Lista e PD/ Çupi: Ka dështuar, është si fustani i një basme turke

Analisti Frrok Çupi ka komentuar listën e Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike me emrat e kandidatëve për deputetë që do të garojnë në zgjedhjet parlamentare 25 prillit.

I ftuar në emisonin Open, Çupi e cilësoi listën e PD si “fustanin e një basme turke” dhe theksoi se tenton të jetë një kopje e PS, por ka dështuar.

Sa i përket listës së PS, Çupi u shpreh se është e pastër dhe pa dilema.

Frrok Çupi: Lista e PS është bërë shumë e studiuar, është e matur. Ndërsa lista e PD është bërë dora dorës, deri në orët e fundit ka pasur ndërhyrje. Lista e PS ka kritere. Duket se PD nuk ka arritur të vendosë kriter, aq më pak të shpallë kriter. PD kishte kriter që të kishte njerëz që do të filtroheshin nga komisioni Ruli që e kam parë si jo demokratik. Komision i pazgjedhur dhe i pavotuar. Përderisa PD gjeti marrëveshje të veten, përsëri nuk e respektoi.

Kritere të tjera janë se duket si amulli, duket influence, duket që ka nxitime, që ka pamendime. Deri ditët e fundit ishte si në luftë që nuk dihej a ka bërë presion Berisha dhe aleatët. Lista e PD ka kakofoni ngjyrash. Është si fustani i një basme turke. PD me këto lista ka humbur identitet. PD është solide, por në parlamentin e ardhshëm nuk do të dihet çfarë kemi, i kemi të PDIU, të agrarëve. Eksperienca me aleatët është thuajse e dështuar.

Tek PS vërej që hyn pastër në zgjedhje pa dilema me minimum 76 deputetë. Këto zgjedhje nuk kanë dilema. Një nga pjesët themelore të filozofisë është që PS ka thërritur në përfaqësinë popullore gjeneralët e dy betejave të mëdha, tërmeti dhe pandemia. PS ka aplikuar filozofinë e thërritjes së personalitetit. Për liderët e dobët nuk duhet të ketë personalitet. PD vërtet tenton të jetë kopje e PS, ka thërritur shkrimtarë e gazetarë që janë në fund të listës.