Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi, në fjalimin hapës në sesionin e ri parlamentar, ka bërë një bilanc të shkurtër të projektligjeve të miratuara gjatë sesionit të kaluar.
Nga foltorja e Kuvendit, Ruçi tha se Kushtetuta u rezistoi aventurave duke shpëtuar kështu sistemin demokratik të Shqipërisë nga anarkia dhe kaosi.
Mirëpo, ndërsa në Kuvend po mbahet sesioni i ri, jashtë godinës janë mbledhur aktivistë dhe prindër të fëmijëve me sindromën down, të cilët po protestojnë kundër një deklarate të deputetit Myslym Murrizi.
Pak ditë më parë, deputeti Murrizi, në një status në rrjetet sociale ka replikuar me ndjekësit e tij, ndërsa njërin prej tyre e ka quajtur “Down”.
“Brahim Myftaraj pse ashtu e kupton ti si intelektual??? O pika qe nuk ju bie. Pse kjo ndrikulla eshte problemi apo rama, damiani, beqa, kajmaku valdrini??? Ik qerohu se me vjen te vjelle kur shoh qe nje dawn komenton ne fb tim”, ishte replika e Murrizit me një komentues në “Facebookun” e tij.
Kjo përgjigje ka shkaktuar reagimin e Fondacionit “Down Syndrome Albania”, teksa deklaron se për këtë akt, janë nisur procedurat për ta ndjekur si çështje duke iu drejtuar institucioneve përkatëse, që kanë kompetencat që ndaj deputetit të merren masat disiplinore, apo çdo lloj mase tjetër.