Nga: Xhezair Zaganjori
Pak ditë më parë, më datë 7 dhjetor 2021, një nga dhomat e gjykimit të zakonshëm të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDRNJ) dha një vendim mjaft të rëndësishëm për dy çështje kundër Austrisë, të bashkuara prej saj në një, për shkak se në thelb janë thuajse të njëjta. Megjithëse nuk është një vendim i Dhomës së Madhe, për herë të parë synohet të vendosen disa standarde bazë në raportin mes Lirisë së Shtypit, Jetës Private te komentuesve të shumtë në median sociale, si dhe mbrojtjen e reputacionit apo të të drejtave të personave të tjerë. Në fakt, Gjykata e Strasburgut ka një jurisprudencë mjaft të konsoliduar lidhur me raportin që krijohet shpesh dhe mjaft natyrshëm mes Lirisë së Shtypit dhe Jetës Private. Në këtë kuadër, ajo ka theksuar gjithnjë që Liria e Shprehjes, e veçanërisht Liria e Shtypit si pjesë e rëndësishme e saj, janë aq të domosdoshme për shoqërinë demokratike, siç është edhe oksigjeni për jetën e njeriut. Ato realizojnë detyrën e rëndësishme të informimit, duke trajtuar çdo ditë tema apo çështje tepër të rëndësishme me interes publik. Vitet e fundit, në sajë të zhvillimit të shkencës e teknologjisë moderne, këtij angazhimi i është shtuar edhe mundësia unike apo mrekullia që realizohet përmes medias online, për të përfshirë në mënyrë anonime edhe publikun e gjerë në procesin e debatit apo të diskutimeve mbi probleme të rëndësishme politike e shoqërore. Por kjo risi sigurisht që krijon edhe probleme apo ballafaqim të drejtash individuale, të cilat imponojnë rregullim ligjor e përcaktim standardesh të përgjithshme në nivel kombëtar e global. Një gjë të tillë përpiqet të bëjë edhe vendimi në fjalë i GJEDRNJ.
Faktet e çështjes janë shkurtimisht si më poshtë: “Standard Verlagsgesellschaft mbH”, është një kompani austriake që ka në pronësi gazetën e njohur ditore “Standard”, e cila prej disa viteve botohet jo vetëm në versionin e shtypur, por edhe në atë online. Për disa nga artikujt kryesorë të botuar online, ajo organizon edhe forume debati apo diskutimi, duke iu lejuar lexuesve të bëjnë komente ose të shfaqin mendimin e tyre për temat që trajtohen. Në këtë kuadër, lexuesit që duan të komentojnë e të shfaqin pikëpamjet e tyre, duhet të regjistrohen në ëebsite-n e gazetës, duke treguar emrin dhe adresën e emailit, e në raste të veçanta edhe adresën postare. Ëebsite bën qartësisht të ditur se këto të dhëna nuk mund të bëhen publike, me përjashtim të rasteve kur këtë gjë e kërkon shprehimisht ligji. Sipas informacionit të dhënë nga kompania në fjalë, për artikujt e vendosur në faqen e saj online ajo merr dhe boton çdo ditë rreth gjashtë mijë komente anonime. Shumë komente të tjera nuk i pasqyron për shkak të filtrit të vendosur në procesin monitorues, gjatë të cilit zbatohen urdhërimet ligjore.
Çështja e parë: Në vitin 2012, gazeta “Standard” boton online një artikull mbi veprimtarinë politike të partisë austriake FPK, parti e qendrës së djathtë që e shtrin aktivitetin e saj kryesisht në zonën Kärnten (Carinthia), e cila ndodhet në pjesën jugore të Austrisë, në kufi me Slloveninë. Qendra e kësaj zone malore është qyteti Klagenfurt. Rreth këtij artikulli u bënë komente e vëzhgime të shumta të lexuesve. Në shumë prej tyre kishte edhe akuza e sharje për anëtarësinë në përgjithësi të kësaj partie, e veçanërisht për kryetarin e saj K.S. Mes të tjerave, ato cilësohen si politikanë të korruptuar; me ide neonaziste; parti që duhet ndaluar, e të tjerë. Përmendet gjithashtu se në “..ditën e zgjedhjeve që po afron do ta paguani”; se “..ju mund të harroni, por zgjedhësit jo..”, e të tjerë. K.S. dhe Partia që drejtonte (FPK), bënë kërkesa të veçanta pranë kompanisë “Standard Verlagsgesellschaft”, duke kërkuar prej saj identitetin dhe adresat e komentuesve që “..i kishin sharë e fyer..”, në mënyrë që ndaj tyre të bënin kallëzim penal si dhe padi civile për dëmshpërblim. Gazeta “Standard” i heq komentet nga faqja e saj, por refuzon kërkesat. K.S. dhe FPK i drejtohen për këtë qëllim gjykatës. Gjykatat e shkallës së parë e të dytë i rrëzojnë dy kërkesat e paraqitura, ndërsa Gjykata e Larte i pranon, duke urdhëruar kompaninë “Standard Verlagsgesellschaft” të japë informacionin e kërkuar.
