Henry A. Kissinger*/ “Wall Street Journal”
Atributi i madhështisë i rezervohet liderëve, koha e të cilëve në histori mund të rrëfehet vetëm në drejtim të arritjeve të tyre. Unë i kam vëzhguar elementët thelbësore të historisë gjermane – si një bir amtar i saj, si refugjat për shkak të trazirave të saj, si një ushtar në ushtrinë pushtuese amerikane, dhe si dëshmitar i rimëkëmbjes së saj të habitshme. Vetëm disa, që e përjetuan atë evolucion, janë ende gjallë.
Për shumë gjermanë bashkëkohorë, periudha e Adenauerit i ngjan një përralle nga një epokë e shkuar prej shumë kohësh. Përkundrazi, ata jetojnë në një dinamikë të themeluar nga Konrad Adenaueri, një njeri, jetëgjatësia e të cilit, në vitet 1876-1967, mbuloi gjithçka, përfshirë edhe pesë vitet e para të shtetit të unifikuar kombëtar gjerman, të shpallur për herë të parë në vitin 1871.
E shkatërruar, varfëruar, e ndarë, Republika Federale u krijua pas Luftës së Dytë Botërore nga bashkimi i zonave amerikane, britanike dhe franceze të pushtimit, që përfshinin vetëm dy të tretat e popullsisë së Gjermanisë së paraluftës. Pesë milionë refugjatë nga territoret e Gjermanisë së paraluftës e kishin të nevojshëm integrimin; ata propaganduan në favor të rimarrjes së territoreve të humbura. Zona e sovjetike e pushtimit, që përmbante 18 milionë njerëz, u shndërrua në një entitet politik komunist. Ardhja e Republikës Federale, mbuloi një shekull ndërprerje. Perandoria pas Bismarck-ut ishte ndjerë e rrethuar nga aleancat përreth; Republika e Vajmarit, pas Luftës së Parë Botërore, u ndje e abuzuar nga një zgjidhje e imponuar e paqes; Hitleri kishte kërkuar një sundim atavik të botës; Republika Federale u ngrit në mesin e trashëgimisë së një pakënaqësie globale.
Parlamenti i sapozgjedhur gjerman, zgjodhi Adenauerin si kancelar, me një diferencë prej vetëm një votë, në 15 shtator 1949. Pak kohë më pas, më 22 nëntor, ai nënshkroi marrëveshjen e Petersbergut, me tre komisionerët e lartë aleatë, që i jepte atributet e sovranitetit Republikës Federale, por ruante premisat e saj të barazisë juridike. Qendra e veprimtarisë minerare, Ruhr-i, mbeti nën kontrollin e veçantë të Aleatëve, ashtu si rajoni industrial Saar, përgjatë kufirit francez. Pranimi në heshtje i këtyre kushteve nga Adenauer, bëri që kundërshtarët t’i ngjisnin nofkën “Kancelari i Aleatëve”.
Në takimin e tij të parë zyrtar me tre komisionerët, në 21 shtator 1949, Adenauer u tha se do të pranonte diskriminimin, por jo nënshtrimin. Komisionerët e lartë ishin mbledhur rreth një qilimi; ndërsa kishin caktuar një vend përballë për Adenauerin. Kancelari e sfidoi protokollin duke shkelur direkt mbi qilim, për t’u përballur me mysafirët e tij. Nga kjo sjellje, ai lajmëroi një pikë historike kthese.
Republika e re Federale do të kërkonte, sipas fjalëve të tij, “liri të plotë”, duke fituar një vend në bashkësinë e kombeve, jo me presione apo duke e rrëmbyer atë. Duke bërë thirrje për një konceptim krejtësisht të ri të politikës së jashtme, Adenauer shpalli qëllimin për krijimin e një “federate pozitive dhe të qëndrueshme evropiane”, për të kapërcyer “konceptimin e ngushtë nacionalist të shteteve, siç kishte mbizotëruar në shekullin XIX dhe XX-të, në mënyrë që të rivendoset uniteti i jetës evropiane në të gjitha fushat”.
