Nga Kastriot Çipi
Javën e shkuar, kryetari (Basha) i njërës prej dy partive të mëdha (PD) u deklarua i hapur për ndryshimin e sistemit zgjedhor, për herë të parë në 27 vjet. Të gjitha ndryshimet e mëparshme të sistemit zgjedhor janë bërë pas bisedimeve me dyer të mbyllura mes kryetarëve të dy partive të mëdha. Me këtë lëvizje Basha ka hapur debatin publik, në të cilin janë të ftuara të gjitha partitë e tjera, parlamentare e joparlamentare, por nuk janë të përjashtuar qytetarët.
Në shkrimet “Zgjedhjet bashkiake si test” (“Panorama”, 28 janar 2019), “Sistemi zgjedhor ose vjedhja e ligjëruar e votës” (“Panorama Online”, 4 shkurt 2019) dhe “Dështimet dhe manipulimet e sistemeve zgjedhore” (“Shekulli”, 11 shkurt 2019) kam analizuar se si sistemet zgjedhore të zbatuara deri më sot kanë deformuar rezultatin e zgjedhjeve në dëm të zgjedhësve dhe partive të vogla dhe kam hedhur disa ide për përmirësimet e mundshme. Në përmbledhje të këtyre përvojave shqiptare dhe disa modeleve të mira perëndimore, po mundohem me këtë shkrim të propozoj me modesti një sistem zgjedhor, që mund të zgjidhë pjesën më të madhe të problemeve që kemi me zgjedhjet.
Zgjedhja e sistemit zgjedhor është zgjidhje politike e debatit mbi përparësinë e parimit të llogaridhënies ndaj atij të përfaqësimit të drejtë, apo anasjelltas. Atje ku është gjykuar më i rëndësishëm parimi i llogaridhënies (lidhjes së fortë të zgjedhësve me të zgjedhurin e tyre) është zgjedhur sistemi maxhoritar. Përkundrazi, aty ku është gjykuar më i rëndësishëm parimi i përfaqësimit të drejtë (përkthimi besnik i përqindjes së votave të fituara nga çdo parti në përqindje mandatesh për atë parti) është zgjedhur sistemi proporcional. Shumica e demokracive të konsoliduara zbatojnë sisteme të përziera, duke vendosur kështu në balancë të dyja këto parime. Për një vend si Shqipëria, ku Parlamenti ka vetëm një dhomë, afërmendsh kjo do të ishte zgjidhja më e mirë. Por këtu duhet pasur parasysh se sistemi i përzier mund të jetë sistemi më i mirë nëse integron tiparet më të mira të të dy sistemeve bazë, maxhoritar e proporcional. Për këtë arsye, ia vlen t’u hedhim një sy të shpejtë të mirave dhe këqijave të këtyre sistemeve.
MAXHORITARI DHE VARIANTET E TIJ
I. Maxhoritari me një raund është sistemi më i thjeshtë i mundshëm.
Avantazhet:
1. Ka vetëm një raund votimi dhe numërimi.
2. Përdoret vetëm një fletë votimi dhe zgjedhësi shënon vetëm një preferencë.
3. Siguron një lidhje të mirë të të zgjedhurit me zgjedhësit e tij.
Disavantazhe:
1. Mund të nxjerrë fitues kandidatë deri edhe me 30% të preferencave.
2. Deformon rëndë rezultatin në rang kombëtar.
3. Favorizon partitë lokaliste, në dëm të partive me ndikim kombëtar.
4. Nuk ofron alternativë përfaqësimi për shumicën e zgjedhësve.
II. Maxhoritari me dy raunde është po aq i thjeshtë sa maxhoritari me një raund, por zgjat me të paktën një javë procesin zgjedhor.
Avantazhet:
1. Nxjerr fitues vetëm kandidatë me mbi 50% të preferencave.
2. Përdoret vetëm një fletë votimi dhe zgjedhësi shënon vetëm një preferencë.
3. Siguron një lidhje më të mirë të të zgjedhurit me zgjedhësit e tij.
Disavantazhet:
1. Ka dy raunde votimi dhe numërimi.
2. Deformon rëndë rezultatin në rang kombëtar.
3. Favorizon partitë lokaliste, në dëm të partive me ndikim kombëtar.
4. Nuk ofron alternativë përfaqësimi për shumicën e zgjedhësve.
III. Maxhoritari me votim alternativ është përmirësim i mëtejshëm i maxhoritarit me dy raunde.
Avantazhet dhe disavantazhet janë lehtësisht të ndryshme, në varësi të gjerësisë së alternativës, pra nëse zgjedhësi ka dy apo më shumë preferenca në dispozicion.
