Avokati i Saimir Tahirit, gjatë pushimit që ka marrë gjykata, është prononcuar shkurtimisht për mediat, teksa ka nënvizuar se akuzat për klientin e tij nuk qëndrojnë.
Avokati Maks Haxhia ka deklaruar më tej se provat që ka sjellë prokuroria janë gjykuar njëherë në Itali, dhe Tahiri ka rezultuar i pafajshëm.
Haxhia tha se Tahiri ishte përgatitur vetë për mbrojtjen, pasi i është përkushtuar tërësisht kësaj çështje, ndërsa pretencën e Prokurorisë me 12 vite burg, avokati e cilësoi të paramenduar.
Intervista
12 vite burg?
Këtë unë e kam dëgjuar kohë më parë, dhe unë them që ky proces është i paragjykuar, paramenduar dhe paravlerësuar.
Nga kush paramendohet dhe paragjykohet?
Unë nxjerr konkluzion, i nxjerr nga mënyra e sjelljes, dhe materialet italine janë gjykuar dhe Tahiri ka dalë i pafajshëm.
Ku është prova që ai ka shkelur ligjin?
Këtë pyetje kemi bërë që në fillim, se cilat janë këto episode dhe cilat janë ndihmat që ka bërë Tahiri, por nuk kemi marrë asnjë përgjigje.
Nëse Tahiri dënohet, çfarë do bëni?
Do respektojmë ligjin, do apelojmë vendimin.
Çfarë materialesh ka sjellë prokuroria?
Ka sjell disa materiale copy-paste, dhe ishin të marra keq, prandaj gjyqi duhet të ishte ndërprerë.