Nga: Preç Zogaj
Partia Demokratike po shkon drejt finalizimit të një beteje politike të panjohur në historinë e saj, ku për herë të parë Sali Berisha nuk është në pozicionin e kryetarit që përjashton e mënjanon kundërshtarët dhe njerëzit që nuk mendojnë si ai, por në rolin e përmbysur të sfidantit të kryetarit.
Po ashtu, për herë të parë përplasja nuk është për çështje të zakonshme të diversitetit të mendimeve e qëndrimeve, që është një standard i funksionimit të Partive të qendrës së djathtë e duhet të jetë edhe për PDSH-në, por për një çështje të identitetit të Partisë, duke qenë se përplasja ka në themel vendimin e SHBA për shpalljen non grata të Sali Berishës dhe lidhur me këtë vendim largimin e tij të përkohshëm nga grupi parlamentar prej Lulzim Bashës me kërkesën ngulmuese të Uashingtonit, shoqëruar me paralajmërimin publik se SHBA do të ndërpresë çdo marrëdhënie me PD-në e do ta izolojë atë nëse e mban Berishën pjesë të grupit parlamentar. Në lojë, pra, janë marrëdhëniet me SHBA, për të cilat nuk mund të ketë divergjenca. Kush mendon se PD mund të jetë e izoluar, në rupturë me SHBA apo përballë saj, është vetvetiu i vetëpërjashtuar në raport me përcaktimet programore të kësaj partie që në lindje të saj.
Foltorja e Berishës filloi dhe ka vazhduar si reagim ndaj vendimit të Bashës si derivat i vendimit amerikan. Përtej gjithë temave që ka hapur në përpjekjen për të mbledhur rreth vetes sa më shumë demokratë të pakënaqur me kryetarin legjitim të zgjedhur para tre-katër muajsh me parimin “një anëtar, një votë”, tashmë është bërë e qartë për këdo se qëllimi i parë dhe i mbramë i Berishës është shkarkimi i Bashës dhe marrja sërish e timonit të partisë me të dyja duart, siç e ka pasur deri në vitin 2013.
Basha i ka qëndruar larg deri tani kësaj beteje brenda llojit. Por zbritja e tij në fushë ngjan të jetë e pashmangshme. Zaret janë hedhur. Koha po shtrëngon. Pyetja e pyetjeve që shtrohet sot para demokratëve pa dallim është ku i çon Berisha, ku i çon Basha. Ky gjykim përcakton si asnjëherë tjetër të ardhmen e PD-së. Ai duhet të ngrihet mbi lidhjet, nostalgjitë, simpatitë, afërsitë, nderet, hatërmbetjet personale, hyra apo nuk hyra në listë, u zgjodha apo nuk u zgjodha deputet në zonë të sigurt, mora apo nuk mora post publik.
Është një gjykim që duhet bërë pa emocione, me qetësi, me kthjelltësi e largpamësi politike, duke vënë në plan të parë interesin e vetëm madhor e të përbashkët të demokratëve në opozitë, që është fuqizimi dhe rikthimi i Partisë Demokratike në pushtet; duke vënë në peshore skenarët më realë, shanset më reale të ecjes përpara dhe fitores në kontekstin e ngjarjeve dhe zhvillimeve konkrete politike të kësaj periudhe.
Në ketë moment nuk janë në ballafaqim e përballje as historia, as përvoja, as mosha, as gabimet, as humbjet e Berishës dhe Bashës. Këta të dy i kanë privuar demokratët nga një ballafaqim i tillë që mund të kishte pasur kuptim dhe vlerë në kohën e duhur, fjala vjen në fushatën e zgjedhjeve në parti pas 25 prillit të këtij viti, kur Berisha nuk ishte shpallur non gratta. Por, siç dihet, edhe në këto zgjedhje Berisha e orientoi drejt Bashës pëlqimin e tij dhe partia do të kishte vazhduar kështu edhe katër vite të tjera po të mos prekej personalisht nga dy ngjarjet e lartpërmendura.
Këto dy ngjarje të lidhura në një e kanë ndarë në dysh kohën e PD-së, i kanë ka vënë markën lëvizjes së Berishës si lëvizje hakmarrëse ndaj Bashës dhe sfiduese ndaj SHBA në qëllimin final. Në versionin e suksesit, ajo do të lexohej me shumë të drejtë kështu: Me kërkesën e SHBA-ve, Basha e pezulloi Berishën, mbështetësit e rikthyen kryetar.
