Ndërsa presidenti Meta do të shprehej pak më herët se është i gatshëm të rishikojë datën e zgjedhjeve lokale, në mënyrë që ti jepet fund krizës politike në vend, një reagim është përcjellë nga ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani.
Ai qëndron me të njëjtën linjë me presidentin Meta, ku për të, do të ishte krejt normale në këtë situatë që gjendet vendi. Manjani shton më tej se ri-dekretimi i datës së zgjedhjeve lokale, mbetet e vetmja zgjidhje.
Statusi
“Pa dyshim, fillimi nga Presidenti i Republikës i një një proçesi ri-dekretimi të datës së zgjedhjeve lokale, do ishte krejt normal në këtë situatë anormale që gjendet vendi.
Unë jam dakort me konstatimin e Tij të para dy ditëve që “…. parimet kushtetuese prevalojnë ndaj çdo formaliteti…”
Ligjërisht, do kisha preferuar që këtë pohim ta kishte bërë Gjykata Kushtetuese. Por edhe Presidenti i Republikës ka terren ta zbatojë këtë sentencë.
Në fund të fundit Ai nuk është instanca e fundit që interpreton Kushtetutën, por është zbatues i saj. Përgjatë zbatimi, bën pa dyshim edhe interpretuesin e saj në shkallë të parë.
Pra, asnjë problem Kushtetues, nga ana formale, nuk do të gjeja nëse Presidenti, nisur nga fakti që dekreti i Tij për zgjedhjet lokale nuk po zbatohet, të rifillonte proçesin e ri dekretimit të një date tjetër zgjedhore.
Se të themi të vërtetën dekreti përcakton datën e zgjedhjeve dhe jo datën e votimit. Që këtu dekreti ka rënë. Të mos hyjmë pastaj tek veprimtaria gjysmake e KQZ dhe tek mosregjistrimi i opozitës në zgjedhje.
Këto janë arësye të forta për të detyruar Kryetarin e Shtetit të rikonsiderojë anulimin e një dekreti që nuk zbatohet.
Pa dyshim që ky proçes ri- dekretimi nuk mund të jetë vetëm juridik. Në radhë të parë ai është një proçes politik, por edhe Kushtetues.
Parimet e shtetit demokratik dhe të sundimit të ligjit janë cënuar rëndë. Kushtetuta nuk mund të katandiset si afat procedurial, siç na fton Kryeministri.
Pasi shkel rëndë trupin e shpirtin e saj, asnjë kuptim nuk kanë më afatet…
Ndaj ri-dekretimi i datës së zgjedhjeve lokale mbetet e vetmja zgjidhje.
Pa dyshim, jo të gjithë janë dakort me këtë zgjidhje in-extremis, por ska tjetër.
Aq më tepër kur vendi është pa Gjykatë Kushtetuese.
Precedent për këtë rast ka. Është ri-dekretimi i zgjedhjeve të 2007 dhe të 2017.
Ndaj, Presidenti duhet ta rimarrë këtë precedent”, përfundon Manjani.