Sjellja e Adenauer-it, e përforcoi refuzimin e tij ndaj historisë evropiane. Shtatlartë, i drejtë, gjakftohtë, me fytyrën statike për shkak të një aksidenti automobilistik në rini, ai rrezatonte qetësinë e para Luftës së Parë Botërore, që edhe e kishte formësuar. Po aq i veçantë qe stili i tij i rrallë i të folurit. Ai përçonte vetëbesim dhe performancë, por jo sugjerimin apo imponimin, që do të ishin stili operativ i Gjermanisë së re.
Winston Churchill kishte bërë një propozim të ngjashëm për Evropën dy ditë më parë në Cyrih, por asokohe ai nuk ishte në pushtet. Duke qeverisur mes humbjes dhe ndarjes, Adenaueri pati propozuar një ndarje të pacaktuar (ndoshta të përhershme) të vendit të tij, duke e integruar atë në një strukturë të sapolindur evropiane.
Vendi, nacionalizmi i të cilit kishte shkaktuar dy luftëra botërore, tash e tutje do të mbështetej tek bashkëpunimi me armiqtë e tij të mëhershëm. Kthimi i kokës nga perëndimi u provua të ishte thelbësor. Zgjedhja e Bonit si kryeqyteti i ri, i gjendur në pjesën më perëndimore të Gjermanisë, me lidhje të ngushta me Evropën Perëndimore, ishte simbolik. Adenauer-i e bindi Parlamentin të zgjidhte Bonin sepse, siç tha me ironi, e donte kryeqytetin të ishte në rajonin e verës, dhe jo në mesin e fushave me patate, por jo më pak për shkakun se vendlindja, fshati Rhöndorf (me një popullsi prej rreth 1.000 banorësh) nuk qe i përshtatshëm për një kryeqytet.
U desh i gjithë personaliteti dhe statura e Adenauerit, për të vënë në jetë këto vizione. Kundërshtimet erdhën kryesisht nga Partia Socialdemokratike, e cila ndërsa qe pro demokracisë, këmbëngulte për një politikë kombëtare të neutralitetit. Opozita përfshinte gjurmë të konservatorëve gjermanë, ku njëri nga zëdhënësit e saj qe ish-kancelari Heinrich Brüning, përmbysja e të cilit në vitin 1932 i kishte hapur rrugën Hitlerit.
Adenaueri u shfaq i patundur. Ai e bëri rigjenerimin demokratik prioritetin e tij kryesor, si një parakusht për integrimin në Evropë. Një reputacion i përtërirë mbi besueshmërinë qe jetik. Manovrimi mes superfuqive, do ta shkatërronte besimin, dhe përsëriste tragjeditë historike. Politika e jashtme e Adenauer-it, u themelua mbi imperativin moral të demokracisë. Ai parashikoi një progresion të pamëshirshëm drejt qëllimeve binjake, të një partneriteti të sigurisë me Amerikën dhe integrimin politik me Evropën.
Marrëveshja e Petersbergut, e vitit 1949, u pasua nga bisedimet mbi mbrojtjen evropiane, të nxitura prej Luftës së Koresë, dhe bazat ushtarake sovjetike në Evropën Qendrore. Ndërsa NATO ishte formuar, Adenauer u bëri thirrje vendeve evropiane të bashkonin përpjekjet për krijimin e Komunitetit Evropian të Mbrojtjes. Pasi Kuvendi francez e hodhi poshtë këtë koncept, Adenauer ra dakord, në vitin 1954, për Marrëveshjen e Parisit, e cila i tha fund pushtimit të Gjermanisë Perëndimore, riafirmoi sovranitetin e saj dhe i hapi rrugën anëtarësimit në NATO.
