Një ngjarje tronditëse është regjistruar së fundmi në Philadelphia, teksa një burrë është tërhequr zvarrë jashtë autobusit, pasi nuk kishte vendosur maskë mbrojtëse.
“Daily Mail” raporton se shoferi i autobusit i kishte kërkuar burrit që të zbriste, pasi nuk kishte maskë, por ai kishte refuzuar.
Kështu shoferi ka thirrur policinë, e cila ka sjellë 7 efektivë të cilët e kanë tërhequr atë më forcë jashtë autobusit. Në një moment në video duket se si oficerët e përplasin atë drejt autobusit.
Pas publikimit të këtyre pamjeve ka ardhur edhe reagimi i policisë. Ata janë shprehur se ai thjesht është zbritur nga autobusi, nuk është shoqëruar apo arrestuar.
Por gjithsesi mësohet se për rastin në fjalë kanë nisur hetimet.
Kjo ngjarje vjen në kuadër të masave shtrënguese që janë marrë në të gjithë SHBA, si pasojë e shpërthimit të koronavirusit.
SHBA është vendi më i prekur nga COVID-19 në botë, teksa deri më tani më shumë se gjysmë milionë njerëz janë infektuar.
Në 24 orët e fundit në SHBA u shënua bilanci më i rëndë ditor, teksa më shumë se 2,100 persona humbën jetën nga koronavirusi.
SHBA renditet e dyta për numrin më të madh të vdekjeve, pas Italisë. Por me këto ritme, SHBA duket se do marrë shumë shpejt vendin e parë.
Mbi 1,7 milionë njerëz nga e gjithë bota janë prekur nga koronavirusi, ndërsa mbi 106 mijë persona kanë humbur jetën.