Ministrja e Ekonomisë dhe e Financave, Anila Denaj, është shprehur se me rishikimin e buxhetit do të rriten pagat për mjekët dhe infermierët.
Në një intervistë për emisionin “Open”, Denaj zbuloi dhe shifrën mesatare që ata do të marrin. Sipas saj, rritja do të shkojë nga 110-120 mijë lekë të reja për mjekët.
“Është e rëndësishme ta nisësh nga shëndetësia, se është një vit ku në fokus është jeta e mjekëve. Më herët ne kemi parë 3 rishikime të buxhetit të shtetit. Kemi diskutuar edhe për ndryshimet që do ndodhin në vitin 2021. Janë diskutime teknike që kanë nisur që në korrik. Dhe pjesë e këtyre ndryshimeve janë dhe rrogat e mjekëve dhe infermierëve. Pra nuk është rritja e parë që do të bëhet në një mandat qeverisës të qeverisë Rama. Kjo rritje vjen pas një rritje 21% për mjekët dhe 26% për infermierët.
Do flasim për mesatare se niveli i pagave ndryshon, do të jetë rritje që shkon nga 110-120 mijë lekë të reja për mjekët. Por këtë do ta themi pas anunçimit të rishikimit të buxhetit”, tha ajo.