Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, lajmëroi heqjen e kufizimit për transportin publik. Kjo do të realizohet vetëm në sajë të protokolleve strikte, ku vendosja e maskës do të jetë e nevojshme.
“Komiteti Teknik i Ekspertëve ka vendosur hapjen e transportit publik, por vetëm nën protokolle strikte, tashmë të miratuara, ku vendosja e maskës qoftë nga ata që shërbejnë apo nga qytetarët që e përdorin transportin publik, do të jetë e domosdoshme dhe nuk do të tolerohet asnjë thyerje e këtij rregulli”, tha Manastirliu.
Ministrja kërkoi bashkëpunimin e qytetarëve për masat parandaluese ndaj COVID-19, për të mos e mbingarkuar sistemin shëndetësor. Ajo ka rikërkuar nga qytetarët që të zbatojnë distancimin fizik, të mbajnë higjenën personale dhe mbajtja e maskës kudo kur nuk është e mundur të respektohet distanca.
“Duke falenderuar stafet mjekësore që vijojnë të jenë në gatishmëri, çdo qytetar është i lutur të mbrojë sistemin shëndetësor, të mos e vërë në sprovën e mbingarkesës, duke zbatuar rregullat e thjeshta parandaluese, distancimi fizik, higjiena personale dhe mbajtja e maskës kudo kur nuk është e mundur të respektohet distanca. Pasi janë të vetmet armë që kemi në dorë për të parandaluar përhapjen e COVID-19”, tha Manastirliu.