Çështja e dytë: Në vitin 2013, gazeta “Standard” boton online intervistën e deputetit austriak H.K., i cili ishte njëkohësisht edhe Sekretar i Përgjithshëm i Partisë FPÖ (Partia e Lirë Austriake). Në komentet që i bëhen këtij artikulli nga lexuesit, thuhet ndër të tjera se kjo parti cenon lirinë e shprehjes; mbështet veprimtarinë mafioze e të tjerë. Ashtu si më sipër, H.K. kërkon identitetin e komentuesve për të ngritur padi civile për dëmshpërblim si dhe për të bërë kallëzim penal. Edhe në këtë rast, “Standard” i heq komentet e bëra online, por refuzon zbulimin e identitetit të autorëve, ndaj H.K. i drejtohet Gjykatës. Kërkesa rrëzohet në Shkallë të Parë e të Dytë, ndërsa Gjykata e Lartë sërish i pranon pretendimet, duke urdhëruar gazetën të bëjë të ditur të dhënat e komentuesve.
Ndodhur para kësaj situate, për të dyja rastet, kompania “Standard Verlagsgesellschaft” i drejtohet në vitin 2015 GJEDRNJ, me pretendimin se urdhrat e lëshuara nga Gjykata e Lartë e Austrisë cenojnë të drejtën e saj në ushtrim të Lirisë së Shprehjes. Siç theksuam më sipër, të dyja çështjet u bashkuan në një, pasi u vlerësuan se janë thuajse identike në këndvështrimin ligjor.
Në vendimin e dhënë rreth një javë më parë, GJEDRNJ shqyrton me kujdes të gjitha fazat e vlerësimit të çështjes konkrete, të domosdoshme për arritjen e konkluzionit nëse janë cenuar ose jo të drejtat e kërkuesit (kompanisë “Standard Verlagsgesellschaft”).
Këto faza janë:
- a) Konstatimi nëse ka ndërhyrje në të drejtat e kërkuesit, konkretisht të Lirisë së Shtypit, garantuar nga neni 10 i Konventës;
- b) Nëse ndërhyrja në këtë të drejtë është bërë me ligj dhe nëse ndiqet një qëllim i ligjshëm;
- c) Nëse ndërhyrja në rastin konkret ishte ose jo e “domosdoshme në një shoqëri demokratike”. Në këtë rast ajo vlerëson veçanërisht zbatimin e parimeve të proporcionalitetit dhe të efektivitetit.
Le të shohim shkurtimisht me radhë vlerësimin që bën GJEDRNJ për secilën nga këto faza:
- a) GJEDRNJ konstaton fillimisht që kompania kërkuese pretendon ndër të tjera se e drejta e saj e Lirisë së Shtypit preket dukshëm nga urdhri i Gjykatës së Lartë që e detyron të bëjë të ditur identitetin e disa prej komentuesve, duke cenuar kështu njëkohësisht edhe burimet e saj gazetareske, të cilat gëzojnë mbrojtje të veçantë e thelbësore nga neni 10 i Konventës. Duke u ndalur në këtë pretendim, në vendim bëhet sqarimi i rëndësishëm se kompania mediatike kërkuese, në ushtrim të rolit që ka në një shoqëri demokratike, e përdor portalin edhe si një forum për shpërndarjen, nxitjen dhe diskutimin e ideve të ndryshme mbi tema me interes publik. Në këtë kuptim, normalisht, komentet e lexuesve synojnë t’i drejtohen sërish publikut të gjerë dhe jo gazetarit që ka bërë artikullin konkret. Prandaj, këto komente nuk mund të konsiderohen dhe nuk mund të gëzojnë statusin e burimeve gazetareske. Megjithatë, pavarësisht këtij fakti, urdhri i Gjykatës së Lartë të Austrisë cenon Lirinë e Shtypit të kompanisë kërkuese, sepse kjo kompani nuk është thjeshtë administratore e një faqe online, por ka ne pronësi një gazetë e përditshme që boton artikuj me interes publik dhe krijon forume debati për lexuesit e saj. Ajo ka rol aktiv në thirrjen dhe udhëzimin e komentuesve që në mënyrë anonime të angazhohen për të shkruar opinionet e tyre, duke i bërë kështu ato pjesë thelbësore të portalit. Pra, në emër të Lirisë së Shtypit, kompania në fjalë kontribuon aktivisht në diskutimin e hapur dhe shpërndarjen e ideve me rëndësi dhe interes publik. Prandaj, vënia e detyrimit për të bërë të njohur identitetin e komentuesve të veçantë, do t’i pengonte ato (pra, komentuesit) në tërësi për të kontribuar në debatin publik, sepse në këto kushte ato do të kufizoheshin, dekurajoheshin apo do të hiqnin dorë nga shprehja e lirë e mendimeve të tyre rreth çështjeve që trajtohen (i ashtuquajturi chilling efekt). Ruajtja e anonimitetit të komentuesve është njëkohësisht mjet me rëndësi për të shmangur ndëshkimin, kërcënimet online apo vëmendjen e panevojshme ndaj tyre. Në këtë mënyrë, sigurisht që krijohet edhe mundësia për të promovuar e mbrojtur më mirë qarkullimin e lirë të informacionit, ideve e mendimeve të shtresave të ndryshme të shoqërisë. Ndaj kjo mbrojtje i shërben çdo kompanie mediatike, siç është edhe kërkuesi, për të mbrojtur të drejtat e komentuesve në këndvështrim të nenit 8 të Konventës, që do të thotë mbrojtjen e të dhënave personale apo në tërësi të jetës së tyre private. Aq me tepër që zbulimi i anonimitetit, siç u theksua me sipër, cenon indirekt edhe Lirinë e Shtypi. Për sa më sipër, arrihet në përfundimin se në rastin konkret ka ndërhyrje në te drejtën e kërkuesit për të ushtruar të drejtën e Lirisë së Shtypit.
