Meta iu mbyll gojën kritikëve: Ja pse i miratova ndryshimet në Kodin Penal

Presidenti Ilir Meta ka sqaruar edhe një herë se pse vendosi t’i miratojë ndryshimet në Kodin Penal të propozuara nga qeveria.

Në një intervistë për Nova Media, Meta i quan spekulime të gjitha zërat që krahasojnë këtë vendim me manifestimin e 2 Marsit.

Kreu i shtetit thekson se në manifestimin e 2 marsit ai mbrojti Kushtetutën. Ndërsa në rastin e ndryshimeve në Kodin Penal, Meta tha se kjo gjë bëhej për interesin e përgjithshëm publik.

“Çdo keqkuptim që bëhet midis qëndrimeve të Presidentit me manifestimin e 2 marsit dhe me ndryshimet e miratuara në Kodin Penal është spekulative, për të treguar sikur këtu ka një inkoherencë, ndërkohë që është krejt e kundërta. Duhet të kuptojmë që janë dy situata të ndryshme. Koherenca ime në mbrojtjen e Kushtetutës ka qenë dhe do të jetë e përhershme. Sa i përket ndryshimeve në Kodin Penal, dua t’ju sqaroj se ka pasur një boshllëk dhe për këtë arsye një grup i deputetëve të mazhorancës ndërmori një nismë të papritur që krijoi shqetësim. Ndërkohë pas këtyre shqetësimeve mazhoranca kërkoi bashkëpunim në këtë rast. Duhet të kuptojmë që Presidenti kishte dy zgjidhje: që të mos bashkëpunonte paraprakisht dhe kur Kuvendi t’i bënte fakt të kryer këto ndryshime, Presidenti t’i kthente dhe mazhoranca t’i kalonte sërish. Por nuk mendoj se në rrethanat aktuale ky do ishte një vendim i drejtë nga ana ime në raport me interesin e përgjithshëm publik”, tha ai.