Telenovela “Mauro Icardi” duket se sot ka pasur serinë e fundit dhe mes ish-kapitenit dhe Interit është gjetur një zgjidhje. Sipas mediave italiane do të ketë një fund të lumtur për sulmuesin argjentinas dhe për Interin, pasi rrugët e tyre do të bashkohen sërish që nga e enjtja.
Icardi ka përfunduar seancat e terapive në gjurin që kishte me probleme dhe tashmë është gati për të zbritur në fushën stërvitore. “Sportmediaset” ka bërë me dije se Mauro do të jetë i pranishëm në seancën stërvitore ditën e nesërme ku do ti bashkohet skuadrës, duke qenë se sot është dita e fundit e pushimit që pati dhënë trajneri Spalletti pas fitores në derbi.
Icardi do të vijojë të stërvitet fort këto ditë, duke shfrytëzuar pushimin që kanë për shkak të ndeshjeve të kombëtareve. Ish-kapiteni do synojë të kthehet në formën më të mirë fizike përgjatë këtyre 10 ditëve pushim të kampionatit me qëllim që të jetë i gatshëm për sfidën ndaj Lazios, më 31 mars edhe pse shanset që Spalletti ta aktivizojë që nga fillimi në atë takim janë pothuajse zero.
Kujtojmë që Icardi mungon tek Inter që prej 13 shkurtit, një periudhë krize e mëvonshme që çoi në heqjen e shiritit të kapitenit dhe polemikave të mëdha mes drejtuesve dhe lojtarit. 26-vjeçari pasi e ka menduar gjatë ka vendosur që kthimi në dispozicion të trajnerit Spalletti është gjëja më e mirë për të dhe për skuadrën, duke hequr dorë edhe nga ideja për të rimarrë shiritin e kapitenit. Ndërkohë bisedimet për rinovimin e kontratës me Interin janë shtyrë për momentin dhe do të rihapen më vonë.