Me rrjedhjen e të dhënave personale, u shtua frika edhe për marrjen e kredive në emër të dikujt tjetër. E për fat të keq, një gjë e tillë ka ndodhur në Vlorë, por tashmë policia ka zbuluar autorin. Shtetasi me inicialet G.M., ka bërë një kallëzim penal në polici, kjo pasi dikush tjetër kishte marrë kredi në emër të tij.
Pas hetimeve të kryera nga ana e krimit Ekonomiko-Financiar, rezulton se autor i kësaj ngjarje është një 39-vjeçar banues në lagjen “15 Tetori”, Vlorë, i identifikuar me inicialet K.R. Për pasojë, policia e ka vënë në pranga.
“Specialistët e Hetimit të Krimit Ekonomiko-Financiar në DVP Vlorë proceduan penalisht për veprat penale “Mashtrimi në kredi” dhe “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”, shtetasin K. R., 39 vjeç, banues në lagjen “15 Tetori”, Vlorë, pasi ka bërë kallëzim shtetasi G. M., banues në Vlorë, se nëpërmjet mashtrimit dhe falsifikimit, shtetasi K. R. ka marrë një kredi në emër të tij”, njofton policia.