Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka dekretuar ditën e sotme, shpalljen e katër ligjeve, që ratifikojnë marrëveshje ndërkombëtare të Shqipërisë, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Gjermaninë.
Dekretimi i këtyre 4 ligjeve, vjen njq ditë pasi Kuvendi e shkarkoi Metën me 104 vota pro, megjithëse fjalën e fundit për fatin e Kreut të Shtetit, e ka Gjykata Kushtetuese.
Njoftim i Institucionit të Presidentit të Republikës
10 qershor 2021
Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta, ka dekretuar sot shpalljen e katër ligjeve, që ratifikojnë marrëveshje ndërkombëtare të Republikës së Shqipërisë, lidhur me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Republikën Federale të Gjermanisë.
Konkretisht, Presidenti i Republikës:
– Me Dekretin nr. 13096, datë 09.06.2021, ka shpallur Ligjin nr. 67/2021 “Për ratifikimin e traktatit të ekstradimit ndërmjet qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.
– Me Dekretin nr. 13097, datë 10.06.2021, ka shpallur Ligjin nr. 68/2021 “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë për bashkëpunim financiar 2018, për projektin “Programi për menaxhim të qëndrueshëm dhe miqësor me klimën në sektorin e mbetjeve (DKTI)””.
– Me Dekretin nr. 13098, datë 10.06.2021, ka shpallur Ligjin nr. 69/2021 “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë për bashkëpunim financiar 2019 për projektin “Rehabilitimi i hidrocentralit të Fierzës (DKTI)””.
– Me Dekretin nr. 13099, datë 10.06.2021, ka shpallur Ligjin nr. 70/2021 “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë për bashkëpunim financiar 2018 për projektin “Programi i investimeve për zhvillim të integruar rajonal”.
Kuvendi shkarkoi Metën
Me 104 vota pro, 7 kundër dhe 3 abstenim, Kuvendi vendosi që Kreu i Shtetit duhet të lerë postin e tij, teksa fati i tij tashmë është në dorë të Gjykatës Kushtetuese.
Sipas Komisionit hetimor, Meta ka kryer 9 shkelje, duke nisur që nga betimi i tij si president, te cënimi i procesit zgjedhor, i marrëdhënieve me partnerët strategjikë të Shqipërisë, imazhit dhe reputacionit të vendit, cënimi i figurës së vetë institucionit të Presidentit apo dhe abuzim me kompetencat kushtetuese të Presidentit.
Kjo është nisma e dytë përmes një komisioni të dytë hetimor që ngrihet për hetimet e shkeljeve kushtetuese për Metën brenda 2 viteve, ku mazhoranca kërkonte shkarkimin e tij nga detyra.