Lejuan gazetarët të bisedonin me të pandehurin, pezullohen 3 policët në Fier

Policia e Fierit ka pezulluar 3 punonjës policie për shpërdorim detyre. Gjatë shoqërimit të 36-vjeçarit me iniciale S.M, i cili kishte dhunuar dhe kryer marrëdhënie seksuale me dhunë me gjyshen e tij, punonjësit kanë lejuar qytetarë e gazetarë të bisedonin dhe ta pyesnin atë brenda automjetit të policisë.

Kjo përbënte një kundërtshtim me procedurat standarde të punës.

”Në përfundim të marrjes së masës së sigurisë, punonjësit e Policisë që ishin të planëzuar me shërbim për shoqërimin e 36-vjeçarit, në kundërshtim me procedurat standarde të punës, duke shpërdoruar detyrën kanë lejuar qytetarë e gazetarë të bisedonin dhe ta pyesnin shtetasin e ndaluar brenda automjetit të Policisë.  Në lidhje me këtë shkelje, Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Fier ka bërë pezullimin e menjëhershëm nga detyra të punonjësve T. K., F. G. dhe G. Ç., për shkeljen e kryer.’’, informon policia.

Ndërkohë, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka nisur menjëherë hetimin disiplinor ndaj këtyre punonjësve, për shkelje të rëndë.