Berisha, si gjithkush tjetër në pozitën e tij, do të kërkonte legjitimisht të mbrohej e të çlirohej nga morsa e emërimit “non grata”, duke zgjedhur rrugët më të arsyeshme. Ai kishte lënë të kuptohej në fillim se nuk do ta përfshinte Partinë Demokratike në përpjekjen e tij individuale. Ky ishte një qëndrim logjik, i drejtë. Partia nuk mund të bëjë asgjë për të ndihmuar Berishën në problemin e tij konkret. Vetëm një PD në pushtet, në marrëdhënie të ngushta me SHBA, mund ta ndihmojë. Ndërkohë që Berisha vetëm e dëmton Partinë duke kërkuar ta bëjë njësh me pozitën e tij prej të shpalluri non grata. Si për të treguar se nuk u besonte zgjidhjeve vetjake që kishte njoftuar, ai e ndryshoi qëndrimin, e përfshiu partinë.
Çfarë do të ndodhte nëse Berisha merr kryesimin e Partisë Demokratike në këto kushte. SHBA, siç e kanë bërë të qartë vetë, deklarojnë menjëherë ndërprerjen e çdo marrëdhënieje me Partinë Demokratike. Për këtë parti fillon një periudhë e panjohur izolimi nga partneri strategjik, e pangjashme në çdo pikëpamja me rastet e mëparshme të ftohjes me SHBA për shkak të përplasjes së ambasadorëve dhe zyrtarëve të ndryshëm amerikanë me Berishën. Ftohja për qëndrime të caktuara dhe izolimi për shpallje të padëshirueshme janë dy gjëra që ndryshojnë shumë, gati si nata më ditën. Kush mendon se Berisha mund të çojë drejt fitores një parti të izoluar nga SHBA, le ta thotë hapur, burrërisht, para gjithë demokratëve, gjithë shqiptarëve. Pa spërdredhje, pa u fshehur prapa tymnajave. Unë them “jo, nuk e çon dot kurrë”. Për shkak të mbylljes së ciklit politik në vitin 2103, nuk e çon as po të kishte medalje. E jo më non gratta. E unë e përsëris se shkoi më larg: lideri i ndriçuar shqiptar duhet të investohet për mirënjohjen ndaj SHBA dhe të mos kalëroje kurrë ndonjë fluks antiamerikan enveristësh e lindorësh. Apo injorantësh e trushpëlarësh që nuk shohin përtej hundës së tyre.
Tema e implikimeve amerikane në luftën që ka ndezur Berisha është tema kardinale, është kryesorja dhe duhet të trajtohet si e tillë me gjithë demokratët. Temat e tjera të demokracisë së brendshme apo gabimeve strategjike siç janë djegia e mandateve dhe bojkotimi i zgjedhjeve vendore duhen diskutuar me qetësinë e nevojshme postfaktum. Personalisht e kam thënë fjalën time për këto tema e vendime kur po ndodhnin. Në konfigurimin e tanishëm të konfliktit brenda partisë këto tema po përdoren jo për analizë, por për të zhurmuar kryesoren: kontekstin amerikan, implikimet amerikane.
Për të bërë diferencë me opozitën brenda Kuvendit e për të mbajtur të karikuar mbështetësit e tij deri në rimarrjen e timonit të PD-së më të dyja duart, Berisha me të tijtë i mëshojnë radikalizmit ekstrem. Ndjekësit e painformuar, të iluduar apo të verbuar nga militantizmi i verbër, e lexojnë drejt dhe e shprehin thjesht e qartë në rrjete kuptimin e ligjërimit të tij radikal. E kuptojnë si përmbysje dhe marrje të pushtetit me forma të dhunshme. Ata përfytyrojnë se pasi të kenë mbaruar punë shpejt me Bashën dhe me selinë e PD-së, do të marrin Kryeministrinë dhe në këtë mënyrë qeveria e Ramës bie. Ata shohin këtu diferencën e Berishës me Bashën. Ky nuk i finalizoi dot protestat e dhunshme, kurse Berisha do t’ia dalë. Dikush nga brenda foltores duhet të marrë guximin e përgjegjësinë dhe të shqiptojë një princip elementar të demokracisë: Protestat janë një e drejtë demokratike, ato janë shumë të dobishme për t’u dhënë mundësi qytetarëve të shprehin kërkesat, qëndrimet apo dufin e tyre kundër qeverisë. Por pushteti merret vetëm me votë, vetëm me politikë. Me dhunë mund të merret për disa orë apo edhe për pak ditë selia e qeverisë apo seli të tjera të shtetit. Siç ka ndodhur edhe në Shqipëri, në shtator të vitit 1998. Asgjë më shumë. Pushteti nuk është ndërtesë. Është gjë tjetër. Partia Demokratike dhe opozita e kanë provuar pas djegies së mandateve kalimin e kufirit që ndan protestat demokratike paqësore nga protestat me elementë të dhunës. Ditën kur ishte parashikuar apo kishin dalë fjala se protesta e radhës do të hidhej e gjitha përtej këtij kufiri “për t’i dhënë fund”, siç ishte shprehja e ditës, SHBA i paralajmëroi krerët e opozitës se dhuna nuk do të tolerohej, se po u kapërcye kufiri i së lejueshmes, PD do të shpallej nga SHBA organizatë e dhunshme, që është paradhoma e shpalljes organizatë terroriste. Kushdo mund ta bëjë vetë arsyetimin se cili do të ishte qëndrimi i SHBA ndaj protestave të dhunshme të thirrura nga një drejtues i shpallur non grata.
