Presidenti i Republikës, Ilir Meta, është përplasur me kryeministren e Serbisë, Ana Bërnabiç, gjatë Samitit SEECP, që po zhvillohet në Sarajevë. Presidenti Meta është ankuar që Kosova nuk merr pjesë në këtë samit, duke i kërkuar Bosnjës dhe Hercegovinës që të njihet si shtet i pavarur.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i kryeministres së Serbisë, Ana Bërnabiç, e cila ka thënë se shteti ku është duke u mbajtur ky samit nuk e njeh shtetin e Kosovës, duke i thënë Metës “përmbahuni nga provokimi”. “Në këtë tryezë ka disa vende që nuk e njohin Kosovën, dhe unë sugjeroj që të mos ketë përplasje për këtë çështje mes shteteve të tjera. Më vjen keq që përfaqësuesit e institucioneve të përkohshme të Prishtinë nuk janë këtu. Kjo tregon se çfarë bashkëpunimi dëshiron Prishtina”, ka thënë Bërnabiç, shkruan “Blici” serb.
Ajo po ashtu është shprehur se rajoni nuk mund të jetë i qëndrueshëm, deri sa nuk është Serbia anëtare e BE-së. Kujtojmë se në këtë samit Shqipëria fillimisht kishte paralajmëruar se nuk do të marrë pjesë për shkak të injorimit ndaj Kosovës, por Ilir Meta presidenti i Shqipërisë dje mbërriti në këtë samit.