- b) Në fazën e dytë GJEDRNJ konstaton se ndërhyrja është bërë formalisht në bazë të një ligji dhe se synimi është parimisht i ligjshëm (mbrojtja e reputacionit të të tjerëve). Megjithatë, GJEDRNJ nuk ndalet gjatë në analizën e këtyre elementëve, pasi vlerëson se rreth tyre nuk ka interpretime të kundërta apo kontestime mes palëve.
- c) Sigurisht që për fatin e çështjes, pra, për pranimin apo mospranimin e kërkesave të paraqitura në Strasburg nga kompania “Standard Verlagsgesellschaft”, rëndësi të veçantë ka elementi i fundit, vlerësimi nëse ndërhyrja në të drejtat apo liritë themelore, megjithëse e bërë me ligj dhe për një qëllim të ligjshëm, ishte e “domosdoshme ose jo në një shoqëri demokratike”. Për këtë qëllim, bëhet balancimi i të drejtave që përplasen mes tyre në çdo rast të veçantë, që në çështjen konkrete janë Liria e Shtypit, Jeta Private si dhe mbrojtja e reputacionit të të tjerëve. Kjo detyrë duhet zbatuar nga çdo gjykatë në nivel kombëtar, duke pasur veçanërisht parasysh faktin që kur ndërhyrja bëhet në emër dhe për interes publik, ndaj personave të veshur me pushtet apo që kryejnë funksione me rëndësi shtetërore e shoqërore si dhe në çështjet me natyrë politike në tërësi, tolerimi i ndërhyrjes duhet të jetë shumë më i madh. Kjo, pasi këto persona, me vullnet të lirë, kanë zgjedhur vetë të përfshihen apo të angazhohen në të tilla funksione me impakt të jashtëzakonshëm në jetën politike e shoqërore të vendit. Megjithatë, sipas GJEDRNJ, e drejta për të mbetur anonim në funksion të Lirisë së Shtypit dhe te Jetës Private, në parim nuk ka natyrë absolute. Anonimiteti online, edhe pse një vlerë me rëndësi, duhet të balancohet me të drejta dhe interesa të tjera, që në këtë çështje janë ato të personave qe ndjehen të fyer nga komentet respektive, të cilët në parim duhet të kenë akses efektiv në gjykatë, pra, duhet të kenë të dhënat individuale të personave që kanë bërë komentet e kundërshtuara. Por zbulimi i këtyre të dhënave duhet të jetë proporcional me interesat që preken, të cilat janë: Mbrojtja e reputacionit të tri subjekteve që i janë drejtuar gjykatave vendase (austriake); Mbrojtja e Lirisë së Shtypit të kompanisë mediatike kërkuese; si dhe Mbrojtja e të dhënave Personale të autorëve të komenteve online. GJEDRNJ konstaton se një balancim i tillë i interesave të kundërta nuk është bërë aspak nga Gjykata e Lartë e Austrisë. Për më tepër, sipas saj (sipas GJEDRNJ), ajo që është më shumë shqetësuese është fakti që duket qartë se në rastin konkret mosmarrëveshja ka lindur në kontekstin e një debati publik dhe me interes publik, që ishte veprimtaria dhe sjellja e një subjekti elektoral dhe të dy politikanëve që kryenin funksione të rëndësishme publike. Nga ana tjetër, edhe pse komentet e bëra online, mund të konsiderohen si të papërshtatshme, ato nuk ishin të tilla sa për t’u vlerësuar si nxitës të urrejtjes, të dhunës apo veprimeve të tjera të paligjshme… Mbi këtë bazë, GJEDRNJ arrin në konkluzionin se në rastin konkret, ndërhyrja në të drejtën e Lirisë së Shtypit të kompanisë kërkuese “nuk ishte e domosdoshme në një shoqëri demokratike”.
Si përfundim, Gjykata e Strasburgut deklaroi në vendimin e saj të dt. 7 dhjetor 2021 se urdhri i Gjykatës së Lartë të Austrisë që detyron kompaninë “Standard Verlagsgesellschaft” të zbulojë të dhënat e komentuesve online, është në kundërshtim me Lirinë e Shtypit të garantuar nga neni 10 i Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut.