Një ditë pas marrëveshjes me PD, Bamir Topi jep dorëheqjen nga drejtimi i FRD

Ish Presidenti dhe Kryetari i Frymës së  Re Demokratike (FRD), Bamir Topi, ka dhënë dorëheqjen nga drejtimi i partisë të cilën e themeloi disa vite më parë. Dorëheqja e Topit është e pakthyeshme dhe e parevokueshme.

“Në shprehje të vullnetit TIM, deklaroj dorëheqjen në mënyrë të menjëhershme dhe të parevokueshme, nga detyra e Kryetarit të Partisë “Fryma e re Demokratike”, thuhet në letrën e dorëheqjes, teksa nuk jepet arsyeja e këtij vendimi.

Ky vendim vjen një ditë pasi përfaqësuesi i FRD-së, Sali Shehu firmosi marrëveshjen me kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, për të qenë pjesë e koalicionit opozitar në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.

Lulzim Basha firmosi një ditë më parë koalicionin “Aleanca për Ndryshim” dhe e dorëzoi atë në KQZ, për regjistrim. Pjesë e këtij koalicioni është Partia Demokratike, Partia Republikane, Partia Agrare Ambientaliste, Partia per Drejtesi Integrim dhe Unitet, Lëvizja për Zhvillim Kombëtar, Partia Demokristiane, Partia Fryma e Re Demokratike, Partia e Ballit Kombëtar, Partia Bashkimi per te Drejtat e Njeriut, Partia Bashkimi Liberal Demokrat, Partia Bashkimi Demokrat, Partia Mendimi i Djathtë Liberal, Partia Lëvizja e Legalitetit, Partia Kristian Demokrate.