Maqedonia e Veriut po shqyrton vendimin për të vendosur si kusht testin ndaj koronavirusit, për qytetarët e Kosovës që duan të kalojnë kufirin.
Lidhur me këtë propozim-vendim ka reaguar edhe ministri i Shëndetësisë në Kosovë, Armend Zemaj.
I ftuar në emisionin “Pressing” të T7, Zemaj thotë se nuk ishte në dijeni se Maqedonia po e shqyrtonte këtë çështje. Ai e cilëson si të padrejtë këtë gjë, teksa shton se nëse vendoset nga Maqedonia e Veriut që të kërkohet testi, atëherë do të merren masa edhe nga pala kosovare.
“Nuk isha në dijeni që po shqyrtohet kjo çështje nga pala tjetër. E padrejtë të na kërkohet testi nga Maqedonia e Veriut. Ne lëshuam lëvizjen e lirë për shtetet e rajonit. Maqedonia ka më shumë raste me ne por nuk kufizuam lëvizjen pasi edhe atje jetojnë një pjesë e madhe e shqiptarëve. Ne kishim një numër të madh të qytetarëve që shkuan në Shqipëri gjatë vikendeve. Atje disa qytetarë humbën jetën. Por kontrolli ishte i vështirë në pikat kufitare. Do të shikojmë mundësinë që të vendosim reciprocitet”, tha ai.