Kulmi ishte vizita e Adenauerit në Uashington në vitin 1955. Kur u luajt himni kombëtar gjerman, në momentin që po kryente homazhe në varrin e ushtarit të panjohur, Adenauer e përshkroi atë si momentin më mallëngjyes të jetës së tij. Nga marrëveshja mes Francës dhe Gjermanisë, në vitin 1951, për themelimin e Komunitetit të Qymyrit dhe Çelikut tek Traktati i Romës në vitin 1957, që krijoi Komunitetin Ekonomik Evropian, Adenaueri, duke punuar me udhëheqësit e urtë francezë, mposhti njërën prej armiqësive që trashëgonte historia botërore. Brenda 6 vjetësh, ai e kishte zhvendosur Gjermaninë nga një vend i urryer dhe i izoluar, në një anëtar të barabartë në marrëveshjet politike dhe të sigurisë, të papara në historinë evropiane.
Kjo u bë e mundur nga fryma e kreativitetit amerikan, që me Planin Marshall dhe krijimin e NATO-s mposhti izolacionizmin e Amerikës së para Luftës së Dytë Botërore. SHBA-ja u bë lidhja kryesore e Gjermanisë me sigurinë përmes NATO-s dhe për rimëkëmbjen ekonomike përmes Planit Marshall. Franca, si lidhja me Komunitetin Evropian, luajti një rol të ngjashëm.
Në Amerikë, këtë marrëdhënie e simbolizonte John Foster Dulles; në Francë, presidenti Charles de Gaulle. Ata të dy përfaqësonin për Adenauerin elementët e aftë për stabilizimin e stuhive të pashmangshme që mund të ndodhnin në të ardhmen. Në këtë kuptim, Adenaueri e pa Evropën si një korrigjuese të mundshëm të luhatjeve, në të cilat përgjegjësitë globale dhe një shqetësim i caktuar binte mbi SHBA-në. Kur në vitin 1956, Guy Mollet, kryeministri i Francës, krijoi një çarje mes detyrimeve të NATO-s dhe udhëheqjes amerikane në krizën e Suezit, Adenauer mbrojti strukturat ekzistuese si mjaftueshëm fleksibël për të rifituar vitalitetin e përbashkët: “Evropa do të jetë hakmarrja juaj”- tha ai.
Kam pasur privilegjin të dëgjoj vizionin e Adenauer, gjatë disa bisedave të gjata me të, në një periudhë 10-vjeçare. Mirësjellja dhe qetësia, qenë tiparet e tij më të paharrueshme. Ai e mori detyrën, ndoshta, në pikën më të ulët të historisë gjermane. SHBA ndodhej në zenitin e fuqisë dhe vetëbesimit të saj.
Adenauer e pa detyrën e tij si rindërtimin e vlerave të krishtera dhe demokratike, nëpërmjet skemave të reja për institucionet tradicionale gjermane dhe ato evropiane. Amerika kishte objektiva njëlloj të mëdha dhe, kohë pas kohe, i ndoqi ato me një siguri këmbëngulëse. Për Adenauerin, rindërtimi i Evropës ishte një rizbulim i vlerave të lashta; për Amerikën, zbatimi i atyre që mbizotëronin. Për të pasur sukses, Adenauer mendonte se qe e nevojshme të stabilizonte shpirtin e Gjermanisë; për Amerikën, të mobilizonte idealizmin ekzistues.
Herë pas here ka pasur variacione, sidomos kur optimizmi amerikan mbivlerësonte qëllimin për struktura shumë të brishta dhe kujtimet historike divergjente. Megjithatë, marrëdhënia atlantike midis Bonit dhe Uashingtonit, transformoi botën e copëtuar që trashëgoi, dhe ndihmoi në krijimin e një gjysmë shekulli paqeje midis fuqive të mëdha. Ky sistem është tashmë nën presion nga trazirat e njëkohshme në disa kontinente. A mund të shërojë ai një botë të fragmentuar, përmes rizbulimit të bindjes dhe krijimtarisë mbi të cilin u ndërtua?
Përshtati për Tirana Today, Alket Goce
*Henry Kissinger ka shërbyer si këshilltar i sigurisë kombëtare dhe sekretari i shtetit nën presidentët Nixon dhe Ford. Ky artikull është përshtatur nga një fjalim i datës 25 prill, në Fondacionin Konrad Adenauer.