Avantazhet:
1. Nxjerr fitues vetëm kandidatë me mbi 50% të preferencave ose me maksimumin e preferencave.
2. Përdoret vetëm një fletë votimi.
3. Ka vetëm një raund votimi.
4. Zgjedhësit e partive të vogla inkurajohen për të votuar kandidatët e saj si preferencë e parë dhe të tjerë si preferenca të tjera.
5. Ofron një farë mundësie përfaqësimi për një pjesë të madhe të zgjedhësve.
6. Siguron një lidhje shumë të mirë të të zgjedhurit me zgjedhësit e tij.
Disavantazhet:
1. Zgjatet procesi i votimit dhe i numërimit, për shkak të dy ose më shumë preferencave.
2. Deformon rëndë rezultatin në rang kombëtar.
3. Favorizon partitë lokaliste, në dëm të partive me ndikim kombëtar.
4. Nuk ofron alternativë përfaqësimi për një pjesë të madhe të zgjedhësve.
Si përfundim, varianti me votim alternativ është më i miri ndër sistemet maxhoritare dhe procesi i votimit dhe i numërimit mbetet relativisht i thjeshtë nëse votohet me dy preferenca, sepse kështu, edhe procesi i votimit, edhe ai i numërimit mbeten po aq të zgjatur në kohë sa edhe në rastet e votimit me dy fletëvotime. Në secilin variant, sistemi maxhoritar lejon deformim të votës në rang kombëtar, prandaj është i domosdoshëm korrigjimi i rezultatit, përmes kompensimit me proporcional.
PROPORCIONALI DHE VARIANTET E TIJ
Sistemet proporcionale eliminojnë ose minimizojnë disavantazhet e sistemeve maxhoritare, por kanë disavantazhet e tyre në secilin variant, sipas variacioneve të tri elementeve bazë.
Avantazhet:
1. Siguron përfaqësim për shumicën dërrmuese të zgjedhësve.
2. Përdoret vetëm një fletë votimi dhe zgjedhësi mund të shënojë një apo më shumë preferenca.
3. Votohet në një raund të vetëm dhe mund të ketë vetëm një numërim nëse votohet me një preferencë.
4. Siguron një ndarje të drejtë të mandateve, në raport me votën popullore të çdo partie.
Disavantazhet:
1. Nuk siguron një lidhje shumë të mirë të të zgjedhurit me zgjedhësit e tij. Këto avantazhe dhe disavantazhi kanë variablat e tyre në çdo variant të proporcionalit.
1. Sipas hartës zgjedhore: me një zonë (kombëtar) apo me shumë zona (rajonal). Kombëtari siguron përfaqësim shumë më të mirë sesa rajonali dhe mundëson uljen e pragut për partitë e vogla. Por rajonali supozohet se ofron një farë lidhjeje të të zgjedhurit me zgjedhësit e tij.
2. Me lista të hapura apo të mbyllura. Listat e hapura sigurojnë lidhje shumë më të mirë të të zgjedhurit me zgjedhësit e tij, në raport me listat e mbyllura, por kanë disavantazhin e lehtë se zgjatet procesi i votimit dhe ai i numërimit.
3. Me një preferencë apo me preferenca alternative. Votimi me preferenca alternative rrit përfaqësimin dhe u shton shanset partive të vogla, por zgjat procesin e votimit dhe atë të numërimit.
Si përfundim, varianti më i mirë i sistemit proporcional është ai kombëtar (me një zonë), me lista të hapura dhe preferenca alternative. Asnjëri prej varianteve të sistemit proporcional nuk e arrin lidhjen e fortë të zgjedhësve me të zgjedhurit e tyre, në masën që e arrin sistemi maxhoritar. Pra, sistemi më i mirë do të ishte një sistem i përzier, që kombinon maxhoritarin me dy preferenca dhe proporcionalin kombëtar, me lista të hapura dhe dy preferenca, me kusht që të dyja sistemet përbërëse të prodhojnë një numër të njëjtë mandatesh (pra, një balancë 50:50% mes mandateve të dala nga maxhoritari dhe proporcionali), pasi çdo prishje e kësaj balance do të sillte efekte negative, si pasojë e disavantazheve të sistemit të privilegjuar. Në konceptimin e këtij sistemi të përzier mund të udhëhiqemi nga thjeshtësia ose efikasiteti, që nuk ecin paralel.
