Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj ka publikuar në Facebook dy formularët për aplikimin që mund të bëjnë qytetarët për të përfituar nga paketa e dytë të ndihmës ekonomike.
Dy formularët gjenden edhe në faqen zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.
“Për qytetarët në procesin e përfitimit të Paketës së Dytë Anti-COVID. Nga sot lehtësojmë procesin për verifikimet e individëve. Çdo punëmarrës që mendon se mund të jetë përfitues i Paketës së Dytë mund të plotësojë Formularin 2 të Ankesës në adresën [email protected]. Formulari duhet të plotësohet nëse biznesi ku ju punoni nuk ka bërë aplikimin për Paketën”, shkruan ministrja në postimin e saj.
Për të gjithë të interesuarit, subjekte apo individë, të cilët konsiderojnë se mund të jenë përfitues të ndihmës financiare sipas VKM nr.305 datë 16.04.2020, por kërkesa e tyre është refuzuar apo nuk i është dhënë mundësia për të aplikuar, bëjmë me dije se kanë mundësi të paraqesin Formularin e ankesës (Formati 1 për subjekte dhe Formati 2 për individë), përmes kanaleve të komunikimit, të vëna në dispozicion nga Drejtoria e Përgjjthshme e Tatimeve:
Subjektet, mund të ngarkojnë Formatin nr, 1 të ankesës, të plotësuar, në e-filing, menuja Çështjet e mia – Pyetje e Përgjithshme.
Tatimpaguesi në ankesën e tij duhet të shprehë qartazi problematikën si dhe të vendosë ID e punonjësve për të cilët pretendon se nuk janë përfshirë në Kërkesën për ndihmë financiare 2, të paraplotësuar me të dhënat e individëve potencialisht përfitues.
Individët, mund të dërgojnë Formatin nr. 2, të plotësuar, në adresën e dedikuar të emailit: [email protected]
Është e rëndësishme që ankesa e dërguar nga individët duhet të përmbajë NIPT e subjektit në të cilin është i punësuar dhe ka aplikuar, NID përkatës të individit si dhe të dhëna të tjera të kërkuara në formular.