E cekëm më lart se amerikanizmi në PD nuk është një çështje e diversitetit të mendimeve në parti, në kuptimin që disa janë pro e disa janë kundër dhe mund të rrinë bashkë në një parti. Për Partinë Demokratike që nuk i ka pranuar fraksionet dhe diversitetin e mendimeve që nga viti 1991 e këndej do të ishte ironia më e madhe të fuste “diversitetin” për një çështje që është identiteti dhe ADN-ja e saj. Natyrisht, me përjashtim të disa mbështetësve, që reklamojnë aty-këtu në media shembuj pa lidhje me Shqipërinë të suksesit të antiamerikanizmit në vende të ndryshme, duke e lexuar e madje promovuar vetvetiu si antiamerikane lëvizjen e Berishës, ky dhe të tjerët rreth tij thonë se do të ndërtojnë marrëdhënie të shkëlqyera me SHBA. Gjithkush dhe kurdoherë mund ta thotë këtë. Qoftë sepse e ndjen, qoftë për hipokrizi politike. Puna është a të don pala tjetër. Pa palën tjetër, pa të zotin e punës në rastin për të cilin po flasim, pra, pa të dashur SHBA-të, nuk mund të ndërtosh marrëdhënie me të. Të asnjë niveli e jo më të shkëlqyera. Për momentin dhe për një kohë të pacaktuar, deri sa të jetë non grata, Berisha nuk do të ketë asnjë mundësi të krijojë lidhje bashkëpunimi me SHBA. Partia i duhet si kapsulë mbrojtëse, si mjet presioni, si barkë shprese në vlimin e ngjarjeve, në pritje që horoskopi të kthehet në favor të tij. Kjo pritje nga pozitat e një sfiduesi të SHBA është pa afat dhe pa indikacione suksesi.
Paralel me versionin se Berisha do të kandidojë vetë, qarkullon versioni se do të verë një tjetër. Këtu Berisha përmbush hakmarrjen ndaj Bashës me çmimin e ndarjes së partisë, por problemi me SHBA kthehet në pikën e nisjes. Në rastin me të mirë, të riut do t’i bëhet e njëjta kërkesë nga SHBA.
Ngado që ta marrësh me Berishën në krye të Partisë apo me një kryetar tjetër që del nga vullneti dhe interesi i tij në rrethanat e shpalljes non grata, rrugën e kthimit të PD-së në pushtet e shoh pa krye, të mbyllur.
Për Bashën pritet zbritja e tij në fushë si kryetar i çliruar nga hija e Berishës. Deri tani ka qenë i justifikuar t’i rrijë mënjanë betejës brenda llojit, por me shtrëngimin e kohës ua ka detyrim demokratëve dhe publikut të thotë të vetat, jo thjesht në kuptimin e polemizimit me Berishën- kjo po e po-, por të shkojë me tej duke ilustruar vizionin e tij për modernizmin e Partisë.
Aktualisht, së paku në raport me SHBA-të dhe për peshën që kanë SHBA në Shqipëri, rruga e suksesit të PD-së është hapur. E kanë deklaruar publikisht, për herë të parë pas jo pak vitesh, vetë përfaqësuesit zyrtarë të SHBA që kanë përshëndetur vendimin e Bashës dhe kanë sjellë në zyrën e tij në PD mesazhe të qarta të bashkëpunimit e mbështetjes. Natyrisht, rruga e hapur është një premisë e fortë për sukses, por jo vetë suksesi. Sfidat janë të mëdha, “kantieri” PD kërkon shumë punë për të shkuar drejt fitores. Kjo është një temë e vijimit të këtij shkrimi.