Koordinatori i Bindjes Demokratike, Astrit Patozi, ka komentuar gjendjen politike në vend, pas zgjedhjeve vendore të 30 qershorit.
Ai ka thënë për “ABC News”, se kreu i Shtetit Ilir Meta, e ka përjetuar shumë keq faktin që LSI tashmë nuk ka asnjë pushtet, dhe se zgjedhjet u zhvilluan pa dëshirën e tij. Po kështu, ai shtoi se shtëpia politike e Metës është goditur fort.
“Meta e ka përjetuar keq, sidomos kur ka parë që zgjedhjet po bëheshin edhe pa dëshirën e tij.
Ai, si politikan me eksperiencë, e ka menduar se e ardhmja e LSI-së nuk është Presidenca.
LSI, kjo shtëpi politike e Metës është goditur fort.
Kjo e ka bërë që të denatyrohet, që është i trazuar. Nuk mendoj se është gjë e mirë shkarkimi i tij, do e kisha kursyer si një lloj ndjese për ndjekësit e tij”, ka thënë ai.