E hënë, 1 Mars, 2021
11 C
Tirana

Nuk po shtojnë vende pune, shtohen dyshimet ndaj investimeve kineze në Ballkan

Nga: Laura Zhou “South China Morning Post”

Ditë para një takimi të nivelit të lartë midis presidentit kinez, Xi Jinping, dhe 17 vendeve në Evropën Qendrore dhe Lindore në fillim të këtij muaji, gati 90 investitorë kinezë u mblodhën në një sallë të madhe në një hotel në Pekin për të dëgjuar një fjalim të presidentit të Malit të Zi, Milo Djukanovic.

“Në rast se nuk ka aftësi gjatë planifikimit, është e vështirë të arrihet suksesi, dhe nëse nuk ka aftësi në planifikim, projekti do të dështojë”-tha Djukanovic, duke cituar strategun e lashtë ushtarak kinez Sun Tzu.Ai deklaroi në atë takim se vendi i tij me rreth 680.000 banorë, i ka mirëpritur investimet kineze në sektorët e turizmit, energjisë dhe transportit.

Ai vazhdoi më tej duke thënë:“Kina dhe Mali i Zi, duhet t’i kuptojnë më mirë sfidat ndaj ekonomisë globale, dhe të kërkojnë së bashku zgjidhjen e duhur”.

Mali i Zi është një nga vendet e vogla të Ballkanit që kërkon investimet kineze për të rimëkëmbur ekonominë e tij pas krizës që shkaktoi pandemia e Covid-19, pavarësisht nga dyshimet në rritje nëse Pekini mund të arrijë apo jo të mbajë premtimet e tij, thonë analistët.

Një projekt i financuar në kuadër të nismës kineze të Brezit dhe Rrugës, është një autostradë që kushton plot 750 milion dollarë, dhe që është fajësuar për rritjen në 80 për qind të borxhit kombëtar të Malit të Zi. Por Djukanovic tha se shpreson se “ajo do t`i japë një shtysë të fortë drejt një rigjenerimi më të shpejtë ekonomik në periudhën pas pandemisë”.

“Si në aspektin gjeopolitik, ashtu edhe në atë të tregut, lidershipi kinez e percepton Ballkanin si një urë lidhëse apo si një derë të hapur drejt Evropës. Kjo mendësi është produkt i pozitës gjeografike strategjike të rajonit, që e shndërron atë në një udhëkryq midis Evropës dhe Euroazisë”- thotë Vuk Vuksanovic, studiues në Qendrën e Beogradit për Politikat e Sigurisë.

“Për më tepër, disa vende si Serbia janë kandidatë për anëtarësim në Bashkimin Evropian, gjë që është shumë e dobishme në ambiciet kineze, për t’u lidhur akoma më shumë me tregjet e BE-së. Lidhjet politike janë një produkt i kësaj ambicie dhe dëshire kineze, por dhe interesit të vendeve të rajonit për të eksploruar mundësitë e ofruara nga Kina”- thotë ai.

Edhe pse shumica e projekteve kineze në infrastrukturë janë të bazuara tek huatë, ajo që Kina ofron është veçanërisht tërheqëse për vendet e Ballkanit perëndimor që nuk janë ende pjesë e BE-së, ndaj janë të etur për fonde për të ndihmuar në arritjen e pjesës tjetër të kontinentit, thotë Filip Sebok, analist në think tank-un me qendër në Pragë, Shoqata për Çështjet Ndërkombëtare.

“Në përgjithësi vendet e Ballkanit, janë më të ndjeshëm ndaj modelit kinez të të bërit biznes, dhe këtë gjë Kina po e përdor me sukses në vendet në zhvillim. Në këto vende

ka më pak pengesa nga entet rregullatore, dhe mjedisi miqësor pozitiv është gjithashtu një faktor që ndikon”- thekson ai.

Dhe dallimi është i dukshëm në shifrat konkrete të investimeve. Në vitin 2010, 4 anëtarë të BE-së – Hungaria, Republika Çeke, Polonia dhe Sllovakia – morën 78 për qind të investimeve kineze nga 16 vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore, ndërsa vetëm 20 për qind e investimeve shkuan në Ballkan.

Por deri në vitin 2019, një vit para se Greqia t’i bashkohej grupin “17+1”, investimet në Ballkan ishin dyfishuar në 41 për qind, krahasuar me 43 për qind që shkuan për 4 vendet e Evropës Qendrore. Gjithashtu, Pekini ka shtuar investimet e tij në Ballkan, dhe ka premtuar të furnizojë me vaksinat e saj anti-Covid shumë shtete jo-anëtare të BE-së.

