Update/Në një kohë kur opozita ka bojkotuar seancën e sotme plenare, ndërsa përfaqësohen nga dy krerët e grupeve parlamentare, Edmond Spaho dhe Petrit Vasili, këta dy të fundit kërkojnë rivotim të ligjit për shembjen e Teatrit Kombëtar. Gjatë fjalës së tij Vasili tha se vota e deputetit të LSI-së Vangjel Tavo është manipuluar, të njëjtin qëndrim që mbajti edhe Spaho.
“Zoti kryetar kjo seancës, ku cituat kërkesën që kemi bërë, është kërkesë e cila qartëson sallën e Kuvendit tashmë çdo standard ka rënë. Ne kemi depozituar dy ditë më parë edhe më shumë, ndaj është koha e nevojshme. Nuk mundet që parlamenti të funksionojë. Vota u tjetërsua në mënyrën më të keqe. Për ne është e papranueshme dhe të bëjmë sikur s’ka ndodhur asgjë. Mos të vazhdojmë më sëbashku deri sa kjo situatë të sqarohet”, tha Vasili.
Ndërkohë, Spaho tha se opozita përveçse po privohet nga fjala e saj në Kuvend, po i merren edhe votat.
“Edhe unë dëshiroj të mbështes mendimin e zotit Vasili. Ditën e enjte u miratua shembja e teatrit. Por më shumë se përmbajtja e ligjit, votimi ka pasur defekt, rezultati është manipuluar. Një nga anëtarët e opozitës rezulton të ketë votuar pro shembjes. Nuk është çudi që në këtë vend të ndodh diçka e tillë. Kërkesa jonë për të anuluar votim in është bërë para dy ditësh, pasi çështja është e rëndësishme. Ne si opozitë nuk do të marrin pjesë në seancën e sotme, pasi gjendje të tilla në Kuvendin e Shqipërisë po bëhen të zakonshme. Opozita po privohet nga e drejta e fjalës, por vullneti i saj po denatyrohet”, pohoi ai. Sakaq, në kundërsulm u hodh kryetari i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla. Ky i fundit tha se nuk bëhet fjalë për asnjë manipulim me votat. Ai tha se deputeti i pavarur Robert Bitri ishte pajisur me një karton, që ka rezultuar të jetë i Tavos.
“Nga ana e PS nuk ka pasur asnjë deputet që të ketë votuar në emër të një deputeti tjetër. Sikurse për transparencë të opinionit publik, deputetit të pavarur në vendin që ai voton, i është dhënë një kartë. Kamerat e Kuvendit ta hetojnë. Nëse LSI ka detyrim për të bojkotuar, s’ka të bëjë me votimin. E drejta e Bitrit nuk mund ti hiqet për të votuar. Çfarë dhe kush fshihet pas këtij skenari për të prishur votimin e ditës së enjte, këtë e kuptojnë të gjithë”, tha Balla. Ndërkohë kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi tha se sot ishte njohur me kërkesën e opozitës për rivotim të ligjit, me pretendimin se është vjedhur vota e tyre.
Nis Kuvendi/Plani ‘surprizë’ i opozitës, si i ngriti kurth qeverisë
Ndërsa ka filluar mbledhja e Kuvendit, në një seancë të jashtëzakonshme, ku pritet që të miratohen disa ligje të rëndësishme, të cilat kërkojnë shumicë të cilësuar, partitë opozitare PD dhe LSI nuk kanë marrë pjesë dhe kanë bojkotuar këtë mbledhje.
Ndërkohë të pranishëm në sallë janë vetëm krerët e grupit parlamentar të PD dhe LSI, Edmond Spaho dhe Petrit Vasili.
Spaho dhe Vasili i kanë kërkuar kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruci anulimin e votimit të ligjit për Teatrin Kombëtar, pasi janë hasur parregullsi. Kujtojmë se edhe më herët përmes një letre publike Vasili e Spaho bënë të ditur se në listë rezulton se Vangjel Tavo i LSI-së, i cili nuk ka qenë i pranishëm në seancë plenare.
Mësohet se mungesa e opozitës nuk është bojkot i parlamentit, por një formë proteste ndaj falsifikimit që sipas tyre u është bërë votave për miratimin e ligjit për Teatrin në seancën e kaluar.
Rendi i ditës për seancën e sotme
Raporti vjetor i veprimtarisë së Entit Rregullator të Energjisë për vitin 2017
Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin “Për tatimin mbi të ardhurat”
Projektligji “Për një shtesë në ligjin “Për tatimin mbi vlerën e shtuar”
Projektligji “Për një shtesë në ligjin “Për sistemin e taksave vendore”
Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve”
Projektligji me SHBA për instalimin dhe përdorimin e Sistemit për (PISCES)
Projektligji me Spanjën për ripranimin e personave me qëndrim të paautorizuar
Projektligji “Për profesionin e avokatit në Republikën e Shqipërisë”.