Pas shkarkimit të ministrit të Brendshëm, Agim Veliu nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti, LDK ka vendosur që të dalë nga koalicioni qeverisës.
Sipas “Telegrafit”, kryesia e LDK-së ka vendosur të rrëzojë Qeverinë Kurti për shkak të mos heqjes së taksës dhe vendimeve të njëanshme të kryeministrit Kurti, që kanë shkelur marrëveshjen e koalicionit.
Kurti e justifikoi shkarkimin e ministrit me pretekstin se ky i fundit, u deklarua kundër qëndrimit të kryeministrit mbi shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në Kosovë.
Sipas Kurtit, Veliu ka përhapur panik, duke thënë se “numri i të prekurve po rritet prej ore në orë”.
Ky vendim i kryeministrit Kurti ka bërë që të mblidhet kryesia e LDK-së. Kryesia e kësaj partie ka vendosur që të dalë nga koalicioni qeverisës me Lëvizjen Vetëvendosje.