ZGJEDHJET E PJESSHME SI GARANT I LLOGARIDHËNIES
Një tjetër mekanizëm që garanton llogaridhënie,i cili fatkeqësisht nuk është konsideruar kurrë në Shqipëri, janë zgjedhjet e pjesshme. Përvoja na ka treguar, në mënyrë të përsëritur, se qeveritë harrojnë 90% të premtimeve ditën që marrin votëbesimin në Kuvend. Kryeministrat ngulin këmbë se ata kanë një “kontratë” me zgjedhësit, me afat 4- vjeçar dhe me këtë justifikojnë refuzimin e zgjedhjeve të parakohshme. Por as ata, as ndërkombëtarët nuk i japin përgjigje pyetjes: Çfarë duhet të bëjnë qytetarët, në cilësinë e palës në këtë “kontratë” nëse qeveria nuk i respekton detyrimet e saj “kontraktore”? Pikërisht për këtë arsye, janë konceptuar zgjedhjet e pjesshme. Në SHBA p.sh., ato njihen si zgjedhjet e “mesmandatit”. Në këto zgjedhje rinovohet 100% Dhoma e Përfaqësuesve, mandati i të cilëve është 2 vjet dhe 1/3 e Senatit, mandati i anëtarëve (senatorëve) të të cilit është 6 vjet. Në kushtet tona, me Parlament me një dhomë, do të ishte zgjidhja më e mirë reduktimi i mandatit të deputetit nga 4 në 3 vjet dhe rinovimi i Kuvendit me 1/ 3 e tij, përmes zgjedhjeve të pjesshme çdo vit. Zgjedhjet e pjesshme do të ishin shumë më të thjeshta për administratën zgjedhore, partitë dhe mediat, pasi vëmendja do të ishte më e përqendruar në më pak kandidatë dhe më pak qendra votimi e numërimi.
ZGJEDHJE TË PJESSHME ME SISTEM TË PËRZIER
A mund të kemi një sistem zgjedhor që integron më të mirat e sistemeve zgjedhore maxhoritare dhe proporcionale dhe mekanizmin e zgjedhjeve të pjesshme? Unë them po. Ja se si: Vendi ndahet në tri rajone zgjedhore, me numër të barabartë zgjedhësish, që mund të ishin:
1. Veriu (Qarqet Durrës, Lezhë, Shkodër, Kukës e Dibër, plus Bashkia Kavajë).
2. Qendra (Qarqet Tiranë e Elbasan, minus Bashkitë Kavajë e Gramsh).
3. Jugu (Qarqet Fier, Vlorë, Berat, Gjirokastër e Korçë, plus Bashkia Gramsh).
Numri i deputetëve rritet nga 140 në 150, ose mund të ulet në 120. Çdo vit, përmes zgjedhjeve të pjesshme, në njërën prej zonave zgjedhore, zgjidhet 1/ 3 e tyre.
Secili rajon zgjedhor ndahet në 20 apo 25 zona maxhoritare (varësisht prej numrit total të deputetëve, 120 apo 150) dhe çdo rajon zgjedhor nxjerr 20 apo 25 deputetë përmes proporcionalit.
Votimi bëhet vetëm me një fletë votimi, e cila përmban listën emërore të kandidatëve në maxhoritar. Zgjedhësi voton duke shënuar me 1 preferencën e tij të parë dhe me 2 atë të dytë.
Në raundin e parë të numërimit llogariten vetëm preferencat e para. Aty ku nuk ka fitues me mbi 50% të preferencave të para, shpallen dy kandidatët me më shumë vota dhe rinumërohen votat e kandidatëve të tjerë. Në këtë numërim llogariten preferencat e dyta për dy kandidatët e parë dhe fitues shpallet ai që ka fituar më shumë preferenca të para dhe të dyta së bashku (jo detyrimisht mbi 50%).
Totali i preferencave të para për kandidatët e një partie përbën rezultatin e partisë, mbi të cilin do të bazohet ndarja e mandateve në proporcional. Përcaktimi i numrit të mandateve që i takojnë secilës parti, bëhet sipas metodës Hare/ Niemeyer, pa prag. Ndërsa shpërndarja e mandateve te kandidatët e secilës parti bëhet sipas klasifikimit të kandidatëve të asaj partie, në bazë të preferencave të para që ka fituar secili prej tyre.
Me këtë sistem zgjedhor nuk ka asnjë mundësi matematike të ketë trafik votash siç ndodhi në Dushk në 2005-ën, apo në të gjithë vendin në zgjedhjet e “megaDushkut” të 2009-ës, sepse nuk ka fletë votimi për partitë dhe kandidati nuk ka çfarë vote të shkëmbejë. Partitë e vogla dhe të reja kanë shans të përfaqësohen në Kuvend edhe me 0,8% të votave në rang kombëtar, apo 2-2,5% të votave në rang rajoni. Të gjitha partitë marrin mandate në përputhje të plotë me votën popullore. Zgjedhësit kanë të drejtë të zgjedhin përfaqësuesin e tyre në maxhoritar dhe nuk e humbasin këtë shans as në proporcional. Nëse duam ta përsosim më tej këtë sistem, mund t’ua ndalojmë deputetëve të zgjedhur nga maxhoritari të angazhohen si ministra apo anëtarë të komisioneve parlamentare, në mënyrë që ata të përqendrohen në kontaktin e tyre të drejtpërdrejtë me zgjedhësit.