Nga: Mujtaba Rahman “Politico.eu”
2021 është viti kur Evropa do të duhet të mësojë që të jetojë pa Angela Merkelin. Kancelarja gjermane do të tërhiqet në vjeshtë pas më shumë se 15 vitesh në detyrë, dhe të paktën një dekadë si udhëheqësja e pa diskutueshme e Evropës. Është një tranzicion, që ka rreziqet e veta.
Dhe rreziku nuk lidhet me atë që do ta zëvendësojë. Përkundrazi, buron nga boshllëku që ajo do të lërë në Evropë. Pavarësisht hiperbolës së disa analistëve, të gjithë pretendentët për ta zëvendësuar atë – Armin Lashet, Friedrih Merc, Norbert Retgen, Markus Soder dhe Jens Shpan – janë politikanë të establishmentit, edhe pse disa janë më konservatorë, dhe më në ekstreme se sa të tjerët.
Më e rëndësishmja: koalicioni që do të dalë nga zgjedhjet e shtatorit, ka të ngjarë të jetë “Zi-Gjelbër” – që përfshin partitë e Unionit Kristiandemokrat të Merkelit (CDU) dhe Unionit Kristiansocial në Bavari (CSU) në një aleancë me të Gjelbrit. Tek e fundit, ky do të jetë një lajm i mirë për Gjermaninë, dhe një lajm i mirë për Evropën.
Por në periudhën afatshkurtër dhe afatmesme, largimi i Merkel do të lërë një boshllëk të madh, të cilin nuk mund ta mbushë me besueshmëri asnjë udhëheqës i BE-së. Sigurisht që presidenti francez Emanuel Makron do të përpiqet t`a bëjë këtë, por pa Merkelin, ose mundësinë e pasjes së një partneri të fortë në Berlin, ai nuk do të ketë sukses.
Makron është një figurë shumë më përçarëse, me ide më ambicioze, por edhe të shumë diskutueshme rreth reformës së cilës duhet t’i nënshtrohet BE-ja. Ai do të përpiqej të ishte më pak i prirur – të respektonte kompromiset delikate mbi të cilat është ndërtuar Bashkimi Evropian.
Dhe kjo bie në kontrast me aftësitë e shkathta politike të udhëheqëses gjerman, të cilat u demonstruan mjeshtërisht në fund të vitit të kaluar. Nën udhëheqjen e Merkel, presidenca gjermane e BE-së, ishte në gjendje të garantonte rimëkëmbjen ekonomike të Evropës, me një marrëveshje mbi fondin e rëndësishëm të rimëkëmbjes prej 750 miliardë eurosh, përballë kundërshtimit të vendosur nga Hungaria dhe Polonia.
Gjithashtu ajo arriti të përfundonte një marrëveshje tregtare me Britaninë e Madhe dhe një marrëveshje investimi me Kinën, vlera reale e së cilës është korniza dhe baza për një bashkëpunim më të gjerë politik dhe strategjik që ato ofrojnë në të ardhmen.
Si të mos mjaftonte kjo, ajo arriti gjithashtu të përmirësojë ambicien e BE-së për klimën dhe objektivin e uljes së emetimeve në atmosferë deri në vitin 2030. Ka pasur shumë kritika kundër Merkel dhe kompromiseve që ajo ndërmjetësoi. Akuza kryesore është se interesat e industriale brenda CDU-së e detyruan atë t’i përulej sërish liderëve autoritarë në Varshavë, Budapest dhe Pekin.
Tek kjo akuzë ka disa të vërteta. Por kritikët e Merkel i kushtojnë pak rëndësi kostove të rrugëve alternative. Merrni fondin e rimëkëmbjes. Nëse Merkel do të kishte ushtruar shumë presion mbi Varshavën apo Budapestin për sundimin e ligjit, do të rrezikonte forcimin e populistëve dhe ultra-nacionalistëve në të dyja vendet, pikërisht në momentin që ata po dobësohen.
Përjashtimi i anëtarëve nga fondet e BE-së – shtylla qendrore e anëtarësimit – do të kishte përçarë bllokun, dhe madje do të kishte krijuar një hapësirë të re për ndërhyrjen e Kinës dhe Rusisë. Kohezioni i BE-së do të ishte testuar më tej, ndërsa rimëkëmbja e saj ekonomike do të dobësohej.
