Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko, në një lidhje ‘live’ për News24, sqaroi mes të tjerash statusin e tij që ngjalli shumë reagime. Ai falenderonte Kryepeshkopin Anastas Janullatos, duke lënë të kuptohej se ndërhyrja e këtij të fundit kishte zgjidhur situatën kaotike në Kakavijë.
Sipas tij, ky status nuk tregon se situata u zgjidh nga ndërhyrja e Janullatos, por ishte një situatë që kërkonte pikërisht të zgjidhej mes marrëdhëniesh njerëzore. Ai tha se të gjithë njerëzit që kishin njohje duhet të kontribuonin, dhe se këto gjëra nuk zgjidhen me urdhra. Majko shprehu vlerësimet më të larta për Anastas Janullatos, e ndërsa u angazhua në këtë proces pavarësisht moshës.
Pjesë nga intervista:
A ishte situatë e jashtëzakonshme në Kakavijë dhe a ishte e vonuar ndërhyrja e Shqipërisë për ta zgjidhur?
Mendoj se brenda 24 orëve, atje kanë qenë prezentë të gjithë forcat e nevojshme të strukturave administrative. Do të veçoja forcat e FA, që së bashku me policinë, çuan në zgjidhjen e situatës. Kjo situatë rrjedh nga një situatë më e gjerë e krijuar nga pandemia. Një pjesë e vështirësisë që kemi pasur, ka qenë në lidhje me faktin se edhe pala greke e kishte marrë vendimin, që nuk kishte të bënte me politikën, por me ekspertët atje. Ministrat Xhaçka dhe Lleshaj meritonin një falenderim për menaxhimin e situatës. Sot në Kakavijë nuk ekziston situata që ishte 24 orë më parë.
Ju thatë se keni kërkuar ndërhyrjen e kryepeshkopit Janullatos. Kur e kërkuan ndihmën e tij dhe si reagoi ai?
Kjo nuk ka rëndësi. Rëndësi ka që ne iu drejtuam të gjithë faktorëve, të gjithë strukturat shtetërore kanë qenë të angazhuara. Detajet janë të tepërta, kriza mund të konsiderohet e mbyllur dhe vlen të falënderohen të gjitha strukturat shtetërore që ndihmuan. Në fund të një krize duhet t’i falenderosh të gjithë ata që kanë ndihmuar. Shënimi në facebook kishte të bënte me strukturat shtetërore, por edhe me kryepeshkopin.
Pse kërkuat ndihmë prej tij?
Pse duhet të jetë kaq e jashtëzakonshme, se si më vajti mendja tek ai. Mendova se gjithë njerëzit që kishin njohje duhet të kontribuonin, sepse një pjesë e situatës u zgjidh nga njohjet, ishte një situatë që kërkonte marrëdhënie njerëzore. Këto gjëra nuk zgjidhen me urdhra, aq më tepër që situata në Greqi është si te ne. Marrëdhëniet njerëzore zgjidhen këtë situatë.
Çfarë e pengonte zgjidhjen e situatës, deri me ndërhyrjen e kryepeshkopit?
Ne duhet të ndalojmë menaxhimin e krizave kaq delikate, si kjo, me logjikat e facebookut. Facebook është një mekanizëm social për të ndarë mendime, por nuk është mekanizëm administrativ, që vlerëson punën e gjithsecilit. Sot që po flasim, unë jam në zyrën time dhe po drejtohem nga këtu. Kolegët e mi kanë qenë në krye të detyrës, Xhaçka ishte në vendngjarje. Në këtë situatë të pazakontë, ne u përpoqëm ta menaxhonim maksimalisht. Mund të zgjidhej më shpejt, por situata ishte e pakonceptuar nga të dyja palët.
U desh ndërhyrja e kryepeshkopit që situata të merrte fund…
Kur dikush falënderon kryepeshkopin, nuk do të thotë që gjërat mbaruan me ndërhyrjen e tij. Për kryepeshkopin kam fjalët më të mira e falënderimet më të veçanta, pikërisht se u angazhua, pavarësisht moshës.
Për kë e keni fjalën në status, për opozitën, presidentin, kur thoni “Të tjerat, janë fjalë për “lugën” e atyre që dinë veç çfarë nuk duan”?
Nëse sot do ti kishim ata njerëz akoma duke pritur, do të kishim më shumë se një emergjencë humanitare, do kishim kaos, por kjo gjë u zgjidh. Të gjithë dhanë më të mirën e mundshme, duke gjetur një zgjidhje mes dy palët. Kjo situatë nuk u krijua nga teknalitete politike, por se në gjithë botën po ndodh kjo, për shkak të situatës së pazakontë. E mira nuk ka fund, por kjo nuk ishte një situatë ku ne ishim të përgatitur. Por brenda 24 orëve të gjitha strukturat shtetërore u përgjigjën. Vazhdoi pak gjatë, sepse dhe pala tjetër nuk ishte e përgatitur. Tani duhet të reflektojmë. Është absolutisht e gabuar të themi që përgjegjësia totale ishte e qeverisë shqiptare.