Pandemia e shkaktuar nga koronavirusi është shoqëruar me një ndryshim të papritur mjedisor.
Sipas ministrisë kineze së Mjedisit, por edhe nga vrojtimet e NASA-s, numri mesatar i ditëve me ajër cilësor është rritur me 21.5% në shkurt, krahasuar me të njëjtën periudhë, vitin e shkuar.
Imazhet që vijnë nga satelitët e NASA-s tregojnë gjithashtu një reduktim drastik të dioksidit të karbonit dhe gazra të tjerë të çliruar nga fabrikat industriale, makinat etj.
Dioksidi i karbonit, i prodhuar më së shumti nga përdorimi i qymyrit që furnizon ende pjesën më të madhe të industrisë kineze, sipas përllogaritjeve ka rënë si sasi me 200 milion tonelata vetëm në një muaj.
Kjo rënie dramatike e konsumit industrial, së bashku me reduktimin me 70% të fluturimeve të brendshme dhe të përdorimit të karburanteve për automjetet, ka shkaktuar atë që për ekspertët duket si “ndryshimi mjedisor më i shpejtë dhe radikal i përjetuar ndonjëherë”.
Si një nga ndotësit më të mëdhenj të botës, Kina kontribuon me 30% dioksid karboni çdo vit, prandaj ndikimi i gjithë asaj që po ndodh ndihet shumë dhe ndotja e planetit është reduktuar ndjeshëm.
Gjithsesi, ekspertët i tremben një tjetër dukurie.
Faktit që kur koronavirusi të jetë thjesht një kujtim i hidhur në Kinë, kriza ekonomike mund të shtyjë industrinë të shumëfishojë prodhimin për të mos humbur terren dhe pozitat e fituara në dekada në tregtinë ndërkombëtare.
Kjo mund të sjellë një përkeqësim po aq të shpejtë të nivelit të ndotjes mjedisore, me pasoja të paparashikueshme. /Opinion.al