Nga 53 marrëveshjet tregtare dhe huatë e shpallura gjatë samitit të fundit të nismës 17+1, 25 shkuan në 5 vende:Serbi, Bosnjë-Hercegovinë, Mali i Zi, Shqipëri dhe Maqedoni e Veriut.

Por në planin afatgjatë mbeten shumë dyshime.“Ndërsa bota po përballet me pandeminë, dhe zgjerimi i BE-së në rajon nuk po përparon, vendet janë të shqetësuara pas sfidave afatshkurtra dhe afatmesme të zhvillimeve ekonomike dhe infrastrukturore”- thotë Vuksanovic.

“Por ka një pikëpyetje afatgjatë, nëse Ballkani do të distancohet akoma më shumë nga BE, në kushtet kur standardet kineze janë shumë të ndryshme nga ato evropiane”-thotë ai. Një dekadë pas krijimit të nismës 17+1, shumë vende evropiane janë gjithnjë e më të pakënaqura me rezultatet, duke përmendur një defiçit tregtar në rritje me Kinën, dështimin për të krijuar vende të reja pune, dhe ngadalësinë e Pekinit në hapjen e tregjeve të tij për eksportet bujqësore të vendeve të kësaj nisme.

Kina është parë për një kohë të gjatë si një investitore e re potenciale, që do të sillte një shtysë të re në ekonomitë e Evropës Qendrore dhe Lindore. Por në shumicën e rasteve, rezultatet aktuale të investimeve kineze kanë lënë shumë për të dëshiruar në raport me pritshmëritë.

“Fakti që një pjesë e madhe e investimeve nuk kanë sjellë vende të reja pune, e ka përkeqësuar më tej situatën. Ndaj pritshmëritë që Kina do të jetë një investitor i ri premtues janë zbehur ndjeshëm”-thekson ai.

Këtë vit udhëheqës nga gjashtë vende të BE-së – Bullgaria, Rumania, Sllovenia, Lituania, Letonia dhe Estonia -refuzuan të marrin pjesë në samitin 17+1 me Xi, duke dërguar kryesisht zëvendësit e tyre të rinj.

Xi premtoi se Kina do të importojë mallra me vlerë 170 miliardë dollarë, dhe do të dyfishojë blerjen e produkteve bujqësore nga rajoni gjatë 5 viteve të ardhshme, por ky zotimi mund të mos jetë i mjaftueshëm për të zhdukur shqetësimet që ekzistojnë në rajon mbi investimet kineze.

Premtimi i vitit 2012 për të rritur tregtinë me rajonin në 100 miliardë dollarë deri në 2015, nuk u përmbush dot deri vitin e kaluar.“Problemi nuk ka të bëjë thjesht me rritjen e tregtisë, por me vetë formatin e 17+1 dhe përmirësimin e qasjes tregtare.

Sapo të dalin në treg, mallrat bujqësore të Evropës Qendrore dhe Lindore do të përballen me një konkurrencë të fortë, për shembull nga Australia ose Zelanda e Re, të cilat kanë nënshkruar marrëveshje të tregtisë së lirë me Pekinin”-shprehet Sebok.

Burimi i lajmit: https://www.scmp.com/news/hong-kong/politics/article/3121669/beijing-hits-out-european-union-over-irresponsible-comments

Përshtatur nga TIRANA TODAY

- Reklama -

Më shumë nga kategoria




Të fundit

Kosova në pritje të konfirmimit nga COVAX për marrjen e vaksinave

Ministria në detyrë e Shëndetësisë në Kosovë tha se është në pritje të “konfirmimit final” nga COVAX për marrjen e dozave të para të...

Ukraina hedh në plehra vaksinat anti-covid, mjekët refuzuan t’i marrin

Ukrania ka hedhur poshtë disa doza vaksina anti-covid pasi mjekët kanë refuzuar që t’i marrin. Në lidhje me këtë ka folur edhe kreu i Partisë...

A mund ta kishin pushtuar dot britanikët Bashkimin Sovjetik?

Më 2 shtator 1945, presidenti amerikan Herri Truman, shpalli fundin e Lufës së Dytë Botërore. Me dorëzimin e Japonisë, bota mund të merrte frymë...

Takimet në Bruksel, Rama: Vlerësime shumë të mira për Shqipërinë

Kryeminstri Edi Rama e cilësoi si një ditë pozitive dhe produktive vizitën e tij në Bruksel ditën e sotme. Edhe pse në momente të vështira...

E bujshme nga Italia, PSG nis bisedimet për Elseid Hysajn

Një lajm i bujshëm ka qarkulluar së fundmi në mediat italiane. Bëhet fjalë për mbrojtësin e Kombëtares shqiptare, Elseid Hysaj, i cili mund të...