Pa një mbështetje fiskale të besueshme të BE-së, Banka Qendrore Evropiane dhe ekonomitë periferike të mbytura në borxhe,do të viheshin nën presion. E gjithë kjo do të kishte një kosto shumë të lartë, dhe Merkel pati të drejtë që nuk e pagoi atë.
Sidomos pasi instrumenti i ri i sundimit të ligjit të BE-së, do t’i japë Brukselit me kalimin e kohë mundësinë të bëhet më i ashpër me udhëheqësit e korruptuar që shkelin vlerat themelore të unionit. A mund t’i kishte ndërmjetësuar Makron këto marrëveshje? Absolutisht që jo. Por pa presidentin francez, shumë prej këtyre ideve nuk do të ekzistonin. Fondi i rimëkëmbjes u krijua në Elize, dhe ishte përparësia kryesore politike evropiane e Makron që kur mori detyrën e presidentit në vitin 2017.
Po kështu, “autonomia strategjike” – korniza intelektuale e Parisit për pavarësinë e BE-së dhe rëndësinë e saj gjeopolitike – hodhi bazat për marrëveshjen e fundit të bllokut me Kinën. Traktati i Aheni i janarit 2019, ripërtëriu Traktetin franko-gjerman të Elizesë së vitit 1963, dhe i nxit të dyja vendet të vazhdojnë të jenëtë përkushtuara ndaj “forcimit të bashkëpunimit dhe integrimit”.
Sigurisht, dikush mund të argumentojë se Brexit, Donald Trump dhe pandemia e koronavirusit ishin po aq kritike sa edhe presidenti francez në ndryshimin e pikëpamjes së Merkel. Por kancelarja pa qartë nevojën për t’u zhvendosur nga ekuilibri i vjetër gjerman midis Atlantikut (NATO) dhe Evropës Lindore/Moskës, për të pasur lidhje më të forta me jugun e Evropës, përkatësisht Italinë dhe Spanjën, si dhe Francën.
Prandaj Macron mund të pretendojë se ka pasur sukses atje ku dështuan paraardhësit e tij Nikolas Sarkozi dhe Fransua Holond. Ai e bëri këtë pjesërisht sepse pati një vizion strategjik evropian për t’ua shitur gjermanëve, dhe nuk u kërkoi këtyre të fundit vetëm mbështetje financiare.
Por ndërsa Makron pret që të jetë një forcë udhëheqëse në Evropën post-Merkel, në realitet, ai do të ketë nevojë më shumë se kurrë për një partner simpatik në Berlin. Dhe kjo gjë është plotësisht jashtë kontrollit të tij.
Frika e tij më e madhe – shfaqja e një kancelari me “frena” ndaj kursit të BE-së, dhe që do të shohë më shumë punët e Gjermanisë sesa unionit – është në një farë mase e justifikuar. Lideri i ri i Gjermanisë, me gjasë i papërvojë duke pasur parasysh kandidatët, ka të ngjarë të jetë më i zënë me politikën e brendshme dhe menaxhimin e koalicionit sesa Merkel.
CDU dhe të Gjelbrit, nuk kanë bërë kurrë koalicione më parë. Kur bëhet fjalë për Evropën, ata ka të ngjarë të jenë të kujdesshëm. Për më tepër, energjia dhe përpjekjet e vetë Makron këtë vit, do të konsumohen kryesisht nga krizat shëndetësore dhe ekonomike të vendit.
Dhe kur të kemi udhëheqësin e ri të Gjermanisë, do të afrohen zgjedhjet presidenciale për Makron në pranverën e vitit 2022. Kjo do të bëjë që Parisi dhe Berlini të shohin për disa kohë problemet e veta, dhe Evropa do të drejtohet në mënyrë joefektive për 12 deri në 15 muajt e ardhshëm.
Burimi i lajmit: https://www.politico.eu/article/not-ready-for-europe-after-angela-merkel-germany/
Përshtatur nga TIRANA TODAY