Autoritetet indoneziane kanë arrestuar një turist rus që po përpiqej të kontrabandonte një orangutang të droguar nga resorti turistik i Balit.
Andrei Zhestkov, 27 vjeç, u arrestua në aeroportin ndërkombëtar të Balit, pasi oficerët gjetën një orangutang 2-vjeçar në gjumi në një shportë të rrumbullakët të vendosur në bagazhin e tij.
Po ashtu, oficerët e doganës gjetën pilula alergjie të mbështjella në plastike, dy gekon dhe pesë hardhuca në valixhen e Zhestkovit. Të gjitha kafshët ishin gjallë.
Zhestkov u tha autoriteteve se ushqente orangutangun me pilulat e alergjisë të përzier me qumësht, duke shkaktuar që kafsha të humbiste vetëdijen për deri në tre orë.
Rusi u tha gjithashtu zyrtarëve se ai bleu orangutangun për 3.000 dollarë nga një treg në ishullin kryesor të Indonezisë, pasi atij i kishte thënë një mik që ai mund ta sjellë atë në shtëpi si një kafshë.
Zhestkov nuk është akuzuar ende për shkak se policia po heton për të parë nëse ai ka lidhje me sindikatat ndërkombëtare të përfshira në trafikimin e kafshëve të egra.
Orangutangët janë të listuara si të rrezikuara në mënyrë kritike nga Bashkimi Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës./ Përshtati Tirana Today