paris brenda disa minutash në një seri sulmesh terroriste.
Tre kamikazë shpërthyen veten jashtë stadiumit Saint-Denis, ku Franca po luante kundër Gjermanisë. Brenda ndodheshin dhjetëra mijëra tifozë, dhe bilanci do të ishte shumë më i rëndë.
Ndërkohë një grup tjetër qëlloi mbi kafenetë dhe restorantet e mbushura me njerëz. Një grup i tretë mori peng 1500 njerëz në një koncert të muzikës rok në teatrin “Bataclan”.
Sulmi u mor përsipër nga Shteti Islamik, në shenjë hakmarrje për sulmet ajrore franceze ndaj ISIS në Siri dhe Irak.
Në kundërpërgjigje, qeveria shpalli për 3 muaj gjendjen e jashtëzakonshme në vend, e cila u zgjat disa herë. Por pavarësisht masave, Franca ka ende probleme me radikalizmin e islamikëve radikalë. Këtë e treguan sulmet terroriste muajin e shkuar në Paris dhe Nisë.
TIRANA TODAY