Avokati i njohur, Spartak Ngjela, ka folur mbi zhvillimet politike në vend. Në një intervistë për gazetën “SOT” i pyetur mbi faktin se Bashkimi Evropian kërkon arrestimin e politikanëve të korruptuar si kusht që vendi më pas të hyjë në BE dhe nëse kanë ndërkombëtarët një listë me emra që SPAK duhet t’i arrestojë, avokat Ngjela theksoi se fakti që nivelet e larta të politikës perëndimore sidomos të Bashkimit Evropian kuptohet se në SPAK kanë ardhur denoncimet. Sipas tij, shenjat janë që me këtë klasë politike kjo nuk bëhet, ndërsa vijoi më tej duke thënë se çfarë do të bëjë NATO dhe Uashingtoni duhet që të presim. Sa i takon takimit të ambasadores së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Yuri Kim e cila pak ditë më parë një takim me gjyqtarë të Shkallës së Parë, u ka dhënë mesazhin që të japin vendimet e duhura për fatin e vendit, Ngjela tha se ajo tha qartë se janë të trembur dhe janë të blerë. Ndër të tjera, avokati Spartak Ngjela, theksoi se kur në një shtet korrupsioni ka bllokuar të gjithë shtetin edhe pushtetin gjyqësor dhe atë administrativ vepron ushtria. Lidhur me rrëzimin e padisë nga SPAK për ish-presidentin Ilir Meta dhe ish-kryeministrin Sali Berisha për vjedhjen e Floririt të Krrabës, dhe nëse mendon se ish-presidenti Ilir Meta dhe ish-kryeministri Sali Berisha i kanë zhdukur të gjitha provat, ai tha se është i parashkruar, dhe sipas avokatit nëse ka thënë SPAK se ka kaluar shumë kohë nuk mund të ngrihet më padi. Avokati Spartak Ngjela, foli gjithashtu edhe mbi miratimin e projektligjit nga Kuvendi për pastrimin nga politika për spiunët. I pyetur nëse mendon se Ilir Meta dhe Sali Berisha këtë herë nuk mund të shpëtojnë nga përjashtimi nga politika, ai tha se nuk di të flas për emra, por ardhja në pushtet e Partisë Demokratike në vitin 1992 ka pastruar agjenturën e sigurimit që ishte e depozituar në SHIK dhe kanë menduar se kanë shpëtuar, mirëpo kanë gabuar sepse ato janë të depozituara edhe jashtë, madje edhe në analet e politikës së Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sa i përket sulmeve të shtuara të ish-kryeministri Sali Berisha ndaj ndërkombëtarëve, veçanërisht ndaj britanikëve, pasi ka akuzuar ambasadorin e Britanisë së Madhe se do hap gjyq kundër Londrës, ai tha se këto janë broçkulla të Berishës.
-Zoti Ngjela, Bashkimi Evropian kërkon arrestimin e politikanëve të korruptuar si kusht për të hyrë në Bashkimin Europian, a kanë ndërkombëtarët një listë me emra që SPAK duhet t’i arrestojë?
Fakti që nivelet e larta të politikës perëndimore sidomos të Bashkimit Evropian kuptohet se në SPAK kanë ardhur denoncimet. Sepse po të mos kishin ardhur denoncimet nuk do ta kërkonin dhe fakti tjetër është ambasadorja amerikane e cila tha se në këto momente SPAK po ngelet i paralizuar nga frika dhe nga blerja. Si do eci ngjarja jonë në funksion të reformës shqiptare antikorrupsion? Për këtë duhet që të presim por shenjat janë që me këtë klasë politike kjo nuk bëhet, se çfarë do të bëjë NATO dhe Uashingtoni duhet që të presim, por që duhet që të veprojnë me forcën e madhe politike që kanë kjo gjë nuk ka diskutim. Zakonisht në shtete të tilla, për ti shpëtuar shtetet ata kanë ndërhyrë edhe me forcën e tyre ushtarake, por duhet që të shohim se çfarë do të ndodh këtu. Të korruptuarit në vend janë duke u treguar naiv sepse 60% të tyre e kanë shpresën tek Rusia, ndërkohë që politika amerikane jua ka provat. Këtë gjë foli edhe Taulant Balla në Kuvend, ai tha hajde Sali se këtu se rubla, pra sipas të dhënave të mia politika perëndimore dhe ajo amerikane kanë të dhëna që korrupsioni shqiptar e ka shpresën tek Rusia, por ky është vendi i NATO dhe nuk mund të ndërhyjë dot askush. Dhe çfarë do bëjë forca e politikës perëndimore për të shpëtuar popullin nga zgjedha e korrupsionit?. Unë mendoj se do veprojë me forcë, por duhet që të presim.
-Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Yuri Kim ka zhvilluar pak ditë më parë një takim me gjyqtarë të Shkallës së Parë, ku ua ka bërë të qartë gjyqtarëve të GJKKO se do të vijojnë të kenë përkrahjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe i ka dhënë mesazhin që të japin vendimet e duhura për fatin e vendit. Si e shihni këtë deklaratë?
Ajo ju tha që kanë frikë, janë të trembur dhe janë të blerë. Kur në një shtet korrupsioni ka bllokuar të gjithë shtetin edhe pushtetin gjyqësor dhe atë administrativ vepron ushtria. Por duhet që të dimë se mazhoranca nga anon? Nga ajo që dëgjova nga kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla në Kuvend, unë kuptova se anon nga forca për të vendosur rendin antikorrupsion për Shqipëri.
-SPAK ka rrëzuar padinë për ish-presidentin Ilir Meta dhe ish-kryeministri Sali Berisha për vjedhjen e Floririt të Krrabës me pretendimin se ka kaluar shumë kohë dhe grabitësit janë dënuar kohë më parë dhe ajo çështje është mbyllur, mendoni se Meta dhe Berisha i kanë zhdukur të gjitha provat?
Është i parashkruar, nëse ka thënë se ka kaluar shumë kohë dhe nuk ngrihet më padi.
-Gjithashtu Kuvendi ka hapur rrugën edhe për pastrimin nga politika për spiunët, mendoni se ish-presidenti dhe kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta dhe ish-kryeministri Sali Berisha këtë herë nuk mund të shpëtojnë nga përjashtimi nga politika?
Nuk di të flas për emra, por ardhja në pushtet e Partisë Demokratike në vitin 1992 ka pastruar agjenturën e sigurimit që ishte e depozituar në SHIK dhe kanë menduar se kanë shpëtuar, mirëpo ata kanë gabuar sepse ato janë të depozituara edhe jashtë, madje edhe në analet e politikës së Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Këto që po dalin nga vijnë? Kam përshtypjen se këto vijnë nga analet amerikane, të cilat i kanë marr në momentet kur Shqipëria aderoi për të hyrë në perëndim. Duhet që të shohim se si do të vijojnë ngjarjet, është SPAK për të cilën Amerika thotë se është i trembur dhe i blerë, është reforma në drejtësi e cila nuk po realizohet, është e provuar që krerët e politikës së lartë kanë bërë korrupsion masiv dhe janë pasuruar me paratë e popullit.
-Ish-kryeministri Sali Berisha ka shtuar sulmet ndaj ndërkombëtarëve, veçanërisht ndaj britanikëve, pasi ka akuzuar ambasadorin e Britanisë së Madhe në vendin tonë si të korruptuar dhe ndërkohë ka paralajmëruar se do hap gjyq kundër Londrës, sepse siç thotë ai e kanë shpallur “non grata” pa prova. Si ju duket ky kurs i ish-kryeministrit Sali Berisha? Ku do ta hapi gjyqin ai në Londër? Po ju mendoni se Britania s’ka prova për Saliun?
Patjetër, por që provat çohen në një gjykatë, le ti hedh ai në gjykatë britanike dhe atje je i detyruar që të bësh mbrojtjen dhe ata të paraqesin provat, por nëse ata paraqesin provat që ato bëhen publike atij i shkatërrohet i gjithë profili i vet politik në Shqipëri. Kështu që të gjitha ato që thotë ai janë broçkulla.
-Keni një koment mbi lëvizjet e Partisë Demokratike për t’u bashkuar?
Nuk kemi shenja të sakta. Pastaj një gjë është e sigurt që partia ligjore Demokratike nuk mund të bashkohet me pjesën tjetër sa kohë që atje është Saliu sepse është “non grata” nga Shtete e Bashkuara të Amerikës sepse ata kanë thënë se nëse Partia Demokratike bashkohet me Berishën atëherë ata do ta shpallin Partinë Demokratike të gjithën “non grata”.
-Sipas jush, sa të suksesshëm do jenë ish-presidenti Ilir Meta dhe ish-kryeministri Sali Berisha për të mbushur sheshet me protestues, me qëllim rrëzimin e qeverisë?
Ata nuk kanë fuqi për të bërë protesta, sepse nuk i përkrah populli. /gazeta SOT