Kreu i grupit parlamentar Edi Paloka reagoi sot ndaj qëndrimit të kryeministrit Edi Rama për numrin e pakët të protestuesve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Paloka shkruan se kryeministri i numëroi qytetarët ashtu siç numëron plantacionet e kanabisit përgjatë katër viteve në pushtet.
“Çdo shqiptar e di se sa merr vesh nga numrat Edi Rama. Sot i numëroi qytetarët që u ngritën kundër tij ashtu siç ka numëruar këto katër vite plantacionet e kanabisit. Ashtu siç ka numëruar 300 mijë vendet e punës dhe rritjen e rrogave”, thotë Paloka.
Sipas kreut të grupit parlamentar, shqiptarët ishin në bulevard kundër kryeministrit dhe njerëzve të tij të korruptuar.
Ai shton se Rama nuk mund ta zbehë dot protestën përmes medieve të blera prej tij.
“Shqiptarët sot treguan masivisht se nuk do të lejojnë vjedhjen e zgjedhjeve. Shqiptarët ishin në bulevard kundër tij dhe veglave të tij, kurse Edi Rama ja mbathi jo vetëm nga zyra por edhe nga Tirana. Nuk arriti t’i mbajë larg protestës shqiptarët me tellallët e frikës, nuk i ndaloi dot me policë me maska dhe pa maska, dhe nuk e zhurmon dot zërin e qindra mijërave shqiptarëve. Më kot rreken veglat e tij të blera me paratë që u vidhen shqiptarëve që ta zbehin mesazhin e fortë të protestës me të madhe në histori. Nuk ke parë asgjë akoma. Numërimi mbrapsht po troket. Tik- tak….”, përfundon Paloka.